|
E hanë, 06 Shtator 2010 21:59 |
|
Patrick Moore
Skena është gati
Në fund të muajit gusht, OJQ-ja ndërkombëtare me bazë në SHBA, Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) vendosi një raport rreth “Kosovës dhe Serbisë pas opinionit të GJND-së”. Studimi ngriti disa pika që meritojnë shqyrtim të kujdesshëm. Sikurse që ka ndodhur edhe në të kaluarën, ICG po tenton të ketë ndikim në rrugën e ngjarjeve duke ofruar një agjendë për diskutime. Pika e parë që shqyrton raporti është ajo se palët e përfshira tani duhet të veprojnë: Dështimi për të negociuar në muajt e ardhshëm mund të ngrijë konfliktin për disa vite, pasi që partitë janë futur në ciklet elektorale, gjatë së cilës mosmarrëveshja mund të përdoret për të mobilizuar opinione nacionaliste dhe për të shmangur kritikat e korrupsionit të vendit dhe dështimeve të qeverisë”. Përveç kësaj, ICG rekomandon që bisedimet e synuara në një marrëveshje të pranueshme nga të dy anët duhet të fillojë shumë shpejt “pa parashikime dhe e fabrikuar në veçanti nga BE-ja” megjithëse studimi me mençuri vendos edhe një rol të SHBA-së. Gjithashtu mençur, raporti duket se rekomandon një reduktim të prezencës koloniale të UNMIK-ut, si pjesë të një marrëveshjeje, që asgjë nuk do t’i ndihmonte Serbisë “në ndërtimin e besimit të dyanshëm të menjëhershëm duke lejuar Kosovën – pa një polic të OKB-së– që të marrë pjesë në një mënyrë që nuk paragjykon statusin në organizata ndërkombëtare dhe marrëveshje, si Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimit, Marrëveshja e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë, dhe trupat regjionale të vendosjes së ligjeve”. Studimi vë në dukje se tentimet për të diskutuar vetëm “çështje teknike” pa u marrë me pyetjet e statusit kanë pak gjasa të kenë sukses. ICG duket se në vend të kësaj pëlqen më shumë marrëdhënie të përbashkëta praktike që janë më pak sesa njohja e plotë diplomatike. Studimi më pas bën thirrje “për hapjen e zyrave përfaqësuese sa më shpejt që është e mundur në Prishtinë dhe Beograd, pa akreditim ambasadorësh”. Raporti do të duhej, megjithatë të përfshinte një rekomandim të qartë për anëtarësim të plotë në OKB të të dyja shteteve. Në mesin e ekspertëve gjermanë për çështjet e Ballkanit, shpesh theksohet se një formulë e këtillë ishte çelës i suksesit të Traktatit Bazik të vitit 1972 në mes Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore. Dy shtetet shkëmbyen “përfaqësues permanentë” që kishin zyre në secilin kryeqytet por nuk kanë njohur decitivisht njëri-tjetrin si shtete të pavarura apo nuk kanë shkëmbyer ambasadorë të plotë. Kjo formulë iu ka mundësuar shteteve gjermane që të kryejnë marrëdhënie dhe pjesëmarrje të përditshme si anëtarë të veçantë në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare. Ata nuk kanë vënë në pyetje sovranitetin apo shtetësinë. Kjo formulë i ka mundësuar që gjermanët lindorë të thonë se ishte një shtet i ndarë, kurse Gjermania perëndimore mund të thoshte se ishte një Gjermani dhe një shtet gjerman. Asnjë prej tyre…
Studimi i ICG-së ndoshta vendos më shumë theksim sesa që duhet në vendosjen e një “statusi vetëqeverisës autonom për qytetet me Kisha Ortodokse Serbe, duke përfshirë të gjitha komponentet e planit të Ahtisarit, të furnizuara nga mbrojtja e armatosur ndërkombëtare pas largimit të KFOR-it dhe të garantuar nga një traktat apo nga një rezolucion i Këshillit të Sigurimit”. Unë personalisht nuk mendoj se kosovarët do të jenë kaq budallenj e të sulmojnë zonat fetare serbe, dhe gjithashtu mendoj se këtë e dinë edhe Kishat Ortodokse Serbe. Beogradi dhe Kisha, megjithatë duket se më shumë bëjnë zhurmë politike rreth dhunës së mundshme. Ndoshta janë dy arsye për këtë. Së pari, bisedime të këtilla tërheqin vëmendjen prej faktit të tërë dhunës politike në Kosovë qysh prej marsit të vitit 2004, që ishte rezultat i punës së serbëve. Së dyti, gjithashtu largon vëmendjen nga problemet ndërkombëtare të Kishës, të konflikteve të fraksioneve dhe përvetësimit të fondeve bamirëse brenda vetë Kishës në Kosovë. Në çfarëdo rasti, pranimi i propozimit të ICG-së rreth Kishës Ortodokse Serbe do të ishte një çmim i vogël që do të paguante Prishtina në mënyrë që të largojë kredibilitetin e mbetur në argumentet “fetare” serbe kundër pavarësisë së Kosovës.
... Çështjet e vërteta
Jashtë njohjes de fakto të përbashkët, çështja më e rëndësishme e adresuar nga studimi i ICG-së është problemi me veriun. Raporti rekomandon se atje duhet “të jetë një autonomi më e gjerë për regjionin e veriut të lumit Ibër, brenda integritetit territorial të Kosovës, duke përfshirë legjislaturë dhe ekzekutiv regjional, kontroll mbi shumicën e doganave dhe të hyrat lokale të tatimeve”. Por, para se të arrihet në këto rekomandime, studimi thekson tre opsione të mundshme. Së pari, ai thekson qëndrimin me planin e Ahtisarit. Megjithatë studimi arrin në përfundim se plani nuk është më i përshtatshëm për të plotësuar shqetësimet serbe apo kundërshtimet e kritikëve të jashtëm të pavarësisë së Kosovës. Kjo është pse ICG-ja pajohet me opsionin e dytë, që është “autonomi e zgjeruar” edhe pse nuk ka shenja se një propozim i këtillë do të pranohej nga veriu apo në Beograd.
Në raport gjithashtu përmendet opsioni i tretë, që është ndarja apo shkëmbimi i territoreve. ICG-ja sugjeron se ndarja nuk do të jetë e pranueshme për Prishtinën, por shkëmbimi i veriut me Preshevën mund të ndodhë. Raporti argumenton se shkëmbimi i territoreve “do të sillte përllogaritje komplekse”. Kosovarët, frikohen se autonomia për veriun do të mund të dëmtojë unitetin e shtetit të tyre, ndërsa ndërkombëtarët besojnë se shkëmbimi i territoreve mund ta çojë në thyerje Bosnjën apo Maqedoninë, gjë që ICG-ja sot nuk e konsideron si një mundësi serioze.
ICG-ja shkëmbimin e territoreve e quan “çmimi më kontrovers që mund të paguhet nga negociatat... në kontekstin e njohjes reciproke dhe gjitha çështjeve tjera të rëndësishme. As Prishtina e as Beogradi nuk e propozojnë këtë haptas, por zyrtarët e dy kryeqyteteve kanë filluar të flasin në heshtje për këtë natyrisht me (Grupin Ndërkombëtar të Krizave).
Kjo çështje, natyrisht që është komplekse. Por në njërën anë, bisedimet për shkëmbime do t’i jepnin Beogradit justifikim për të dalë nga negociatat e pafund me qëllim që të bllokojnë një marrëveshje të përhershme politike, e cila është pikërisht lloji i marrëveshjes që ICG-ja dëshiron ta arrijë.
Nga ana tjetër, shkëmbimi i territoreve do të konsolidonte popullsinë etnike shqiptare dhe do t’iu mundësonte shqiptarëve të ndërtojnë shtetin e tyre pa problemet e shkaktuara nga një pakicë që nuk dëshiron të jetë pjesë e Kosovës së pavarur, sikurse që kosovarët nuk dëshirojnë të jenë pjesë e Serbisë.
ICG-ja gjithashtu i bën thirrje BE-së dhe SHBA-ve për të zgjeruar përpjekjet e tyre për të ndihmuar në arritjen e njohjes së Kosovës. Raporti gjithashtu paralajmëron perëndimin nga rreziku i mospërkrahjes së plotë të Kosovës: “Miqtë e Kosovës, e në veçanti BE-në, që ka dështuar të përkrahë pavarësinë me vullnetin politik për të siguruar sovranitetin dhe integritetin e plotë territorial.
Ndarjet etnike në Mitrovicë po ngurtësohen nën patronazhin e OKB-së dhe BE-së, refugjatët nuk janë lejuar të kthehen, kurse BE-ja shpeshherë ka vendosur ta shtyjë këtë çështje sipas dëshirës së Serbisë. Serbët e veriut kanë kuptuar se dhuna dhe frikësimi janë shpërblyer. “Të shpresojmë që këto mësime janë mësuar në Berlin, Paris dhe Bruksel.
(Z. Moore është analist politik amerikan me mbi 35-vjet përvojë në gazetari. Ai rregullisht bashkëpunon me Infopress).
