Çka tash, Herr Vestervelle?
E mërkurë, 01 Shtator 2010 23:40

Patrick Moore

 

Javën e kaluar, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, e bëri një vizitë zyrtare në Kroaci, Serbi dhe Kosovë. Ai i tha disa gjëra të rëndësishme nga perspektiva e Serbisë dhe Kosovës, në veçanti. Tash mbetet, që Vestervelle të tregojë se ai do të jetë edhe njeri i aksionit, e jo vetëm i fjalëve.
Ministri gjerman e bëri të qartë në Beograd, se pavarësia e Kosovës është realitet dhe se është koha që Serbia t’i ndalë lojërat dhe ta pranojë realitetin. Ai i përdori fjalët si “kompromis”, “pajtim” dhe “realitet”, duke u shprehur se qeveria në Beograd, duhet të tregojë fleksibilitet në pozicionet e saj, nëse dëshiron t’i bashkohet BE-së.
Kjo e përforcon mesazhin e qartë që Serbia e ka marrë nga Brukseli dhe Berlini, pas disfatës totale në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 22 korrik, se çështja e Kosovës është zgjidhur dhe se Beogradi duhet ta pranojë se pavarësia e Kosovës është fakt.
Vestervelle, po ashtu, paraqiti një qëndrim të përbashkët në qarqet e politikës së jashtme gjermane, se vendet e Ballkanit janë protektorate të Bashkimit Evropian dhe se çështjet e Ballkanit duhet të shqyrtohen në Bruksel dhe jo diku tjetër. Ai ishte specifikisht i shqetësuar me planet e Serbisë për paraqitjen e propozim rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në muajin shtator.
Vestervelle në mënyrë të pagabueshme tha se “ajo që na prek ne në Evropë, duhet të shqyrtohet, para së gjithash, në Bruksel dhe jo në Nju-Jork”. Ai më vonë u tha mediave gjermane se secili vend, që përpiqet ta hapë (ose rihapë) çështjen e statusit, “nuk është i gatshëm për anëtarësim në BE”.
Ministri gjerman, po ashtu, u tha mikpritësve të tij serbë, se ata duhet të ndërmarrin hapa për problemet, me të cilat ballafaqohen investuesit perëndimorë në Serbi.
Kjo ndërhyrje ishte rezultat i zbulimeve publike të Bodo Hombachut, nga grupi medial WAZ, për bashkëpunimin e afërt ndërmjet politikanëve të Beogradit dhe oligarkëve të korruptuar e të fuqishëm serbë, që e kontrollojnë tregun e Serbisë, për të mirën e këtyre oligarkëve dhe në disavatazh të investitorëve të jashtëm dhe të konsumatorëve serbë.
Këta oligarkë, kanë bërë para nën Sllobodan Millosheviqin dhe kanë vazhduar ta mbajnë fuqinë reale në Serbi, pavarësisht se kush është president apo kryeministër. Është e rëndësishme që Vestervelle e ka trajtuar këtë çështje, pasi kjo tregon se më të jashtmit nuk mund të mashtrohen nga pretendimet serbe se rënia e Sllobodan Millosheviqit, tërësisht e ka ndryshuar politikën e Serbisë.
Pas largimit nga Beogradi, Vestervelle, në Prishtinë tha se ka ardhur koha që të gjithë anëtarët e BE-së ta njohin Kosovën. Ky ishte mesazh i qartë për pesë mbështetësit e Beogradit në BE, për ta ndalur krijimin e problemeve dhe t’u bashkohen 22 anëtarëve të tjerë në njohjen e shtetit të ri të pavarur.

Aksionet flasin më zëshëm se fjalët

Këto të gjitha janë fjalë shumë të mira. Tash mbetet të shihet se çka do të bëjnë Berlini dhe Herr Vestervelle. Pikë e rëndësishme është se në BE asgjë nuk bëhet pa miratimin e Gjermanisë dhe të Francës. Thënë ndryshe, asgjë që kundërshtohet nga Gjermania dhe Franca, nuk ndodhë në BE.
Pra, Vestervelle dhe kolegu i tij francez, Bernard Kushner, duhet të jenë të ashpër me Serbinë, duke e bërë të qartë edhe me aksione sikur me fjalë, se Beogradi nuk do të bëhet anëtar i BE-së, pa i zgjidhur dallimet me Kosovën.
Vitin e kaluar BE-ja në mënyrë të papjekur u dha të drejtë qytetarëve të Serbisë për të udhëtuar pa viza, para se Brukseli këtë të drejtë t’u jepte viktimave të Serbisë në Kosovë dhe në Bosnjë. Tash është koha që Brukseli, Berlini dhe Parisi, t’i thonë Serbisë se më nuk do të ketë trajtim special.
Prej takimit me Vestervellen, Boris Tadiq nuk ka treguar se ai ka mësuar ndonjë gjë nga kjo vizitë. Ai ende ka qëllim që me propozim rezolutën e tij të marrë qëndrim konfrontues në Nju-Jork. Tadiq flet për “kompromis”. Por Serbia, që ka pësuar disfatë para GJND-së, nuk mundet më të zhvillojë negociata për “kompromise”, ose çdo gjë tjetër, që i përket sovranitetit të Kosovës.
Përfundimisht, Vestervelle dhe Kushner duhet ta shfrytëzojnë forcën e tyre në Bruksel, për ta thyer bllokun obstruksionist të pesë vendeve që e mbështesin Beogradin, dhe rrjedhimisht, të krijojnë kushte që BE-ja të ketë një politikë të jashtme unike, që është shumë e rëndësishme për klasën politike në Berlin dhe Paris.
Spanja dhe Greqia, veçanërisht, janë në pozitë shumë të dobët, për shkak të krizës me euron. Është koha që Vestervelle dhe Kushner ta bëjnë që qartë tek ata, se duhet ta ndalin bllokimin e politikës unike të BE-së ndaj Kosovës.