Vendose në:
|
|
E mërkurë, 01 Shtator 2010 23:38 |
|
Elife Luzha
Shteti i Kosovës edhe një herë pritet të përballet me Serbinë. Kësaj radhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku kuvendi i botës në sesionin e 64-t të radhës, në shtator, do të diskutojë projektrezolutën që Serbia e deponoi kundër pavarësisë së Kosovës të shpallur legjitime nga GJND-ja, më 22 korrik të këtij viti. Gjithsesi kjo do të jetë edhe humbje e radhës për Serbinë, nga vet fakti se ajo vet e kërkoi mendimin këshillëdhënës të GJND-së, lidhur me legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, të cilin pastaj nuk e respektoi! Teksti i projektrezolutës serbe, ku nuk është respektuar vendimi i GJND-së, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka kërkuar Serbisë ta modifikojë atë ose ta tërheqë fare nga AP-ja. Njohja e shtetit të Kosovës nga 69 shtete të botës në krye me SHBA-në, dhe legjitimimi i tij nga GJND-ja, pa dyshim se e ka fuqizuar subjektivitetin shtetëror të Kosovës, karshi bashkësisë ndërkombëtare. Kjo është një ndër arsyet e para që Asambleja e Përgjithshme nuk do të miratojë çfarëdo rezolute qoftë, që do të binte ndesh me legjitimitetin e shtetit të Kosovës. Pastaj edhe mendimi këshillëdhënës për pavarësinë e Kosovës dhënë nga GJND-ja, ishte përgjigje ndaj kërkesës së parashtruar nga AP-ja e OKB-së. Kjo është arsyeja tjetër për çka Asambleja e Përgjithshme, legjitimitetin e shtetit të Kosovës as që do ta diskutojë. Por, ditëve të fundit janë shtuar zërat për mundësinë e modifikimit të tekstit të projektrezolutës nga ana e Serbisë, sidomos aty ku nuk respektohet vendimi i GJND-së dhënë për Kosovën. Këto zëra janë dëgjuar pas vizitës që ministri i Jashtëm gjerman Guido Vestervelle i bëri rajonit, duke përfshirë Serbinë edhe Kosovën. Deklarata e ministrit gjerman drejtuar Qeverisë serbe për pavarësinë e Kosovës, ishte më shumë se e qartë. ''Pavarësia e shtetit të Kosovës dhe integriteti i saj janë realitet'', tha ai, duke saktësuar se ''harta e Evropës tashmë është e vizatuar''. Ky deklarim që në një apo mënyrë tjetër përfaqëson edhe mendimin e diplomacisë së lartë evropiane, e definoi, duke e përmbyllur përfundimisht pacenueshmërinë e shtetit të Kosovës. Ministri i Jashtëm gjerman edhe njëherë dëshmoi, përkrahjen kontinuele për pavarësisë dhe shtetit e Kosovës shprehur nga diplomacia gjermane, duke na bërë të kujtojmë kohën e para bombardimit të Serbisë nga forcat e NATO-s, kur ministri i atëhershëm gjerman Joshka Fisher, kishte shkuar në Serbi për ta këshilluar Millosheviqin që të tërhiqej nga Kosova, duke e porositur se ''nuk do ta fitonin kurrë SHBA-në, ashtu siç nuk e kishte fituar as Gjermania në dy luftërat e zhvilluara, përveç përjetimit të katastrofës kombëtare''. Sido që të jetë, porosia e diplomatit gjerman drejtuar këto ditë zyrtarëve në Serbi, shigjetoi edhe dimensione tjera të politikës serbe, sidomos kur kemi parasysh problematikën e firmave gjermane në Serbi si ajo e grupit mediatik WAZ, por dhe publikimin e Raportit nga Fondacioni gjerman Friedrich Ebert, nga autori Michael Ehrke, ku shpjegon për oligarkët në Serbi, të cilët nga nëntoka i kontrollojnë dhe financojnë të gjitha partitë politike, njashtu sikurse edhe Partinë Demokratike të presidentit serb Boris Tadiq. Serbia, gjendet në katrahurë të paalternativë, ku grupet mafioze nga nëntoka, dirigjojnë e kontrollojnë edhe institucionet më të larta të shtetit. Është e futur edhe në krizë të madhe ekonomike, që sipas ekspertëve të kësaj fushe llogariten rreth 23 miliardë euro borxhe të jashtme dhe të brendshme. Prandaj, dhe nuk do të hezitoj të pranoj çfarëdo oferte të ofruar nga Brukseli për ta modifikuar tekstin e projektrezolutës, nën arsyetimin se gjoja po e bën në këmbim të avancimit të të drejtave të serbëve në Kosovë. E në fakt Serbisë as që i interesojnë serbët kosovarë. Ata shfrytëzohen nga Serbia në mënyrën më të pamëshirshme, duke i instrumentalizuar sa herë që ajo ka nevojë, apo sa herë që politika atje e ndjen pushtetin e luhatur. Serbia do ta pranojë ofertën e Brukselit, për ta modifikuar projektrezolutën, por në asnjë mënyrë si kusht për t’i avancuar të drejtat e serbëve kosovarë, por për t’u nxjerrë nga përmbytja prej valës së bandave mafioze, të cilat në çdo kohë pritet t’i shpërthejnë ''bombat'' e larjes së hesapeve mes tyre. Sido qoftë këto janë çështje që i përkasin Serbisë. Kurse, sa i përket Kosovës, çfarëdo që të ndodhë me projektrezolutën serbe, në asnjë mënyrë, asgjë, asnjëherë, dhe askush nuk do të mund ta pengojë rrugëtimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës. Përpjekja qindvjeçare e shqiptarëve për lirinë dhe të drejtën e tyre sot është shpërblyer. E drejta jonë u shpall e drejtë legjitime nga institucioni më i lartë juridik i botës, siç është Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi. Sot shteti i Kosovës është shteti më i legjitimuar në botë, siç edhe tha kryeministri ynë. Kurse, shqiptarët janë populli më i favorizuar se kurrë ndonjëherë më parë. Andaj dhe këto ditë, kur Kosova pret të përballet edhe një herë me diplomacinë e egër serbe, përkundër asaj se të gjitha kahet e gërshetojnë fitoren e Kosovës, Qeveria dhe të gjitha institucionet e vendit, më shumë se kurrë duhet të tregohen të përgjegjshme, fleksibile dhe vigjilente, për ta mbrojnë vullnetin e popullit në çdo cep të shtetit. Me çdo kusht duhet mbrojtur liria e popullit në Kosovën e bashkuar.
Vendose në:
|
|
E martë, 31 Gusht 2010 20:02 |
|
Agim Zogaj
Zëri i diplomacisë gjermane në ndërtimin e politikës së jashtme të BE-së, përherë ka qenë dhe është i një peshe të veçantë. Gjermania, ndryshe një ndër kolosët e projektit të BE-së, i cili projekt po synon ta bëjë realitet ëndrrën për një Evropë të re, për një Evropë të lirë, djep i përbashkët i civilizimeve të kombeve të sotme paraqet faktor të rëndësishëm në ndërtimin e politikave gjithëpërfshirëse të BE-së. Qëndrimi shumë parimor, i vendosur, objektiv dhe vizionar, gjithnjë në të mirë të popujve të Evropës së re, pra jo vetëm të popullit mik gjerman, paraqet një ndër gurthemelet mbi të cilat ngrihet filozofia e politikës së jashtme të shtetit gjerman. Pra, sipas asaj filozofie politike gjermane, paqe, siguri, zhvillim, prosperitet, të ardhme të ndritshme do të ketë për të gjitha kombet e Evropës së re, të cilat i pranojnë, i njohin dhe i përjetësojnë standardet e politikës së Evropës së bashkuar. Në këtë kuptim, dhe pikërisht mbi këtë filozofi politike, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle ishte shumë i qartë në porositë që i dha për popujt dhe shtetet e rajonit të Evropës Juglindore. Këto porosi gjermane, në fakt që janë indirekt porosi të Brukselit zyrtar jorastësisht dhe në radhë të parë, iu drejtuan Beogradit zyrtar i cili vazhdon të mos jetë bashkëpunues me udhëheqjen e BE-së. Aq më parë, kur udhëheqja e shtetit serb, edhe pas shpalljes së mendimit këshillëdhënës të GJND-së lidhur me Kosovën, përmes projektrezolutës së re në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së synon të nxisë thellim të mosmarrëveshjeve dhe krizave të reja politike në relacionet e diplomacisë ndërkombëtare. Dhe pikërisht, pra, duke parë kryeneçësinë e papërmirësueshme serbe, në radhë të parë në raport me Kosovën, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, gjithsesi në marrëveshje me Brukselin zyrtar erdhi në rajon dhe, konkretisht në Beograd i shpalosi porositë e qarta dhe të padiskutueshme diplomatike. Tre ishin qëndrimet e prera diplomatike të ministrit të Jashtëm gjerman, Westerwelle: se çështja e pavarësisë së Kosovës është realitet, se nuk do të ketë bisedime për statusin dhe se, modeli i konfrontimit nuk shpie në Evropë. Të tri porositë e diplomatit gjerman, Westerwelle i referohen Serbisë, e cila në raport me shtetin e Kosovës, por edhe me BE-në ka zgjedhur rrugën, modelin e konfrontimit diplomatik. Është çështje e Serbisë se si do të reflektojë ndaj këtyre porosive, por për BE-në, për politikën e paqes në rajon është me rëndësi se, këto porosi, do të thoshim këto kërkesa janë përcjellë pikërisht nga diplomacia gjermane e cila, edhe si pjesë e BE-së qëndron e vendosur prapa cilitdo qëndrim zyrtar. Aq më parë, kur, realisht, porositë gjermane për Serbinë, në mënyrë të tërthortë janë porosi dhe njëherazi kërkesa të pa diskutueshme të BE-së. Thelbi i këtyre porosive është se, Serbia, një ditë duhet të ndalet nga insistimi për statusin e Kosovës, realisht nga ndërhyrjet e pa shembull në zhvillimet e brendshme të shtetit të Kosovës. Ndryshe, rruga e saj për në BE, është e kushtëzuar, nëse jo me njohjen e shtetit të Kosovës atëherë me mosndërhyrjet në punët e brendshme të shtetit tonë. Shikuar nga këndvështrimi ynë, Serbisë duhet paraqitur ultimatum ndërkombëtar që në të ardhmen të mos ndërhyjë në zhvillimet në Veriun e Kosovës dhe përgjithësisht në zhvillimet në shtetin tonë. Pra, Serbinë duhet parandaluar që të ketë rol dhe hise në zgjidhjen politike të çështjes së ashtu quajtur, veriu i Kosovës. Ndryshe, nuk mund të themi se, pra, as pas të gjitha këtyre porosive diplomatike gjermane po vjen koha kur Serbia do të disiplinohet dhe, do të detyrohet që në raport me shtetin e Kosovës të heqë dorë nga politika e konfrontimit me çdo kusht. Ndërkohë, nga Beogradi zyrtar, drejt Kosovës vazhdojnë të vijnë porosi të cilat nuk kanë aromë paqeje, përkundrazi, mbartin frymë konfrontimi, konflikti dhe pretendimesh territoriale!
( Autori është shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës)
Vendose në:
|
|
E hanë, 30 Gusht 2010 19:55 |
|
Patrick Moore
Kalërimi i elefantëve të artë
Në dy artikujt e mi të fundit për “Infopress” unë kam shkruar rreth korrupsionit në Serbi, bazuar në shkrimet e medieve serbe dhe atyre ndërkombëtare.
Këto diskutime ne media treguan atë që unë po mundohesha ta bëja për vite me radhë në qarqet ndërkombëtare, se Serbia është sunduar nga një oligarki e korruptuar, e cila u pasurua gjatë periudhës së Sllobodan Millosheviqit dhe nuk ka ndërruar në substancë.
Oligarkia ose “tajkuni” monopolizon dhe kontrollon mbi bizneset e Serbisë dhe ka një pushtet të vërtetë, pavarësisht se kush është president ose kryeministër.
Ata krijuan mbretërinë e tyre gjatë periudhës së Millosheviqit dhe vazhdojnë të kontrollojnë shtetin edhe këtyre ditëve.
Natyrisht, Beogradi nuk është vendi i vetëm ku mund të shohësh korrupsionin. Lexuesit në këtë linjë i dinë edhe debatet rreth korrupsionit edhe në Kosovë, bile më mirë se unë, prandaj unë do t’ju lë juve të gjykon shkallën dhe natyrën e problemit në vendin tuaj. Por unë dua të cek se në asnjë diskutim për korrupsion në Kosovë nuk është kompletuar pa ekzaminuar rolin dhe natyrën e forcave koloniale, të quajtura UNMIK dhe EULEX. Sikur zyrtarët kolonialë në Indi dhe Afrikë, në të kaluarën, këta persona në përgjithësi jetojnë kopmonime me mbrojte të veçantë dhe duke lëvizur përreth me makina speciale. Ata nuk ngasin elefantë me shtëpi të artë mbi të, por ata i pëlqejnë privilegjet. Në fakt, statusi i tyre është aq i mirë, sa që zyrtarët kolonialë nuk nxitojnë të japin llogari para qytetarëve të Kosovës dhe të largohen.
Të huajt thonë se qytetarët e Kosovës duhet të tregojnë përgjegjshmëri dhe t’i çojnë punët para me nder dhe transparencë, por si mundet që qytetarët e Kosovës të bëjnë ata kur kolonialët refuzojnë të largohen dhe nuk tregojnë asnjë shenjë që duan të bëjnë atë?
Dhe si mundet që qytetarët e Kosovës të menaxhojnë një qeveri transparente, nëse kolonialët nuk i kanë bërë punët e tyre me transparencë?
Kolonizuesit e Kosovës jetojnë mjaft mirë dhe këtë e dinë të gjithë. Ata nuk japin shenja se duan të ikin, ndoshta sepse ata nuk i pret asgjë për t’u kthyer atje, ndoshta përveç ndonjë perspektive tjetër për punë në UN ose BE, por kësaj radhe në një xhungël të largët ose në ndonjë shkretëtirë në vendet e Evropës.
Andaj, ata vazhdojnë si më parë, ndoshta të gëzuar ndër vete se struktura nga Beogradi dhe forca nacionaliste nga veriu u ndihmojnë të sigurojnë që Kosova të duket jo si vend i qytetarëve, por i grupeve etnike, vetëm shihni flamurin e Kosovës që janë detyruar ta përdorin. Në një vend të qytetarëve, dhe jo të një vendit të kundër të grupeve etnike, populli menaxhon punët e veta dhe nuk kanë nevojë për dy administrata koloniale të mbyllura për t’i qeverisur.
“Si në novelat triler kriminal”
Por lë t’i lemë ngërzit e Prishtinës në elefantët e artë dhe të kthemi në Serbi.
Mediat e atyshme dhe ato perëndimore, përfundimisht, janë duke shfaqur fakte se korrupsioni dhe sundimi oligarkik, ose mafioz janë problemet reale të Serbisë, dhe jo Kosova apo diçka tjetër.
Këtë muaj, gazetari gjerman Thomas Brey ka shkruar një raport fasionues për korrupsionin në Ballkan, i cili është botuar në shumë media gjermane. Unë dua të ndaj diçka nga ky observim me ju. Fokusi i tij mjaftueshëm ka qenë Serbia. Brey fillon duke treguar një shaka, në të cilin një student shkon në testin e lendes së historisë, i jep mësuesit të tij një zarf me 200 euro në të dhe është pyetur në një pyetje, ku ka rënë bomba e parë atomike. Studenti i përgjigjet se ajo ka qenë në Hiroshima. Profesori i thotë atij se e ka kaluar provimin dhe mund të shkojë. Pastaj studenti i dytë hyri në klasë, por ai refuzon të ofrojë një zarf. Në atë vend ai u pyet ku ka rënë bomba, kur ka rënë, kush e ka hedh atë dhe sa njerëz janë vrarë. Studenti iu përgjigj të gjitha pyetjeve saktë. Atëherë profesori e pyeti studentin për listën e të gjitha qindra mija emrave të viktimave.
Kjo është shaka që tregon shumë rreth natyrës së bëri biznes në Serbi. Sikur edhe biznesmeni gjerman Bodo Hombach dhe shoqëria e tij mediatike WAZ kanë zbuluar se investitorët e huaj që nuk dhanë ryshfet dhe nuk u përfshinë në oligarkinë dhe operacionet e tyre shkuan askund.
Investitorët e tilla janë të konfrontuar me rregulloret e më shumë dhe më shumë rregulla dhe komplikime, deri në pikën që ata më në fund dakordohen të bashkohen në korrupsionit në mënyrë që të qëndrojnë, ose përndryshe ata largohen, siç bëri Hombah. A është mirë kjo për interesat reale të Serbisë, të cilat janë për një qeveria të pastër dhe transparente, që Homabch nuk është një njeri i dobët dhe synon të bëjë eksperiencën e njohur të BE-së.
Brey citon disa serbë ordinerë, që kanë punuar si punonjës të huaj (Gastarbeiter) rreth eksperiencave të tyre me korrupsionin, kur janë kthyer në shtëpi. Njëri nga ta kishte thënë “nuk është budalla” dhe nuk e ka ndërmend që parat e fituara me ndjerës dhe gjak për vite me radhë t’ia japë zyrtarëve serbë të korruptuar, që t’i shfrytëzojnë për veten e vet ata.
I dytë nga këta punëtorë, që kishin punuar në shtet të huaj, e ka krahasuar marrëveshjen me zyrtarët serbë si me “novelat triler kriminale”. I treti është shpreh se nuk do t’i këshillonte “bile as edhe armiqtë me të këqij” që t’i investonin parat në Serbi.
Këto janë problemet e njerëzve të zakonshëm. Peshqit e mëdhenj që kanë bërë para, përfshirë si Borislav Galiq, i cili tashmë ka tërhequr vëmendjen e BE-së, sipas Brey dhe të përditshmes beogradase “Blic”. Në punën e tij të mëhershme si sekretar i kreut të forcës së sigurisë, Galiq ka dhënë pasaporta të reja për disa persona që mbartnin vrasje politike në vete. Në punën e tanishme si kreu u prokurimeve, ai vendos për tenderët me vlerë prej 4.000.000.000 për vit. Ai është subjekt i jokontrolles dhe transparencës.
Verica Barac, që udhëheq Këshillin Serb Anti-Korrupsion, i ka thënë gazetës së Hombach-it WAZ në mes te gushtit, që rreth 1.700.000 euro me prejardhje të dyshimtë shpërlahen në Serbi për çdo vit. Ajo ka shtuar se hyrja e privatizimit, që nga rënja e Milosevicit është operacioni më i madh i shpëlarjes së parasë. Në fjalën e saj, pas-Miloshevic “Refroma” qeveritare “ i ka lejuar magnatat dhe kriminelet që të blejnë kompanitë e mira, ti shkatërrojnë ato dhe më pastaj ti shesin për vlerën e parave të tyre. Barac ka nënvizuar se të gjitha degët e ekonomisë- si cigaret, vaji dhe qumështi janë shitur dhe janë shkatërruar edhe më tej.