(Patrick Moore ka shkruar për çështjet ballkanike për afro 30 vjet. Ai ishte analist për Ballkanin në Radion Evropa e Lirë prej vitit 1977, e deri në vitin 2008). /rel/

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
Edhe sllavomaqedonasit (bullgarët) duhet të mësojnë gjuhën shqipe
E hanë, 30 Gusht 2010 20:01

Faik Krasniqi

 

Arsim i integruar për mjediset e përziera shumë etnike nënkupton që edhe sllavomaqedonasit (bullgarët) të mësojnë gjuhën shqipe me qëllim integrimi në shoqëri etj. Kështu veprohet në vendet perëndimore, ku popullsia është e përzier etnikisht, dhe ky ka qenë propozimi i ndërkombëtarëve edhe për I. R. J. M. (Maqedonia), por përfaqësuesit e VMRO-së shpejtuan menjëherë që këtë propozim të tyre ta shndërrojnë në vendim Qeverie për mësimin e gjuhës sllavomaqedonase (bullgare) që nga klasa e para për fëmijët shqiptarë, duke anashkaluar reciprocitetin, respektivisht se edhe ata duhet të mësojnë gjuhën shqipe në mjediset e përziera, ndërsa partia shqiptare në Qeveri, BDI-ja, ka dhënë aminin dhe është bërë pjesë e gjithë kësaj krahiture për shqiptarët. Gjuhën shqipe duhet ta dijë edhe Kryeministri, ministrat dhe përfaqësuesit e institucioneve kryesore në vend, sepse ky është shtet multietnik (nëse mund ta quajmë të tillë), dhe shqiptarët përbëjnë një pjesë (mbi dyzet për qind) shumë të madhe të popullsisë së përgjithshme të I. R. J. M. (Maqedonisë), andaj logjikisht dhe krejt humane është të dinë të flasin edhe në shqip. Unë nuk mund të paramendoj që në Kuebek të Kanadasë, përfaqësuesit politikë të mos i dinë të dy gjuhët zyrtare edhe gjuhën angleze edhe franceze, apo në Belgjikë, ku të dy gjuhët janë zyrtare edhe ajo franceze edhe holandeze, por edhe gjermane edhe pse gjermanët përbëjnë një pakicë në raport me francezët dhe holandezët. Brukseli p.sh. është zonë ku të dy gjuhët janë zyrtare edhe pse shumicën e popullatës së Brukselit e përbëjnë franko-folësit. Kjo vlen edhe për Zvicrën, (ku janë tre gjuhë zyrtare) dhe shumë vende të tjera. Por, gjithë këto ndryshime dhe kompromise bëhen me vullnet të mirë dhe të ndërsjellët, në formë reciproke, e jo me imponime siç tenton Qeveria aktuale VMRO-BDI. Nëse atyre u pengon gjuha shqipe (që shihet se u pengon në masë të madhe), atëherë logjikisht dhuna prodhon dhunë, andaj shqiptarët do të duhet jo ta mësojnë gjuhën e tyre nga klasa e parë, por fare mos ta mësojnë, t'i bojkotojnë në të gjitha nivelet, dhe nëse tekstet shkollore të historisë janë një kompromis i kohës, ku për historinë shqiptare mësohet diku pesë për qind nga të gjitha leksionet, ndërsa pjesa tjetër për gjithë të tjerët, do të ishte mirë që nxënësit shqiptarë, pjesën më të madhe të leksioneve t'i mësojnë vetëm për historinë (shqiptare) nacionale dhe më pak nga ajo botërore. Për mendimin tim mirë do të ishte që planprogramet nga gjuha amtare dhe historia, shqiptarët t'i kenë të njëjta me ata të Kosovës dhe Shqipërisë, një planprogram unik për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. E vërteta është se Kosova e ka unifikuar planprogramin me atë të Shqipërisë, jo vetëm sa i përket gjuhës amtare dhe historisë, por edhe në shumë fusha të tjera. Por, në Maqedoni kjo nuk po ndodh vite me radhë, sepse sllavomaqedonasit (bullgarët) gjithmonë gjejnë ndonjë kuisling shqiptar pseudo-intelektual, ja shkruajnë emrin në ndonjë tekst të përkthyer në mënyrë katastrofale, i japin ca lekë dhe vazhdojnë dominimin e tyre edhe në sferën e arsimit. Andaj, edhe në vitin 2010 në tekstet e historisë p. sh. edhe nxënësit shqiptarë në Shipkovicë të Tetovës, Sllupcan të Kumanovës apo Zajas të Kërçovës do të vazhdojë të mësojnë për Dame Gruevin, Ilindenin, Jane Sandanskin dhe të tjerë, ndërkohë nxënësit sllavomaqedonas (bullgarë) as që duan të dëgjojnë për termin shqiptar e lëre më të mësojnë për historinë tonë dhe për figurat shqiptare. Paradoks.

(Autori është publicist i pavarur nga Prishtina)

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
Ribashkimi i Shqipërisë është natyral
E hanë, 09 Gusht 2010 22:34

Faik Krasniqi

 