Më e rëndësishmja, ajo argumenton se politikanët janë të korruptuar dhe të punojnë ngushtë me oligarkët. Korrupsioni, thotë ajo, nuk është një problem brenda sistemit, por në fakt ajo është e sistemit. Politikanët janë të "papërgjegjshme, e të pakontrolluar, dhe nuk shkarkohen nga detyra." Ata nuk janë objekt i ndonjë kontrolle nga një parlament, që përbëhet nga "kukulla".
Fati i Serbisë dhe i sistemit të saj politik është me interes për njerëzit në tërë Ballkanin. Kjo është për shkak se ka rreth 8.000.000 serbë, të cilët zënë një pozicion gjeografik qendror në gadishullin e Ballkanit. Ne të gjithë e dimë se çfarë ndodh kur Serbia ka liderët e këqij. Por në duart e lidershipit të mirë, Serbia mund të luajë një rol shumë pozitiv për të mirën e të gjitha vendeve të Ballkanit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak se udhëheqësit tjerë të mundshëm, Greqia, e cila ka 11 milionë njerëz dhe është anëtare si në NATO dhe BE, nuk tregon shenja të thyera primitive të saj, të politikave nacionaliste të shekullit të 19 në drejtim të fqinjëve të saj.
Sigurisht, e ardhmja e Serbisë është e një rëndësie vendimtare për të gjithë në Ballkan. Le të shpresojmë se BE është duke mësuar Beogradin për të siguruar se Serbia të marrë një rrugë të mençur. Le te shpresojmë se Brukseli ia bën me dije Beogradit se ajo nuk mund të afrohet pranë BE-së, nëse nuk zhvillon një marrëdhënie të civilizuar me Kosovë dhe të ndalojë interferimin në punët e fqinjit të saj.
(Z. Moore është një analist politik amerikan me mbi 35 vjet eksperiencë si gazetar. Ai bashkëpunon rregullisht me Infopress)
Vendose në:
|
|
E hanë, 09 Gusht 2010 22:32 |
|
Elife Luzha
Opinioni për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, i shpallur nga Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi, pa dyshim se ka hapur një kapitull të ri, si për Kosovën, ashtu dhe rajonin në përgjithësi. Mbështetja dhënë pavarësisë së Kosovës në thelb është mbështetje e parimeve demokratike. Serbia nuk e pranoi opinionin që vetë e kërkoi nga gjykata. Si kundërveprim ndaj vendimit të GJND-së, ajo paraqiti një projektrezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke dëshmuar kokëfortësinë e një politike të prapambetur. Bashkësia Ndërkombëtare tanimë e ka të njohur sjelljen mospërfillëse serbe ndaj vendimeve të saj. Të kujtojmë me këtë rast Millosheviqin, i cili pati nënshkruar 18 marrëveshje, por asnjë kurrë nuk e respektoi. Regjimi millosheviqian (që vazhdon edhe sot) nuk respektoi as 73 rezoluta të miratuara nga Këshilli i Sigurimit, nëpërmjet të cilave i bëhej thirrje Serbisë që të ndërpresë agresionin kundër fqinjëve të saj. Ishte pikërisht agresioni dhe mospërfillja e vendimeve ndërkombëtare që e detyruan NATO-n për ndërhyrje kundër ushtrisë serbe. Por ajo vazhdon me mosbindje ndaj institucioneve më të larta të botës. Projektrezoluta e dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga Serbia, ku kërkohen bisedime për të gjitha çështjet me Kosovën, duke aluduar edhe për statusin e saj, është hapi i radhës i një “'çmendurie politike serbe”, siç edhe tha kryeministri ynë. Gjithsesi, projektrezoluta serbe dhe mënyra e formulimit të saj u kritikua dhe kundërshtua nga SHBA-të dhe BE-ja. Pa hyrë në detaje se çka e përshpejtoi Serbinë për të bërë një hap të tillë (kur kemi parasysh paralajmërimin e paraqitjes së një projektrezolute nga BE-ja, pastaj u fol edhe për një projektrezolutë nga ndonjë shtet mik i Kosovës) projektrezoluta serbe u vlerësua e gabuar, dhe e destinuar për të dështuar, edhe nga disa akter të politikës serbe. Gjithsesi, vendimi pozitiv i gjykatës e ka përforcuar pozicionin e Kosovës. Prishtina zyrtare, edhe para shpalljes së vendimit të GJND-së ishte deklaruar se do të respektoj vendimin e Gjykatës. Por, politika jo koherente serbe, siç thotë në artikullin e tij Marko Attila Hoare, vazhdon “të derdhë lotët e Kasandrës ndaj vendimit të GJND-së, që nuk shprehin asgjë më shumë se sa qëndrimin tradicional kolonialist”. Disa analistë për Ballkanin, kohëve të fundit kanë publikuar të dhëna, që shpjegojnë se “arsyeja e vetme pse Serbia bënë kaq shumë zhurmë për Kosovën, ka të bëjë kryesisht me zhvendosjen e vëmendjes të opinionit publik serb nga problemet reale të Serbisë, që kanë të bëjnë kryesisht me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Përderisa studiues të sigurisë janë deklaruar se një ndër fushat më të minuara me krim të organizuar dhe korrupsion në rajonin e Ballkanit Perëndimor është Serbia. E ndodhur mes një busulle pa akrepat orientues, dhe e paaftë për t’u menaxhuar dhe udhëhequr me veten, e sëmura e Ballkanit, Serbia e sulmon dhe etiketon shtetin e ri të Kosovës me synim ta pengojë rrugëtimin e tij. Veprime të tilla ajo mori edhe kundër ish-republikave jugosllave, pas shpalljes së tyre si shtete të pavarura. Ajo “vajtonte” dështimin e tyre për shkak të paaftësisë për t’u qeverisur. Sot jemi dëshmitarë realë të zhvillimit dhe të prosperitetit demokratik e shtetëror të të gjitha ish-republikave jugosllave, të cilat në çdo segment të shtetndërtimit, me hapa gjigantë, e kanë tejkaluar Serbinë. Loja tradicionale serbe e të gjykuarit dhe provokuarit të të tjerëve, pa pastruar para pragut të vet, përkundër të gjitha zhvillimeve, më shumë se kurrë, dominon në politikën serbe. Tani për tani, kjo është strategjia që e përdor politika serbe, për të përfituar kohë në pritje të ndonjë konjukture të rastit. Dorëzimi i projektrezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, edhe pas vendimit të GJND-së, është pjesë e kësaj strategjie. Në anën tjetër Serbia nëpërmjet agjenturave të saj shpif dhe shantazhon kundër qeverisë së shtetit tonë, siç ishte gjoja dhënia e pëlqimit për një status special për serbët në veriun e Kosovës. Destabilizimi i skenës politike kosovare do ta favorizonte shumë Serbinë, duke ia lehtësuar asaj “argumentin” para botës, për gjoja paaftësinë e shtetit të Kosovës për t’u qeverisur si shtet. Kurse disa pretendentë për poste politike në skenën kosovare, duke dëshiruar pushtetin politik me çdo kusht, ia mbajnë ison shantazheve serbe. Serbia e ka të qartë qëndrimin kombëtar të qeveritarëve tanë. Andaj dhe përdor metoda të lloj-llojshme, që ta mbaj pezull çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në këtë mënyrë duke përfituar kohë, ajo shpreson daljen në skenën politike kosovare të ndonjë ‘Ahmet Zogu’, me të cilin do ta kishte më të lehtë dialogun. Madje ajo edhe do ta “ndihmonte” pa dyshim ndërrimin e pushtetit, në këmbim të ndonjë copë toke Kosove, si në rastin e Shën Naumit. Është për të ardhur keq dominimi i një politike aq të mbrapsht dhe të prapambetur në Serbi. Si duket ende nuk e kanë të qartë se diplomacisë së vjetër i dha fund Uillsoni, para njëqind vjetëve, pikërisht duke i thënë JO copëtimit të mëtejmë të tokave shqiptare! Si do që të jetë, bota sot ka rregulla tjera bindjeje, edhe për më të pabindurit. Atë më së miri e di vetë Serbia, e cila jo shumë larg e përjetoi në kurrizin e vet. Krijimi i shtetit të Kosovës është dëshmia më e mirë e triumfit të së resë kundrejt së vjetrës. Politika mesjetare serbe është mposhtur tanimë në të gjitha fushat. Pas humbjeve ushtarake e diplomatike, me vendimin e GJND-së, Serbia pësoi humbjen traumatike edhe në aspektin juridik. Dështimi shumë i sigurt i radhës për politikën serbe, pa dyshim se është diskutimi i projektrezolutës të paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet në shtator. Kurse Qeveria e Kosovës, me hapat më të dukshëm se kurrë ndonjëherë më parë, po i radhitë fitoret e shtetit të Kosovës.
Vendose në:
|
|
E shtunë, 07 Gusht 2010 21:04 |
|
Xhavit Nura
Ministri Skënder Hyseni u duk sikur e avancoi çështjen e Kosovës me kërkesën për një rezolutë të re, që do të shfuqizonte rezolutën aktuale 1244. Por analistë të njohur të politikës ndërkombëtare në Prishtinë, siç është Veton Surroi e mendon këtë propozim si jo të qëlluar. Madje ai e konsideron si gabim strategjik kërkesën për një rezolutë të re, duke thënë se pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, diçka e tillë thjesht është e panevojshme.
Por, a është e nevojshme apo jo diçka e tillë?! Sado që GJND-ja ka dhënë një mendim të qartë rreth legalitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se kjo është një pajtim edhe me Rezolutën 1244, megjithatë kjo rezolutë tashmë duket e tejkaluar, apo një “këmishë e ngushtë” për një vend që tashmë ka ndryshuar. Në këtë aspekt mendoj se pala e Kosovës, në këtë rast ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ka pasur të drejtë. Edhe ekspertët e shohin rezolutën si pengesë për rritjen normale të shtetit të ri të Kosovës. Kurse Serbia vazhdimisht i referohet kësaj rezolute, duke injoruar realitetin e shtetit që tashmë po mbush më shumë se 2 vjet dhe është njohur nga shumë shtete të botës. Kështu në njëfarë forme, Kosova edhe më tutje vazhdon të mbetet peng i kësaj rezolute. Por, nuk ka një formulë të caktuar se si të evitohet kjo pengesë. A është propozimi për rezolutë të re, i mirë apo i keq, kjo ju mbetet ta vlerësojnë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare.
Por, mënyra se si ka rrjedhur kjo ide, lë shumë për të dëshiruar. Serbia të gjitha iniciativat e saj, sado “të çmendura” i kalon në instancat e saj institucionale, në qeveri dhe parlamentin e saj. Por, shpesh e shohim se kjo nuk ndodh në rastin e Kosovës.
Edhe propozimi i Skënder Hysenit ka qenë në njëfarë mënyre një lloj surprize.
Ideja për një rezolutë të re nuk është diskutuar as në Qeveri, as në Parlament, siç do të ishte e udhës. Nuk bëhet fjalë ndërkaq për një debat më të gjerë publik. Por, a ka qenë strategji e qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, që kjo të rrjedhë kështu, pra të shkohet me elementin surprizë, nuk dihet. Sidoqoftë, kjo nuk do të ishte një strategji e qëlluar. Në raste të tilla nuk ka befasi, por duhet bindur opinioni më i gjerë për një nevojë të tillë. Disa prej zyrtarëve të lartë qeveritarë së paku janë të mendimit se ky propozim është i nxituar, ngase në radhë të parë duhet siguruar se propozimi të gjejë një mbështetje në OKB dhe jo të hidhet vetëm si propozim. Apo kjo ishte një strategji e miqve ndërkombëtarë? Roli i miqve ndërkombëtarë është i padiskutueshëm dhe i mirëseardhur, por në këtë rast nuk duket se mund të ketë pasur një “këshillë” të tillë. Por edhe sikur të kishte një këshillë të tillë, nuk ka nevojë për një sjellje të tillë ta quajmë “të mbyllur”. Shteti i Kosovës ekziston falë luftës çlirimtare që ka zhvilluar populli i saj dhe përkrahjes së shteteve demokratike të botës dhe nuk ka nevojë të ndihemi në siklet tani.
Por a mund të jetë kjo strategji e diskutuar vetëm në instanca të ngushta qeveritare, apo mund ta bëjë ministri edhe kokë më vete. Minisri Hyseni me të drejtë është lavdëruar për disa nga paraqitjet e tij në Këshillin e Sigurimit, sado që nuk kanë munguar as gabimet, apo rastet kur nuk ka qenë sa duhet i përgatitur për çështjet specifike. Por, në njëfarë mase shohim herë pas herë një ekzaltim të vet ministrit, që mund të përqoj mesazhin se Kosova është në avantazh, por ndonjë ekzaltim i tepruar do të mund të qojë edhe në gabime që pastaj do të mund të prishte punë. Kështu, herë pas herë shohim tendencën e ministrit që pyetjeve të gazetarëve tu përgjigjet me ndonjë batutë, apo me humor. Në përgjithësi, humori mendoj se është një gjini e vështirë. Nëse realizohet mirë është diçka e lezetshme, por nëse bëhet keq, pastaj jo vetëm që nuk lë shije të mirë, por edhe bëhet tepër kundërproduktive. Rasti i fundit ishte kur Hyseni u tha gazetarëve pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit “A keni edhe një pyetje, se shkova”. Në një farë mënyre kjo jepte një mesazh se Kosova po ec përpara dhe nuk ka kohë të ndalet, por mund të shihet edhe si një komunikim jo i afërt me gazetarët ndërkombëtarë. Liderët që lëshojnë batuta bëhen shumë popullorë, por nuk duhet harruar se kjo mund të shndërrohet në një “fushë të minuar”, prandaj duhet të ketë më shumë kujdes. Kryeministri italian Silvio Berluskoni veçanërisht është i njohur për batutat e tij, por ministri Skënder Hyseni nuk duhet të harrojë se megjithatë është tepër i ri në korridoret e gjera të OKB-së, prandaj duhet të mbajë një kurs të mesëm.
Sa i përket konstatimit të analistit Veton Surroi është e mirë që ka debate të tilla. Por ai dhe Klubi për Politikë të Jashtme nuk duhet të presë që gjërat të ndodhin dhe pastaj të rrijë në shteg të komentojë ato, por mund të bëhet edhe paraprijëse e proceseve, përmes ofrimit të propozimeve konkrete, ashtu siç do të mund të bënte më shumë punë edhe në lobimin për njohje.
Vendose në:
|
|
E mërkurë, 04 Gusht 2010 10:41 |
|
Qani Mehmedi
Ta them që në fillim: asnjë qytetar i këtij vendi që e konsideron veten normal, siç mendon autori i këtyre rreshtave, nuk mund të mos jetë kundër korrupsionit e as kundër krimit të organizuar, mirëpo kur nënçmohet një popull nëpërmes nënçmimit të luftës së tij për liri dhe kur shantazhohet e tërë klasa e tij politike, siç del nga veprimet e kryeprokurorit të EULEKS-it në Kosovë, nuk ka se si të mos e shtroj pyetjen: A po përsëritet historia në formën më të çuditshme të saj? Kjo çka po ndodh në këta muaj me klasën politike të Kosovës i ngjason shumë ndjekjes nga Beogradi të tërë klasës politike të Kosovës prej vitit 1981 deri në riokupimin e plotë të Kosovës. Atëherë pjesëtarët e klasës politike duke akuzuar njëri - tjetrin dhe duke konsideruar se secili duhet ta mbrojë vetveten erdhi deri te epilogu sa askush nuk mundi ta mbrojë antoniminë e cunguar të Kosovës, por as vetën e tij.
Në të vërtetë, pyetja që shtrohet më së shpeshti për muaj të tërë në Kosovë është kjo: A është dërguar EULEKS-i në Kosovë për të mbrojtur ligjin, edhe ashtu me shumë zbrazëtira dhe defekte, pra për të luftuar korrupsionin, apo për të seleksionuar përbërësit kryesorë të shtetësisë së Kosovës dhe në emër të luftës kundër korrupsionit, një numër t’i burgosë dhe një numri tjetër përmes shantazheve t’ua mbyllë gojën përgjithmonë? Kjo pyetje tanimë është imponuar nga kryeprokurori i EULEKS-it, i cili në emër të Evropës, e në thirrje të mbrojtjes së drejtësisë, tash sa muaj bën spektakle mediale. Mbase nuk ka ndonjë prokuror të ndonjë vendi në këtë planet që brenda tre muajve të ketë qenë kaq shumë prezent në media sa kryeprokurori i EULEKS-it dhe mbase nuk ka as një vend në botë, përveç Kosovës, ku personazhet e klasës politike mbërthehen në pranga dhe detyrohen të parakalojnë para kamerave televizive sikur të ishin në një sfilatë mode.
Mirëpo, të ndalemi konkretisht: riburgosja e Ramush Haradinajt, një hero ky legjendar i Luftës së Kosovës nga ata heronjtë që historia e popujve, qofshin këta të mëdhenj apo të vegjël, rrallë i ka shënuar si për trimëri dhe stoicizmin, ashtu edhe për një luftë të pastër çlirimtare të denjë për personazhet e luftës në librat shkollorë, ka hapur edhe një plagë ndër plagët e shumta të trupit të lodhur të Kosovës. Kur kësaj t’i shtohen edhe kërcënimi dhe shantazhimi i ministrit aktual të Qeverisë së Kosovës, i cili është po kështu një dimension luftëtari i përmasave të jashtëzakonshme, e ashtuquajtura aferë e Fatmir Limajt, dhe si për t’u plotësuar mozaiku, kur kihet parasysh edhe bastisja spektakulare e komandantit të UÇK-së, Azem Sylës, dhe thirrja e tij që të shkojë në “biseda informative”, të gjitha këto nuk ka si të mos kuptohen si një nënçmim deri në palcë i një populli të vogël, i porsadalë nga robëria 600-vjeçare. Në këtë kuadër duhet përmendur edhe rasti i guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepit dhe i defilimit të tij me pranga para kamerave televizive. Pyetja shtrohet natyrshëm: çka dëshiron kryeprokurori i EULEKS-it në Kosovë: dëshiron të frikësojë klasën politike, apo dëshiron të turpërojë një popull të tërë? A dëshiron një pjesë e Evropës e cila ka gjynahe të mëdha në raport me shqiptarët në përgjithësi, e në raport me Kosovën në veçanti, edhe një herë të dëshmojë se me këtë vend dhe me këtë popull mund të bëjë çka të dojë ajo, ashtu siç ka bërë gjatë historisë qindravjeçare?!