Çështja e ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë është një zhvillim i domosdoshëm për të mirën e të dyja vendeve, në të mirën e Kosovës dhe të Shqipërisë. Po që se i shikojmë këto dy territore në aspektin e pavarur shtetëror, Kosova nuk i plotëson kushtet e të qenit shtet i pavarur ekonomikisht, dhe se përderisa do të ekzistojë si i tillë, gjithnjë do të jetë i ndikuar apo i detyruar që të bëjë koncesione ekonomive të shteteve fqinje dhe të jetë pjesa më e izoluar dhe më e pazhvilluar e Ballkanit, në krahasim me vendet tjera. Kësaj lirisht mund t'i shtohet edhe jostabiliteti politik, si dhe pavarësia e kushtëzuar, që akoma është në peshojat e fuqive të mëdha. Nga ana tjetër, Shqipëria do të vazhdojë me të njëjten tempo që kemi parë vetë në këto 20 vitet postkomuniste, ku jostabiliteti politik i përcjellë me korrupsion dhe keqpërdorime të mëdha, thellësisht do të vazhdojnë të dëmtojnë çfarëdo progresi ekonomik të saj, si dhe do të mbajë shkallën e varfërisë së popullit të saj në shkallën më të ulët në Evropë, krahas Kosovës, Bosnjës, Maqedonisë dhe Moldavisë. Një ribashkim, çoftë i plotë apo konfederal, në mes të Shqipërisë dhe Kosovës është jetik për të dyja këto, po që se synojnë të përmirësojnë gjendjen e mjerë politiko-ekonomike, me të cilën po ballafaqohen dhe do të vazhdojnë të ballafaqohen edhe në të ardhmen e largët, po që se nuk ribashkohen në një formë apo tjetrën. Sido që të jetë, në kuadër të kësaj çështjeje të ribashkimit të domosdoshëm politiko-ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ekziston edhe një dimension i po të njëjtit problem që s'duhet anashkaluar për asnjë çast, e ai është ribashkimi i popullit shqiptar, që në realitet është vetë shkaktari kryesor, sepse Kosova, si dhe Shqipëria, janë aq të dobëta dhe jostabile si shtete. Pra, vetë fakti historik që populli homogjen shqiptar dhe territoret e tij të banuara me shumicë shqiptare u ndanë në 6 shtete, tregon se si popull i ndarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni (Arbëri), Serbi (Kosova Lindore), Mal të zi (Malësi) dhe Çamëri nuk do të arrijmë kurrë një zhvillim të mirëfilltë kombëtar, pasi që vetë këta kufij artificialë të shoqëruar me konventat dhe ligjet ndërkombëtare e pengojnë një zhvillim të natyrshëm të tij me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë që i ka. Të mos harrojmë kurrë se po këta kufij që kalojnë përmes trungut të etnikumit shqiptar, qofshin ata kufiri Kosovë-Shqipëri apo Kosovë –Maqedoni (Arbëri), janë trashëgimi e po atyre kufijve që në vitet 1912-1913 ishin vendosur për asnjë qëllim tjetër, pos për të ndaluar dhe penguar popullin autokton shqiptar për t’u zhvilluar ashtu siç i takon, me të drejtën hyjnore që ia ka dhënë vetë Zoti.

 

(Autori është publicist i pavarur nga Prishtina)

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
Problemi më i madh i Serbisë
E mërkurë, 04 Gusht 2010 10:43

Patrick Moore

 

Disa media perëndimore kanë zbuluar së fundmi se shumë ekspertë mbi Ballkanin e kanë ditur tash e një kohë të gjatë se problemi i vërtetë i Serbisë nuk është Kosova, e madje as gjenerali Ratko Mlladiq.
Rreziku më i madh për Serbinë është kontrolli i ekonomisë, apo i fuqisë politike nga një grup “biznesmenësh” mafiozë. Paratë i kanë fituar në kohën e Sllobodan Millosheviqit dhe që prej atëherë janë pasuruar në vazhdimësi.
Këta “biznesmenë” kanë vendosur në vitin 2000 që Millosheviqi të mos mbetet më në pushtet. Siç duket, ata kanë bërë marrëveshje për formimin e yjeve të reja në politikën serbe, siç ishte për shembull Vojisllav Koshtunica dhe Zoran Gjingjiq.
Marrëveshja ishte që njerëzit e biznesit të jenë të lirë të ndjekin interesat e tyre të dyshimta, në këmbim me të hollat që ata do të ofrojnë për politikanët dhe partitë e tyre.
Në këtë kuadër, këta biznesmenë gjithashtu kanë blerë edhe ndikimin politik. Me shkarkimin e Millosheviqit në tetor të 2008-s, elementet korruptive dhe kriminale që mbështesnin regjimin e tij, nuk ishin të gatshme dhe të afta të vazhdonin ashtu siç kishin bërë më parë, pavarësisht se kush ishte njeriu që ishte ulur në zyrë.
Këta njerëz kanë ndarë tregjet mes vete dhe kanë mbajtur të tjerët, serbët dhe të huajt, larg kësaj skene. Në muajt e fundit, mediat serbe kanë publikuar disa shkrime për këta njerëz dhe perandoritë e tyre të biznesit, të cilat shpesh janë ndërtuar duke blerë ish-kompanitë apo tokat në pronësi të shtetit.
Këta biznesmenë kontrollojnë gjithçka, që prej qendrave tregtare e deri te tokat në portin e Beogradit, duke i shfrytëzuar të gjitha pamëshirshëm për përfitime personale.


Dy rrëfime

Fenomeni i biznesmenëve, megjithatë, nuk është aspak i ri. Ka kohë që kam shkruar se arsyeja e vetme pse politikanët serbë kanë bërë aq zhurmë për Kosovën ka të bëjë me tendencën për të zhvendosur vëmendjen e votuesve nga problemet reale të Serbisë.
Këto probleme janë krimi dhe korrupsioni, për çka këta biznesmenë janë shembulli më i rëndësishëm i ilustrimit.
Javën e kaluar, këta biznesmenë kanë tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve nëpërmjet dy lajmeve. I pari kishte të bënte me një raport në mediat gjermane, sipas të cilit Bogolub Kariq kishte fituar azil politik në Rusi.
Të rikujtojmë se dy qytetarët tjerë të Serbisë, të cilët gjithashtu gëzojnë “azilin politik” në parajsën e Putinit, janë Mira Markoviq dhe Marko Millosheviq, e veja dhe i biri i diktatorit tashmë të vdekur. Kjo dëshmon se cilin lloj të njerëzve Kremlini e konsideron “politikisht të persekutuar”.
Kariq dikur ishte një nga biznesmenët e fuqishëm, por ka thyer rregullin më kryesor. Nuk kënaqej vetëm duke blerë ndikimin politik, ai synonte një pushtet të vërtetë politik për vetveten.
Kësisoj, ai pati themeluar partinë e tij politike dhe fitoi 18 për qind të votave gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2004-ës. Partia e tij filloi të shënojë rritje në anketimet e opinionit dhe ai filloi të blejë deputetë të Kuvendit për t’iu bashkuar partisë së tij.
E gjithë kjo ishte një alarm për establishmentin politik. Befasisht, ata filluan të zbulojnë “parregullsitë” e biznesit të tij, në vitet e fundit. Ia morën bizneset, ia mbyllën televizionin dhe lëshuan një fletarrest kundër tij më 2006-n. Tani, ai shfaqet si një refugjat politik në Rusi.
Lajmi i dytë ka filluar të qarkullojë në javët e fundit dhe kulmoi më 2 gusht, kur perandoria mediale gjermane WAZ konfirmoi se largohet nga Ballkani.
Për një kohë të gjatë, ka pasur në pronësi të përditshmet në Bullgari dhe kudo tjetër, por përpjekjet për të blerë të përditshmen beogradase “Novosti”, kanë dështuar. Me fjalë të tjera, biznesmenët serbë dhe ata që marrin urdhra prej tyre, i kanë mbajtur gjermanët larg tregut të mbyllur serb.
WAZ dhe drejtori i saj, Bodo Hombach, janë biznesmenë të fuqishëm, por Hombach ka thënë më 2 gusht se, madje edhe për të, “ka abuzim të zgjeruar pushteti” në Ballkan.
Ai ka shtuar se Serbia “është rast i veçantë” për faktin se edhe qeveria madje ka ndihmuar që “WAZ të përndiqet nga vendi”. Hombach ka argumentuar se “lidhjet e ngushta midis oligarkëve dhe pushtetit politik janë duke e helmuar tregun”.
Hombach ka thënë se përvoja e WAZ-it në Serbi ka qenë një “rast sprove” për gatishmërinë e Serbisë karshi Bashkimit Evropian.
Ai është zotuar se do të dëshmojë në Komisionin Evropian për mënyrën se si janë bërë vërtet punët. Bosët në Beograd, ndërkaq, kanë qenë në gjendje ta mbajnë Hombachun larg tregut të Serbisë, por ai i njeh qendrat e pushtetit në Bruksel më mirë sesa që i njohin zotërinjtë në Serbi.  (rel)

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
Rindërtimi shpirtëror i shqiptarëve
E hanë, 02 Gusht 2010 23:08

Ndue Ukaj

 

1.

Kombi shqiptar tanimë jeton i lirë. Ai ka sendërtuar një pjesë të objektivave politikë, mirëpo është thellësisht i zhytur në një krizë të brendshme, krizë kjo që për shënjues ka degradimin e vlerave, apo një krizë vlerash që përcillet në gjitha aspektet e jetës kombëtare. Kjo krizë ka prekur gjitha segmentet e rëndësishme kombëtare dhe për pasojë ka krijuar një gjendje të rëndë, në të cilën ndjehet ankthshëm nevoja e rindërtimit shpirtëror të kombit shqiptar. Tronditjet e shumta që kemi përjetuar këto dy dekada të fundit si komb na kanë sjellë para një gjendjeje faktike, në të cilën mungojnë dilemat morale dhe përsiatjet intelektuale për fenomenet që përjetojmë.

2.

Shoqëria shqiptare nëpër shekuj e dekada ka përjetuar vetëm tmerre, mungesa të shumta e mbi të gjitha mungesë lirie. Ajo, në asnjë fazë nuk ka përjetuar lirinë e mirëfilltë, si premisë esenciale për formësime normale e të shëndosha. Mbase, ajo duke u rritur e formësuar në rrethana të jashtëzakonshme, të çrregullta, jo normale, tanimë kur gjendet para një etape të re ka brenda vetës kriza e probleme të shumëfishta, të cilat e pengojnë për t’u adaptuar dhe këndej pari pranuar normat dhe vlerat demokratike e standardet e pranuara si të mirëqena ndërkombëtarisht. Ajo nuk ka përjetuar lirinë, ajo nuk është formësuar në liri, përkundrazi, ajo është formësuar nën diktat e dhunë, nën reprezalje e mungesë lirie. Mungesa e lirisë, si komponent themelore për edukim e formësim normal të një shoqërie/kombi, ka bërë që shoqëria shqiptare e kudo ndodhur gjeografikisht, të ketë mungesa të shumta, të cilat vërehen në shumë pore të jetës. Dhe një ndër esencialet është mosaftësia për të ndërtuar sistem stabil të vlerave.

3.

Ka pasur një besim të tepruar se kapitulli i vuajtjeve dhe klithmave shqiptare do të marrë fund në këtë mileniumin e ri, në të cilin shqiptarët në tërësi kanë hyrë me ndryshme pozitive. Zaten, përkundër ndryshimeve të dukshme, gjendja reale në hapësirat shqiptare është e rëndë, me halle të shumëfishta dhe shpresa të pakta. Kosova akoma vazhdon të përpëlitet në rrugën e saj drejt konsolidimit si shtet, me një mal problemesh përpara dhe me mundësi të pakta. Pjesët tjera shqiptare, përkundër ndryshimeve pozitive, ndodhen në pozita aspak të dëshiruara. Ndërkohë që Shqipëria, vendi amë, po shënjon me një përkushtim të thellë përpjekjet e fundit për të përfunduar kapitullin e dhimbshëm të tranzicionit afro dy dekadash, por, prapëseprapë gjendet para sfidave të shumëfishta. Ajo vazhdon t’i vuajë pasojat e së shkuarës moniste dhe endet mes kësaj së shkuare dhe të ardhmes, pa mundur të përmbyllë lehtësisht kapitullin e stërzgjatur dhe të dhimbshëm të tranzicionit politik, ekonomik e kulturor.

4.