Këto rreshta nuk do të duhej shkruar pa u shtruar pyetja esenciale: Pse si në vitin 1981 klasa politike në Kosovë po hesht edhe në vitin 2010, kur skena e saj politike përçahet në mënyrë të dhimbshme, kur nënçmohet deri në palcë lufta e popullit të Kosovës për liri, kur kryepersonazhët e kësaj lufte kërcënohen e shantazhohen? Njëmend mendojnë këta njerëz siç mendonte Azem Vllasi dhe një garniturë e tij pas vitit 1981 se me rëndësi është që atij të mos i vijë rendi, kurse gjithë të tjerët që kishin bërë politikë në Kosovë mund të fyheshin deri në skajshmëri, mund edhe të burgoseshin, mund edhe të vriteshin, me rëndësi konsiderohej që disa koka që ishin në rend të valles jugosllave të vinin e të rrinin në kolltukët e tyre të mëdha. Është e pafalshme që përgjegjësit kryesorë të politikës në Kosovë ka kohë që nuk kërkojnë sqarim për asgjë të rëndësishme që ndërmerr EULEKS-i në Kosovë. Sovrani i Kosovës nuk është EULEKS-i dhe kjo le të dihet, sovrani i Kosovës është populli i Kosovës, kurse klasa politike sido që të jetë, janë të zgjedhurit e tij dhe me ta nuk i lejohet të luajë askujt, në këtë rast as kryeprokurorit të EULEKS-it, i cili vazhdimisht kërcënon, shantazhon dhe bën sfilata tragjikomike televizive. Për këtë herë kaq...
Vendose në:
|
|
E hanë, 02 Gusht 2010 23:06 |
|
Patrick Moore Më sa e kujtoj unë
A ju kujtohet Wolfgang Ischinger? Ai ishte diplomat gjerman, i cili ishte përfaqësues i BE-së në ‘trojkën’ që zhvilloi negociatat e padobishme ndërkombëtare me Beogradin në vitin 2007. Ai tani i është kthyer politikës në Ballkan, duke bërë një propozim për bisedime të reja Prishtinë-Beograd, pas vendimit të GJND-së.
Më duhet të pranoj se kujtimet e mia për Ischinger nuk janë edhe aq pozitive. Ai ishte ambasador i Gjermanisë në Uashington nga viti 2001-06 gjatë udhëheqjes së Gerhard Schroeder, politikat e të cilit ishin anti-amerikane dhe që sollën marrëdhëniet gjermano-amerikane në pikën më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjërat ishin përkeqësuar aq shumë sa që Ischinger e pa të nevojshme të nxisë marrëdhënie më të mira, duke udhëtuar me autobus publik në Uashington dhe duke shpërndarë pasagjerëve maica me qëllim që të përmirësojë marrëdhëniet gjermano-amerikane. Ai mund të ketë ruajtur disa maica për vete dhe të jetë më i suksesshëm në vend se të përqendrojë gjithë energjinë e tij duke e inkurajuar Schroeder të ndryshojë politikën e tij.
Pas largimit nga Uashingtoni, Ischinger arriti të fitojë një çmim tjetër diplomatik, duke u emëruar ambasador në Britani. Atje atij i pëlqente të ftonte në ambasadën gjermane diplomatë të vendeve tjera të BE-së dhe t’ju tregojë atyre se cilën politikë do të duhej të ndjekin drejt Britanisë.
Ischinger pastaj u largua nga shërbimi i jashtëm gjerman në vitin 2008, për të drejtuar konferencën e sigurimit të Munihut, e cila sponsorizonte konferenca tre ditore çdo shkurt, në të cilën merrnin pjesë disa nga njerëzit më të rëndësishëm në politikat ndërkombëtare. Ai çdo muaj shkruan nga një opinion në ueb-faqen e organizatës së tij. Për fat të keq, si shumë të tjerë të gjeneratës së tij dhe orientimit politik, opinioni i tij politik mbetet i ngrirë mbi çështjet e viteve të 1970 dhe 1980-ta. Artikujt e tij shpesh herë merren me nxitjen e çarmatimit dhe rritjen e rëndësisë së Rusisë. Ai nuk dëshiron të shoh se çështjet qendrore ndërkombëtare të sotme përfshijnë resurset dhe ekonominë, apo se Rusia është fuqia e se djeshmes dhe se Kina e ka zëvendësuar atë.
Diplomati gjerman gjithashtu nuk e kishte një të kaluar edhe aq të favorshme në Kosovë. Kur ai e mori postin e tij si përfaqësues i BE-së në trojkën, pozita e tij ishte pak më e lehtë sesa e negociuesve tjerë. Në gusht të 2007, ai sugjeroi se ndarja e Kosovës mund të jetë një alternativë e mundshme si pjesë e një zgjidhjeje, vetëm se më vonë për të thënë se është keqkuptuar. Ai gjithashtu i bëri thirrje Brukselit me rreshtat se Kosova “duhet të jetë në rend të parë një çështje për BE-në”, duke aluduar edhe tek Ministri i Jashtëm Portugez Luis Amado, shteti i të cilit është duke mbajtur presidencën rotative të BE-së. Me fjalë tjerë, “Amerikë qëndron larg”.
Ischinger gjithashtu e distancoi vetën nga plani i Ahtisarit, që ishte e pazakonshme për një Gjerman apo një diplomat të BE-së që ka të bëjë me rekomandimet e mbështetura nga Kombet e Bashkuara, të cilat diplomat të këtij niveli i mbështesin 100 për qind. Në vend të kësaj, ai tha për të përditshmen angleze “The Independent”, më 18 shtator 2007 se “Unë do ta lija të hapur pavarësinë. Unë më parë do të flisja për një status të fort dhe të mbikëqyrur... Emërtimi (pavarësi) nuk ka asnjë vlerë. Ku do të marrin (Kosovarët) të ardhurat e tyre? Ata do të vazhdojnë të kërkojnë ndihmën e të huajve.” Ai në vend të kësaj ka bërë thirrje për një “zgjidhje të paspecifikuar të statusit që do të ofrojë një status të mbikëqyrur në formë ndërkombëtare për Kosovën”. Implikimet ishin se Kosovarët duhet të bëjnë atë që dëshiron Brukseli, sepse Brukseli dëshiron të kontrolloj kuletat e tyre.
Propozimi i ri i Ischingerit
Me këto kujtime të Ischinger, unë nuk isha i lumtur kur pashë që javën e kaluar ai shkroi një artikull të ri rreth Ballkanit, së bashku me një koleg më të ri të tij të quajtur Oliver Rolofs. Artikulli, i titulluar “Tani është hapi i BE-së” ishte botuar në gazetën me ndikim “Franfurter Allgemeine Zeitung” më 26 korrik. Përmbante disa ide të mira, por unë nuk jam plotësisht i bindur se Ischinger ka hequr dorë nga disa politika të këqija që dikur i aplikonte.
Pika e parë që ia vë në theksim në artikullin e tij më të fundit është se bota duket ndryshe pas vendimit të GJND-së dhe se elita politike Serbe duhet të pranojë këtë realitet. Ischinger dhe Rolofs shkruajnë se Tadiç e di se ai ka qenë duke përgatitur lëvizjet e tija të radhës për një kohë të gjatë.
Tadiç e di gjithashtu rezultatin e një votimi publik të bërë së fundi në Serbi, ku shumica e Serbëve votuan se Beogradi duhet të njoh Kosovën. Ischinger dhe Rolofs përfundojnë duke thënë se edhe Tadiçi e edhe shumica e Serbëve nuk janë duke menduar më në kategori nacionale.
Dy gjermanët argumentojnë se BE-ja tani duhet të zhvillojë një politikë të unifikuar mbi Kosovën, në të cilën 22 shtetet që njohin Kosovën të vendosin pikëpamjet e tyre në ato 5 shtete që nuk e njohin. Ata dy gjithashtu dëshirojnë “lidership të pastër nga ana BE-së”. Prapë nuk e kam të qartë nëse kjo do të thotë sërish që SHBA të qëndrojë jashtë Ballkanit, pavarësisht asaj çfarë mendojnë njerëzit pavarësisht asaj çfarë mendojnë njerëzit në Ballkan, ose pavarësisht asaj nëse kjo është një lutje dëshpëruese për BE-në që më në fund të kuptojë një sukses të politikës të saj të jashtme në atë rajon.
Duke u kthyer në detaje, Ischinger duket tani të ketë hedhur poshtë çfarëdo ide për ndarje. Në vend të kësaj, ai kërkon veprime praktike që do t’i lejojnë Serbët e veriut të Ibrit të zhvillojnë “lidhjet e tyre historike dhe emocionale me Serbinë” pa vë në diskutim kufijtë apo integritetin territorial të Kosovës. Dy gjermanët sugjerojnë si një model për Beogradin dhe Prishtinën, të ngjashëm me atë të vitit 1972 mes Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore, që i ka lejuar dy shtetet Gjermane të bashkëpunojnë në çështje praktike pa diskutuar me probleme më fundamentale politike, së paku deri në atë pikë.
Ischinger dhe Rolofs besojnë se Kosova duhet të pranojë mbikëqyrjen ndërkombëtare të vendeve kulturore serbe në territorin e saj, ndërsa Serbia duhet të pranojë si të vlefshme vulën doganore që aplikohet mbi mallrat nga zyrtarët e Kosovës. Dy gjermanët i bëjnë thirrje Serbisë që të zgjerojë të njëjtat raporte të pajtimit tek Prishtina ashtu siç ka shfaqur në Lubjanë, Zagreb dhe Sarajevë.
Si pjesë të tentimeve të tija për të sjellë së bashku të gjithë anëtarët e BE-së rreth një politike të përbashkët, Ischinger dhe Rolofs bëjnë thirrje për një pako gjithëpërfshirëse që do të merret me të gjitha problemet e mëdha në Ballkan. Diçka si kjo është një program shumë ambicioz që do të kërkonte edhe përfundimin e mosmarrëveshjeve maqedono-greke rreth emrit Maqedoni, pastaj promovimin e reformave kushtetuese në Bosnje dhe sjelljen e Kosovës në kornizat e udhëtimit pa viza. Siç thonë këta dy burra: “liria e udhëtimit do të stabilizojë të gjithë rajonin”.