Po të analizojmë përgjithësisht pozicionin e kombit shqiptar sot, mund të konstatojmë se para tij ende gjenden sfida të rënda. Dhe nga kuptimi e tejkalimi racional i këtyre sfidave, varet shumë e tashmja, mbi të gjitha e ardhmja. Përkundër faktit se kombi shqiptar përjeton një liri të përgjithshme, shqiptarët kanë një të tashme të paqartë, të zymtë, të rënd, madje për shumicën, të pashpresë. Së këndejmi, sot, shtrohen shumë pyetje e kërkohen shumë përgjigje të mençura, të cilat do të ndihmonin për të tejkaluar këtë gjendje dhe për të transformuar atë drejt një të ardhme më të ndritur e më prosperuese. Ka një pajtueshmëri të plotë në debatet e shumta mediatike e intelektuale se e tashmja është e zymtë, përkundër zhvillimeve të prekshme pozitive. Mirëpo, gjithashtu ekziston një shpresë dhe bindje se e ardhmja është në anën e kombit shqiptar. Prandaj është koha dhe momenti që këtë rast duhet fituar. Dhe ky rast fitohet vetëm duke vënë në funksion vlerat e shëndosha dhe duke etabluar një sistem vlerash të dëshmuara. Andaj që të tejkalohet kjo, mbi të gjitha që të mund të evidencohen pengesat e së tashmes, duhet identifikuar gjitha plagët dhe pastaj ato duhet ekzaminuar, analizuar thuktë për të krijuar mundësi që këto sfida të tejkalohen. Kjo domethënë se duhet të prekim pikërisht plagën a plagët kryesore që ka sot shoqëria jonë, e të cilat kanë qenë dhe janë pengesa për të ecur më shpejt përpara. Në traditën e shkrimit shqip ka pasur shumë dijetar të periudhave të ndryshme që kanë identifikuar një korpus plagësh kombëtare, që shpeshherë janë konceptuar tek politika, ndarjet, feja, historia, etj. Gjitha këto kanë prodhuar një gjendje kaotike, në të cilën ka munguar dhe mungon një sistem i kategorizuar i vlerave dhe një vullnet për të punuar tok në rrugët e konsolidimit dhe sforcimit të substancës së kombit. Politikës shqiptare gjithmonë i kanë munguar vlerat e mirëfillta dhe njerëzit e duhur për të punuar në drejtim të mirave të përbashkëta. Pikërisht kjo ka bërë që politika shqiptare kudo, të jetë më e përçarë se normalisht, asnjëherë mos të ketë aftësi të përbashkohet si një trup i përbashkët në sendërtimin e objektivave kombëtare. Për të ndodhur në ndonjë moment unifikim, kjo zakonisht është dashur të bëhet me një trysni ndërkombëtare. Dhe pikërisht ky sindrom ka prodhuar aq shumë ndarje mes shqiptarëve, saqë sot është e vështirë të bisedohet për një politikë të mirëfilltë demokratike shqiptare dhe shtetëndërtuese. Po në këtë sens, kuptohen edhe klithmat e shumë dijetarëve shqiptarë ndër shekuj që bënin apel për unitet, në jetësimin dhe promovimin e idealeve dhe vlerave të përbashkëta. Në këtë kontekst, atë Anton Harapi thoshte se një komb i përçarë është i humbur. E gjitha kjo krizë ka një emërues, krizën morale. Charles de Montesquieu shkruante se: “Një shtet më shumë shkatërrohet nga humbja e moralit të qytetarëve se sa nga shkatërrimi ekonomik”. Është moment që të kuptohet drejt kjo referencë dhe të funksionalizohet brenda inteligjencies shqiptare, që kjo e fundit të mos jetë soditëse, por kreative.

5.

Një tjetër problematikë e theksuar e jetës shqiptare është çështja e mosgatishmërisë për të ndarë të mirën nga e keqja, vlerën nga antivlera. Këto dy probleme thelbore kanë prodhuar politikë oportuniste, egoizëm banal dhe korrupsion legal në gjitha instancat kombëtare. Kësisoj është penguar gjykimi kritik dhe vlerësimet reale. Dhe, për pasojë ka dominuar dhe dominon një opurtunizëm e paparë. Kjo traditë shkatërrimtare asnjëherë nuk ka arritur të shndërrohet në kulturë të bashkëpunimit. Kësisoj, prodhimi i së mirës dhe përcaktimi i së vërtetës ka munguar dhe po mungon çdo herë te ne. Ndërkaq në tranzicionin shqiptar, këto dukuri sabotuese kanë ngritur kokë edhe më shumë. Së këndejmi brenda jetës shqiptare është legjitimuar një formë primitive e të ushtruarit të pushtetit, e kulturës, ekonomisë etj. Dhe këndej pari tiparet themelore të kësaj krize kanë legjitimuar një shpirt korruptues, një prirje mburrvecërie e vetëlavdërimi ekstrem.   Përveç këtyre, një problem shumë kompleks shqiptar mbetet mosaftësia për të ndërtuar një sistemi vlerash të mirëfillta. Kjo mosaftësi a mosgatishmëri ka legjitimuar një politikë mediokre, një elitë që nuk është e aftë dhe e gatshme të ndërmarrë iniciativa dhe të japë alternativa, me një fjalë një inteligjenci oportuniste dhe soditëse. Kjo formë ka instaluar një politikë oportuniste, shërbyese, që bën jetë nën trysnitë e ndryshme që i vijnë nga faktorë të jashtëm e të brendshëm. Kjo për faktin se sistemi demokratik është ndërtuar dhe po ndërtohet mbi interesa parciale, sikundër janë lidhjet klanore, fisnore, fetare, politike. Ne i vuajmë pasojat e një mungese të sistemit të konsoliduar e hierarkizëm vlerash. Prandaj sot kemi një çherarkizim të tmerrshëm vlerash. Në mungesë të kësaj, kemi antipodin e vlerave, pseudovlerat, të cilat kanë ngulfatur jetën tonë në çdo aspekt. Brenda kombit shqiptar kemi një përmbysje vlerash dhe kulturash, ky domen shumë i rëndësishëm nacional është degraduar si është më keq. Kultura është shndërruar në një konglomerat të pafundmë, ku aleancat primitive funksionojnë shumë mirë dhe ku si antipod kemi një sorrogatllëk vlerash të çoroditura. Sorrogatëlleku i vlerave është pikërisht kjo aleancë jo parimore dhe aspak e shëndoshë, që ka zëvendësuar sistemin e vlerave reale dhe ka stopuar kyçjen e njerëzve të duhur në punë të rëndësishme të kombit.

6.

Gjithandej hapësirave shqiptare nuk le shumë për t’u ngazëllyer. Në të vërtetë ajo është e rëndë, edhe pse kombi shqiptar në përgjithësi mund të thuhet se është liruar nga të këqijat sistematike, nga regjimet, diktaturat, pushtimet, mungesa e lirisë. Por, edhe pas kaq viteve tranzicionesh të stërpërfolura, shumëçka ka mbetur pezull. Kultura dhe aspektet shpirtërore janë të degraduara, për të mos thënë shumë dimensione kulturore i janë nënshtruar një represioni të çoroditur në emër të pseudovlerave dhe një sorogatëlleku vlerash. Ky model kulture e politike ka ngulfatur jetën e mirëfilltë nacionale. Bisedohet shumë për deformime politike, për deformime ekonomike, për çorientime shoqërore e ideologjike, por më pak ose fare pak, për deformime shpirtërore, ky lloj i deformimeve që ka pasoja të paparashikuara për një komb. Ndaj këtij fenomeni reflektohet me ngathtësi, nuk debatohet, duke mos kuptuar se pikërisht ky soj deformimi është më i vështiri më degjeneruese, ngase të këqijat i shndërron në të mira, në kode të sjelljes dhe të komunikimit.
Është moment i duhur për të akumuluar gjitha potencialet kombëtare në rrugën e rikthimit në mesin e kombeve të civilizuara perëndimore. Në këtë rrugë përmes rindërtimit shpirtëror duhet të plotësojmë boshllëqet historike dhe aktuale

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
Vendimi i GJND-së dhe sfida e radhës
E premte, 30 Korrik 2010 17:40
Ferdi Kamberi

 

Vendimi i GJND-së në favor të Kosovës, edhe një herë ishte një element konstruktiv, por në anën tjetër ishte edhe një dëshmi e madhe se Kosova pavarësinë e saj ka shpallur në mënyrë të ligjshme, dhe në përputhje me rregullat e së drejtës ndërkombëtare. Kur dihet se në marrëdhëniet ndërkombëtare, shpeshherë merren për bazë faktet, madje ligjet nuk mund të jenë aq kryefort sa mos të merren specifikat e vendeve, në këtë rast Kosovës. Ky lajm ishte madje edhe “top lajmi” kryesor i shumë mediave botërore, që nga CNN-ni e deri tek Al-Jazzira, gjë që u dëshmua edhe njëherë procesi i legjitimitetit të shtetësisë së Kosovës si proces i drejt. Madje, ky lajm ngjalli edhe reagime të ndryshme në shumë vende të botës, sidomos në ato vende që njihen edhe si “konflikte të ngrira”, por që rasti i Kosovës për dallim nga këto raste është i njohur si rast “sui generis” apo “rast unik”. Normalisht që vendimi i GJND-së në plan të parë ishte nga lobimi i miqve të Kosovës, në radhë të parë SHBA-ve, pastaj aleatëve tjerë të cilët edhe ashtu (shumica nga ta) paraqiten opinionet e tyre para kësaj Gjykate se “Pse duhet Kosova të jetë e pavarur”. Ky opinion kishte një karakter politik të fuqishëm në favor të Kosovës, madje në një prononcim për media Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardh, Mike Hammer me rastin e vendimit të GJND-së thekson se “U gëzuam që gjykata u pajtua me qëndrimin e vjetër të SHBA-ve se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me ligjin ndërkombëtar”. Megjithatë, pati edhe deklarata të tjera nga shumë lider, politikan botëror të cilët shumica nga ta ishin optimist për mendimin e kësaj gjykate, madje disa nga ta theksuan se “ky është një mesazh për mbarë botën”. Kështu, që humbësi edhe njëherë dihej, Serbia shteti i cili nuk po mund të gjënë veten, edhe njëherë mundohej që nëpërmes mjeteve të ndryshme që ta instrumentalizoj edhe më tej çështjen e Kosovës, në këtë mënyrë që para opinionit të gjerë të del si “viktimë”, por ja që e vërteta ndryshe thekson, madje ky vendim i GJND-së ishte një “efekt bommerang” për vetë shtetin Serb. Andaj, edhe pse ky vendim apo mendim i Gjykatës mbi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në fakt është një mendim këshillëdhënës, normalisht që ka një ndikim social për Kosovën, por edhe për vetë ato shtete që kanë hezituar që ta njohin apo kanë qenë skeptike në këtë drejtim. Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare theksojnë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë tani do t’i kalohet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku pritet të zhvillohet një debat mbi Kosovën shtatorin tjetër.

 

Vendimi i GJND-së pro Kosovës, fillim i një kapitulli të ri njohjesh

 

Pavarësisht mendimit këshillëdhënës të gjykatës së Hagës mbi legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës, duhet thënë se Kosova ka triumfuar bindshëm me argumente dhe fakte juridike-politike, andaj krahas këtij triumfi duhet cekur se Kosova ka kaluar edhe skepticizmin e shumë shteteve të cilat ishin skeptike në këtë drejtim. Por, në anën tjetër një pjesë e shteteve kanë pritur këtë vendim apo siç njihet ndryshe edhe si mendim i GJND-së. Duhet thënë se politika si koncept që është, ajo është një veprimtari e gjerë, gjithashtu ajo ka rëniet dhe ngritjet e saj, dhe normalisht që palët në politikë kanë interesa të ndryshme që i lidhin njëra me tjetrën, të cilat po ashtu shquhen me norma të reciprocitetit. Për Kosovën, ky është një fillim apo një nisje e një kapitullit të ri njohjesh, sepse siç dihet shumë shtete kanë pritur mendimin e kësaj gjykate, madje një gjë të tillë e kanë pranuar edhe vetë udhëheqësia e Kosovës, si dhe faktori ndërkombëtar (kemi fjalën për ekspertët ndërkombëtar). Kështu, që tani më ecuria politike dhe juridike, por edhe faktike e Kosovës, do të jetë më ndryshe, pritet një valë e re njohjesh nga shumë shtete të fuqishme, madje sipas një informate thuhet që SHBA-ja po përgatit një valë të re njohjesh kolektive me mbi 40 njohje të reja, sidomos nga Amerika latine dhe Afrika. Andaj, në këtë drejtim edhe mekanizmat institucional të Kosovës, duhet bërë përpjekje të mëdha për ri-nisjen e një procesi për njohje të reja të Kosovës, si dhe përdorimin e të gjitha mjeteve që sidomos vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta zbusin qëndrimin e tyre karshi Kosovës.