Ne të gjithë mund të pajtohemi me deklaratën e fundit. Çfarë unë nuk jam i sigurt, megjithatë, është nëse ky program është real. Greqia deri më tani ka përdorur veton e saj mbi Kosovën dhe Maqedoninë dhe deri më sot nuk ka treguar asnjë shenjë të ndryshimit, edhe pse ajo gjithnjë është e varur nga mbështetja financiare e shteteve të pasura që janë pjesë e euros. Të dy gjermanët kanë vërejtur se BE-ja po përdor të gjitha mënyrat për të ndikuar në politikat e vendeve të Ballkanit, por ata nuk e kanë bërë të çart se si planifikojnë për shembull ta bëjnë Milorad Dodik-un më të arsyeshëm.
Afër fundit të artikullit, Ishcinger dhe Rolofs diskutuan një pikë shumë të rëndësishme, përkatësisht atë që Serbia nuk mund të presë t’i bashkohet BE-së gjersa të arrijë normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën. Ambasadorët francezë, gjermanë dhe britanikë në Beograd e bënë këtë me dije në fillim të këtij viti, dhe është mirë që Ischinger po e vë në theksim sërish këtë gjë. Në fakt, ai dhe Rolofs argumentojnë se BE-ja tani po kupton.
Ai e di se ka bërë një gabim të madh duke lejuar që shteti i Qipros greke t’i bashkohet BE-së para se të normalizojë marrëdhëniet me fqinjët e saj Turq, dhe se BE-ja nuk ka asnjë qëllim të përsëris këtë gabim. Të dy ata shkruajnë: Nuk do të ketë pranim (në BE) për sa kohë që çështjet territoriale ose të statusit nuk zgjidhen! Dhe Presidenti Tadiç e di këtë.” Dhe le të shpresojmë se Ischinger dhe Rolofs kanë të drejtë në këtë pikë.
(Z. Moore është analist politik amerikan me mbi 35 vjet përvojë në gazetari. Ai rregullisht bashkëpunon me “Infopress”)
Vendose në:
|
|
E premte, 30 Korrik 2010 17:39 |
|
Ilir Gashi
Pas GJND-së, Kosova ka garantuar perspektiven e saj si shtet i së Drejtës Ndërkombëtare, i legjitimuar nga organi legjitim i OKB-së, GJND. Organ ky i autorizuar për të shqyrtuar si të ligjshme apo të paligjshme Pavarësinë e Kosovës, përderisa OKB, ka dilema ligjore. Ky organ Kosovën e bëri shtet me të drejtat e saja ndërkombëtare, duke hapur rrugë për njohje të reja, pasi legjitimoi të drejtën e saj për shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Pas kësaj, Kosova ka edhe një sfidë të radhës, e cila ka emrin “sfida diplomatike. Edhe kjo nuk do jetë e lehtë, sepse Serbia po gjen mbështetje pavarësisht GJND-së. Serbia ka para vetes një plan 3 pikësh, i cili dy pikat e para janë presion për realizimin e pikës së tretë, gjë që edhe një pjesë e faktorit ndërkombëtar ka gjasë të bëjë presion tek faktori vendor që të pranohet në emër të kompromisit ndërkombëtar për Kosovën, dhe pranimin e saj në OKB. Kosova, ka fuqinë ligjore që mos të lejojë statuse speciale apo autonomi krahinore në territorin e saj, sepse GJND i ka dhënë këtë të drejtë. Kosova do të bënte gabim nëse do të lejonte të diskutohet Plani i Beogradit, dhe dalja nga Pakoja e Ahtisarit. Vizitat e diplomatëve perëndimorë, dhe të përfaqësueseve politikë të institucioneve dhe shteteve të ndryshme perëndimore, pa dyshim se do të vërë në pah një agjendë e cila krijon përshtypje për një lëvizje të mundshme të Beogradit në drejtim të Kosovës, gjegjësisht Veriut të saj pas GJND-së.
Nëse analizojmë mirë deklaratat, prononcimet dhe qasjen e politikëbërjes perëndimore, gjegjësisht asaj evropiane, pa mëdyshje vijmë në konkludim se Beogradi është duke hartuar një plan, i cili është përcjellur në qarqet e ndryshme perëndimore. Ky plan i bisedimeve nga Beogradi, sipas shumë burimeve dhe analizave, do të përmbajë 3 pika, që esencialisht secila do të dëmtonte integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Këtë plan si tërësi e kam pasqyruar, të botuar më 3.2.2010.
Pika 1. Beogradi, që nga viti 1999, mbështet pa rezervë, financiarisht dhe politikisht strukturat paralele. Kjo pikë përmban vazhdimin e projektit të financimit të strukturave paralele, që pastaj do të detyronin institucionet e Kosovës në një të ardhme të marrin masa të veprimit aktiv për shuarjen e strukturave, i cili veprim do të determinonte kërcënimin serioz për një konflikt, që qëllim do të jetë ndarja. Kjo do të merrte shumë kohë, dhe kjo kohë do t’i kushtonte Kosovës shumë energji, (e papranuar nga faktori ndërkombëtar). Pika 2. Beogradi, përmes strukturave paralele do të tërheqë një vijë ndarëse administrative, vijë kjo faktike që nga viti 1999, siç është vija e Lumit dhe Ura e Ibrit, duke e cilësuar Veriun si një rast i veçantë, që do të merret si shembull i ndarjes Ura e Mostarit. Michael Sells, Mostarin e konsideron rindërtimin e saj një triumf të shpirtit njerëzor: “Në shumë kuptime, është një fitore e madhe për të gjithë ata që nuk pranuan të largoheshin, që nuk lejuan t’u shkatërroheshin ëndrrat. Për shumë njerëz është një triumf i ëmbël, por edhe i hidhur, sepse ura është përsëri aty, por duhet ende shumë punë që të rindërtohet plotësisht. Ura sociale. Ajo simbolizonte Bosnjën, aty ku kryqëzoheshin botët e krishterimit, hebraizmi dhe myslimanizmit”, thotë ai. Tendenca për një urë të tillë, do të ishte një ndarje faktike, dhe ky do të ishte kushti që Serbia të njohë Pavarësinë e Kosovës, duke e marrë veriun dhe duke u integruar në struktura evropiane, (faktori ndërkombëtar i ndarë). Pika 3. Kjo, ka mbështetjen e shumë faktorëve relevantë ndërkombëtarë, që mund të jetë kompromis në mes atyre që na kanë njohur dhe atyre që nuk na kanë njohur. Përmbajtja e saj është që të kemi edhe një rund bisedimesh të ashtuquajtura teknike, të cilat bisedime do të dilnin përtej Pakos së Presidentit Ahtisari. Dihet mirë se dalja nga Pakoja në Veriun e Kosovës, do të prodhonte një efekt zinxhiror, për dalje nga Pakoja edhe në pjesët tjera të Kosovës. Kjo pikë me bisedime teknike dhe arritjen e një marrëveshje përtej Pakos, do ta bënte Veriun një autonomi (krahinë) serbe, brenda kufijve të Kosovës. Kjo, do të mundësonte njohjen e Kosovës nga Serbia, dhe një pjesë e faktorit ndërkombëtar. Ky, pra parashihet të jetë plani i Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj Veriut, nëse Plani i Qeverisë nuk vihet sa më parë në zbatim. Faktorët relevantë ndërkombëtarë, kanë filluar edhe matjen e pulsit për shkëmbim territoresh në mes veriut të Kosovës, me Kosovën Lindore, e cila gjendet brenda territorit të Serbisë. Paradoksi është këtu: Nëse faktori ndërkombëtar e konsideron të zgjidhur statusin, dhe bisedimet kanë të bëjnë në mes dy shteteve, atëherë, Kosova ka kërkesën e saj: Nëse bëhet presion për autonomi për Veriun, atëherë kjo mund të shkëmbehet për autonominë për tërë pjesën Lindore të Kosovës brenda territorit të Serbisë: Preshevë, Bujanoc, Medvexhë. Por, edhe kjo është një lojë e rrezikshme që do të prodhonte efektin domino. Mendoj se gjithë kjo është presion mbi Pakon. Kjo lojë ndërkombëtare, po e quaj të tillë, sepse qëndrimi ndaj Serbisë, i Komisionit Evropian dhe i BE-së si tërësi, duke mos vërë asnjë kusht në shkëmbim të stabilitetit të Kosovës, është i padrejtë dhe i qëllimshëm, që do na sjellë para një situate 3 piksh që do të vijë nga Beogradi. Një gjë duhet ditur, çdo autonomi apo status special, nënkupton ndarje politike sot, dhe ndarje juridike nesër. Dikush mund të thotë jo, por kjo do jetë e pashmangshme nesër, nëse mendohet për autonomi sot. Çdo autonomi për Veriun, nënkupton lëvizje kufijsh në Ballkan. Bashkimi evropian dhe faktorët e mundshëm relevant, do të duhej që bazë për të gjitha çështjet teknike dhe etnike të jetë Pakoja e Ahtisarit, në të kundërtën, dalja nga kjo në Veri, do të thotë, dalje nga kjo edhe në Jug, Lindje dhe Perëndim.
Vendose në:
|
|
E enjte, 29 Korrik 2010 20:15 |
|
Radomir Dimiq
Vetëm Serbia ka besuar në çudinë e Hagës. Në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që do të merrej në interes të Serbisë dhe që këshilla e gjyqtarëve të Hagës do të shndërrohej në fitore të madhe serbe. Gati dy vite, Serbia, të gjitha adutet e saja i ka vënë në këtë çështje.