 

Sfidat vazhdojnë...sfida e radhës...!?

 

Kosova, deri tani ka bërë mjaftë progres, nuk duhet anashkaluar mundin e askujt, madje edhe piloti shqiptar James Berisha ka kontribuar në këtë drejtim, gjë që është për t’u lavdëruar, sepse me të gjitha forcat duhet bërë përpjekje që të lobojmë sa më shumë drejt njohjeve të reja të Kosovës, si dhe përmbushjen e kritereve për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike. Megjithatë, problemet, sfidat, të cilat ballafaqohet shteti i Kosovës janë të shumtë, ato përfshijnë sfidat të brendshme dhe të jashtme. Në të parat përfshihen: luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, luftimi i nepotizmit, si dhe shumë sfida tjera që pa dyshim nuk do të mjaftonte që të elaborojmë me një shkrim të shkurtër si ky. Ndërsa, në sfidat e jashtme që normalisht janë të ndërlidhura me sfidat e brendshme janë: Krijimi i një procesi politik dhe strategjik për t’u njohur nga më shumë shtete, sepse kjo është edhe në vetë dobinë e shtetit kosovar, pastaj plotësimi i kritereve për në Bashkimin Evropian, veçmas duhet të kemi parasysh arritjen e hapave me shtetet e rajonit drejt liberalizimit të vizave në mënyrë që Kosova mos të ngec prapa në këtë proces si dhe shumë sfida tjera. Por, tani si sfidë e radhës, në fakt ky është edhe mendim i shumë ekspertëve ndërkombëtar është anëtarësimi i Kosovës në OKB. Vetë anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë do të hapte rrugë tjera si për njohje të shtetësisë, por edhe për bashkëpunimin e ekonomik, sidomos me ato vende që kanë standardin e lartë të mirëqenies sociale. Andaj, si konkludim mund të theksojmë se mendimi i GJND-së mbi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës është një hap i rëndësishëm për shtetin e Kosovës, që sidomos ka hapur dyert për njohje të reja, mirëpo problemet, dhe sfidat e shumta janë elemente kyçe të cilat shteti i Kosovës duhet pasur kujdes të veçantë, tani sytë duhet drejtuar kah anëtarësimi drejt OKB-së si një nga objektivat kryesor pas vendimit të GJND-së.

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
Kosova si provë e civilizimit evropian
E enjte, 29 Korrik 2010 20:17

Igli Totozani

 

Rreth njëzet e ca vjet më parë, menjëherë pas ardhjes në pushtet të Sllobodan Millosheviqit, një nga veprimet e para të Serbisë, atëherë shtet anëtar i Federatës Jugosllave ishte suprimimi i autonomisë së Krahinës Autonome të Kosovës.

Me dëshirën për të mbrojtur, popullin e shumëvuajtur Serb, dinjiteti i të cilit, sipas autorëve të aktit të mësipërm, ish nëpërkëmbur nga të gjithë e në mënyrë të veçantë nga Shqiptarët, por dhe integritetin territorial të Serbisë, parlamenti Serb shkeli në mënyrë flagrante Kushtetutën e 1974-ës e cila, në nenin 402, parashikonte që akte të kësaj natyre do të mund të realizoheshin vetëm me aprovimin e të gjitha republikave të tjera.

Kjo, jo vetëm nuk ndodhi, por më tepër se kaq, bota u gjend, në pak kohë, përballë një shteti që mendonte dhe vepronte si qindra vjet më parë. Të parët dhe gjerë në fund e pësuan këtë Shqiptarët, më të pambrojturit nga të gjithë.

Më pas e mësuan në kurrizin e tyre sllovenët, kroatët, boshnjakët. Si i dalë nga një muze, në terminologjinë, politikat dhe mjetet e përdorura nga ky shtet dhe strukturat e tij ndjehej aroma e egër dhe gjakatare e periudhave më të errëta të njerëzimit. Këtë e bënte më të thjeshtë edhe kontrasti i jashtëzakonshëm që politikat e tij kishin me frymën dhe kontekstin e kohës.

Ndërkohë që në botë po flitej gjithmonë e më shumë për të drejtat dhe liritë e njeriut, për rendin e ri botëror të përmendur më parë nga Georges Bush, për integrimet madhështore që propozonte Traktati i Mastrihtit, për dobësimin e kufijve në dobi të afrimit të popujve, të fqinjësisë së mirë midis vendeve dhe përhapjes së demokracisë, mu në zemër të Evropës fuqizohej çdo ditë e më shumë, një njeri, një shtet, një politikë, në thelb të të cilëve qëndronin parime që koha e re nuk mund t'i pranonte më.

I shtyrë nga dëshira absurde për zmadhim (ëndrra e vjetër e këtij vendi) dhe hegjemoni, për të mbrojtur integritetin territorial të një ëndrre të pavërtetë (Sllavët zbritën në Jug, veçse duke filluar nga fundi i shekullit VI, ndërkohë që Ilirët dhe Grekët gjendeshin aty prej 2000 e ca vjet para JC) në mes të entuziazmit që rënia e diktaturave kish krijuar në Evropë, ky shtet ia doli t'u ngrijë buzëqeshjen të gjithëve, duke krijuar një det të madh gjaku në zemër të Ballkanit.

Pa pyetur as për të drejtat e njeriut, të cilat prej kohësh po dominonin moralin dhe ligjet ndërkombëtare dhe as për të drejtat kolektive të parashikuara në atë që gjuhën juridike ndërkombëtare quhet vetëvendosja e brendshme.

Asnjë ligj, asnjë zakon ndërkombëtar, asnjë moral fitues i kohës nuk mundi të ndalojë këtë vend, në frymëzimin dhe realizimin e një prej gjenocideve më të mëdha pas atij të hebrenjve.

 

 

...

 

 

Mbi dhjetë mijë Shqiptarë të vrarë e masakruar, akoma pa varre, me qindra gra të përdhunuara, me qindra shtëpi e fshatra të djegur e përcëlluar, mbi një milion të zhvendosur nga Kosova brenda dhe jashtë territorit, me mijëra kilometra katror të minuara që vrasin sot e kësaj dite në Kosovë dhe Shqipëri njerëz të pafajshëm vlente integriteti territorial i ëndrrës serbe.