Nga televizionet nuk janë shmangur Jeremiqi dhe Tadiqi. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë ka fluturuar në të gjitha anët e botës.
Asnjë homolog i tij nuk ka vizituar aq botën si Jeremiqi. Ka bindur, lutur shtete të vogla e të mëdha që ta prisnin opinionin e GJND-së para se ta shqyrtonin vendimin e pranimit të pavarësisë së Kosovës.
Ka besuar Vuku që drejtësia është në anën serbe. Që Kosova është shtet ilegal, që Deklarata e pavarësisë së Kosovës është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Që bëhet fjalë për ndarje, “separatistë të pafrenueshëm të Kosovës”. Politika e re jokonvencionale serbe me të gjithë fuqinë ka arritur të bindë shumë burrështetas dhe shefa qeverish ta shtyjnë pranimin e Kosovës deri në vendimin e GJND-së.
Nga 69 vendet e botës që deri më tani kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, vetëm Kostarika pati paralajmëruar mundësinë e revidimit të qëndrimit të saj nëse vendimi i GJND-së do të ishte në anën e pyetjes serbe. Serbia ishte e bindur në fitoren e saj. Vetëm disa ditë para shpalljes së opinionit, në Serbi, si në Botërorin e fundit të futbollit, është manifestuar eufori e paparë fitoreje.
Gati në të gjitha mediat e shkruara dhe ato elektronike serbe, paralajmërohej opinion i kënaqshëm i gjykatës. Disa “burime të mirinformuara” serbe ofronin të dhëna se vetëm disa ditë para vendimit të Gjykatës, rezultati i votimit ishte 8:7 në anën e Serbisë. Vetëm një ditë, para bërjes publike të opinionit, Serbia ende ndodhej në lojë, pasi “kishte në dorë” rezultatin e votimit të gjyqtarëve 7:7. Të gjithë politikanë serbë dhe i gjithë pushteti gëzoheshin dhe falënderonin politikën “brilante” të diplomacisë serbe.
Pritjet e mëdha serbe, megjithatë nuk ndodhën. Nuk ndodhi çudia e Hagës në të cilën besonte Serbia zyrtare. Të enjten, më 22 korrik – Serbia ka marrë një shuplakë të madhe. Përjetoi edhe një humbje, të cilën, paraprakisht e pretendonte si fitore.
Për dy vite, kreu shtetëror ka marrë para nga gojët e qytetarëve të saj të varfër, të cilat i ka harxhuar për Hagën e madhe. Jo, por në politikën e saj të gabuar, në qëndrimet e saja politike kokëforta. Jashtë çdo logjike, Serbia dhe liderët e saj politikë shtyhen me më të fortit, masin forcat me SHBA-të.
Deklaronin se do të fitojnë në Hagë, derisa e dinin që më parë që ajo nuk do t’u kalonte që në kundërshtim të tyre t’i kenë ata të cilët nuk e kanë të nevojshme ta shohin të drejtën ndërkombëtare ashtu si e shohin juristët “e shkëlqyer” të Serbisë. Dhe çka tani?! A mundet kjo Serbi të pajtohet me faktin që më 22 korrik përfundimisht ka humbur Kosovën? T’ia pohojë popullit të vetë që për dy vite, pushteti ka harxhuar kot para dhe ka gënjyer që “çudia serbe” do të ndodhë në Hagë.
Ta pranojë humbjen dhe ta pranojë realitetin, që pas goditjes së Hagës të këndellet. Sipas të gjitha gjasave jo. Pas betejës së humbur të Hagës, Serbia edhe më do të rrëshqasë në dështime. Kosova edhe më do të ketë më shumë prioritet se jeta e qytetarëve të thjeshtë të Serbisë. Vetëm që jeta e elitës politike serbe do të jetë mbi Kosovën, kështu që me kërkesë të tyre, agonia e Kosovës edhe më do të vazhdojë.
Me Kosovën si temë, ende do të ruhet dhe fitohet pushteti në Serbi. Me të ashtuquajturën strategji politike për Kosovën, po përgatitet tema e re parazgjedhore. Për këtë pushteti serb nuk dorëzohet dhe nuk do ta pranojë që në Hagë ka humbur betejën e saj të fundit.
Jo. Serbia nuk dorëzohet, edhe pse përpara ka ditë të rënda për serbët. Udhëheqësia politike e Serbisë përgatitet për luftë të re të tipit, vetë kundër të gjithëve. Edhe një çudi e madhe. Serbët kanë vendosur ta bëhen bashkë në luftën për ruajtje të sovranitetit të humbur mbi Kosovën. Mendim i përbashkët serb është që vendimi i GJND-së është i njëanshëm, i padrejtë dhe politik.
Pra, rezoni tipik serb ka vënë në pah që është në pyetje tradhtia ndërkombëtare, edhe pse gjyqtarët me votat 10:4, kanë vlerësuar që nuk janë shkelur normat e të drejtës ndërkombëtare. Disa politikanë serbë janë të hidhëruar me këtë përfundim. Askush nuk do ta shikojë të vërtetën në sy. Zotërinj politikanë serbë, a nuk jeni ju autorë të pyetjes, të cilën nëpërmjet sekretarit gjeneral të OKB-së ia kenë dërguar të njëjtës gjykatë?
Apo nuk keni thënë ju që opinioni i kësaj gjykate do të jetë një udhërrëfyes për gjithë botën dhe që besonit në këtë gjykatë? Prej nga tani ky hidhërim? Nëse e keni ditur që gjyqtarët do të jenë të anshëm, pse atëherë i jeni drejtuar asaj? Apo me këtë mënyrë keni dashur që edhe vetë të çliroheshit nga Kosova, duke i lënë fajin, sërish dikujt tjetër.
Nuk patët guxim ta pranonit realitetin në Kosovë, ta pranoni që më ajo nuk është serbe. Nuk guxuat, sepse frikoheni se do ta humbi pushtetin, që votuesit tuaj, për shkak të humbjes së Kosovës, më nuk do t’ju votojnë.
Është i sigurt Vuk Jeremiq që edhe më mund t’i mbrojë pozicionet kundërshtuese të Serbisë, sa i përket shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Këtu diçka nuk është në rregull kur politikanë serbë betohen se kurrë nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe se nuk do të ndalen para asnjë kërcënimi, vërejtjeje dhe as ndaj atyre të BE-së.
Edhe pse shumë herë është bërë e ditur që Kosova është rast i veçantë, si pagim i llogarisë së politikës fatale të Millosheviqit, Serbia edhe më është e bindur se mund ta shpëtojë Kosovën me rezolutën për bisedime, të cilën do ta propozojë para OKB-së. Për mbrojtje të këtillë dhe edhe për një humbje tjetër të Serbisë, është përcaktuar edhe Kuvendi i Serbisë, i cili ka mbështetur kursin e politikës së jashtme të Boris Tadiqit dhe Vuk Jeremiqit, të formuluar me sintagmën “Edhe Kosovën, edhe BE-në”.
Në lojë është edhe oferta jozyrtare e Brukselit, që rezoluta të shkruhet në tandem, në të cilën nuk do të përmendej statusi, çka Beogradit, aspak nuk i pëlqen. Kundërshtimi i Brukselit, aspak nuk do të ishte i këndshëm, pasi kundër do të kishin 22 votat e BE-së. Marrë parasysh të gjitha, Serbia është para vuajtjeve të mëdha, pasi thjesht nuk ka fuqi të parandalojë valën e re të dhjetëra shteteve, të cilat me rënien e perdeve të Hagës, do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Nga 192 shtete, anëtare të OKB-së, 2/3 e tyre, Kosovës i janë të nevojshme ta pranojnë pavarësinë, që eventualisht t’i sigurohej ulëse në OKB. Prishtinës dhe aleatëve të saj për diçka të këtillë, dyert u janë hapur. Kosovën, sipas të gjitha gjasave do ta pranojnë ish-kolonitë e Britanisë, Amerika qendrore dhe shtete të Ligës arabe. Me barrën e krizës së saj të madhe ekonomike, mund t’i bie pishman refuzimit të deritanishëm edhe miku i vjetër serb – Greqia.
Gjithsesi Serbia ka fituar atë që ka kërkuar duke i bërë qejfin vetit se rezoluta 1244 mbron sovranitetin dhe integritetin e saj. Për të gjitha këto që kanë ndodhur, Serbia kruan kokën, por vazhdon me të vjetrën – të merakoset për shqetësimet e botës.
Serbia e ka humbur Kosovën, e cila nuk është Kataloni dhe Andaluzi ose ndonjëfarë Shqipërie e jugut, Korsikë, Irlandë e veriut, Sicili, Sardini, Kosovë e veriut, Herceg – Bosna apo si shumë territore tjera për të cilat Serbia tërheq vërejtjen. Ajo më mirë do të bënte sikur të merrej me shqetësimet e saja.
Nuk duhet harruar që shqiptarët për çështjen e tyre kanë luftuar 120 vjet, nga viti 1887. Për këtë, vetëm Bashkimi Evropian mund të jetë pikë kompromisi i serbëve dhe shqiptarëve. Gjithçka tjetër është vazhdim i agonisë serbe, ndërsa llogarinë e paguajnë qytetarët e pafajshëm, të cilët në këtë rast kanë treguar pjekuri më të madhe politike nga politikanët e tyre. Ndërmjet jetës dhe mitit, këta janë për jetën.
Vendose në:
|
|
|