Në të njëjtën kohë, në Kanada, Gjykata Kushtetuese e këtij vendi konsideronte si absolutisht legjitim kërkesën për referendum për pavarësinë e Kebekut. Ndërkohë që edhe në këto kushte Shqiptarët e Kosovës kërkonin ende veç autonominë e brendshme. Veç ndërhyrja e NATO-s, mundi të ndalojë në minutat e fundit të pabërën.

Po lufta mbaroi dhe si rrallë ka parë njerëzimi, shqiptarët u kthyen të rindërtojnë tokën e dashur e të djegur të Kosovës. Disa kohë më pas ra dhe Millosheviqi.

Të gjithë u nxituam të besojmë se edhe në këtë vend erdhi demokracia, sistemi që ka mekanizma të mrekullueshëm që mund të ndalojnë luftën. Një klasë deri diku e re politike u shfaq dhe të gjithëve iu pëlqeu t'i konsideronte si evropianët e Serbisë.

Sigurisht jo nga kostumet dhe kravatat e kohës që vishnin gjithë shije e nur, por nga mentaliteti që bartnin. Por a rezultoi kështu? Tashmë s'ka asnjë dyshim: absolutisht jo.

Dhjetë vitet që pasuan mbarimin e përgjakjes së Shqiptarëve, habitën sërish botën mbarë. Habitën shqiptarët por habitën edhe serbët. Nga të parët pritej hakmarrje, pa fund, pa kufij, në çdo cep, në çdo rrugë, në çdo kthinë, në çdo skutë ku mund të ishin strukur përgjegjësit e masakrës.

Për habinë e të gjithëve edhe pse sot duket e kaluar në kohë nga shumë njerëz, ata kryen një nga gjestet e rralla në historinë e Evropës, të asaj Evrope që i pëlqen aq shumë të flasë për paqen franko-gjermane. Shqiptarët nuk u hakmorën, as kërkuan ta bënin këtë.

Të veshur e mbathur si mos më keq, të djegur e zhuritur si kurrkush, ata ishin evropianët e vërtetë të këtij shekulli, të këtij kontinenti. Pranuan me lehtësinë më të madhe, gjithfarë parimesh për ndërtimin dhe mbijetesën e të cilëve Evropës vetë i janë dashur me qindra vjet. Pranuan Kosovën multietnike, siç në fakt e kishin pranuar gjithmonë në histori.

Pranuan të jetojnë e bashkëpunojnë me serbët. T'u njohin dhe sanksionojnë atyre autonomitë më të çuditshme në botë dhe standarde diskriminimi pozitiv siç është rasti i pranisë së përhershme të dhjetë deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Pranuan ndërtimin e komunave serbe. E një sërë e sërë të drejtash të tjera, disa prej të cilave mund të konsiderohen standarde të paarrira në shumicën e vendeve demokratike të Evropës. Filluan gjithashtu të ndërtojnë shtëpitë e serbëve, ndërkohë që shumë Shqiptarë e kanë të pamundur të kthehen në shtëpitë e tyre në veri.

Por jo më pak habitën evropianët e Serbisë. Evropianë që s'ditën sot e kësaj dite të kërkojnë falje ndaj masakrës dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve. Dhe jo vetëm kaq. Për politikë të brendshme apo përfitime të jashtme ndaj Kosovës vazhdoi i njëjti lajtmotiv ai i integritetit territorial të vendit.

Ky i fundit, pavarësisht gjithçkaje që ndodhi në terren, në logjikë të fundit të të drejtës ndërkombëtare e humbet rëndësinë kur një populli të tërë i mohohet brutalisht vetëvendosja e brendshme.

Pa dashur ta kuptojnë këtë, për habinë e të gjithëve, mu në sy të Evropës dhe pa asnjë problem, evropianët e Serbisë çdo ditë të këtij dhjetëvjeçari, ndërkohë që në Kosovë ngriheshin institucionet e multietnicitetit, vazhduan të prodhojnë plane e strategji tepër të ngjashme me ato të Milosheviqit.

U provua me djegiet e doganave, me provokimet ndaj shqiptarëve, me ngritje dhe financim të strukturave paralele në veri të Kosovës, me financim të elementëve dhe bandave të armatosura, me organizim zgjedhjesh të paligjshme.

U konceptua dhe u shpall pa asnjë merak plani për bllokimin ekonomik të Kosovës, të lëvizjes së mallrave dhe njerëzve nga Kosova në territorin e këtij vendi.

U bllokua anëtarësimi i Kosovës në nismat rajonale dhe u pengua integrimi i minoritetit serb në institucionet e shtetit të ri. U mundua të pengojë njohjen e Kosovës dhe tash së fundi edhe shpallja në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

 

...

 

 

 

Në të njëjtën kohë, paralelisht me këto, së bashku me miqtë e saj, disa prej të cilëve europianë, vazhdon të financojë dhe mbështesë si rezultat të fundit atë të ndarjes së Kosovës, sipas gjithfarë projektesh e shembujsh, si p.sh., ai qipriot edhe pse për dhënien fund të të cilit sot po investohet aq shumë.

Për habinë e të gjithëve, mu në sy e zemër të Evropës, nuk do shumë mend se Serbia po vazhdon edhe pse, me pak më shumë kujdes, rrugën e Milosheviqit.

A është vërtetë kaq e vështirë të kuptohet se me politikën e saj, ky vend ka kohë që po del hapur kundër, jo thjesht logjikës së kohës, por më shumë se kaq, kundër vetë parimeve dhe ligjit ndërkombëtarë?

Kush mund të thotë e bind sot, se politika e Serbisë në Kosovë, nuk përbën as më shumë e as më pak, një rrezik të drejtpërdrejtë të paqes dhe stabilitetit në rajon? Kush mund të thotë e bind sot edhe më naivin mes nesh, se kjo politikë e evropianëve të Serbisë, jo vetëm s'ka asgjë të përbashkët me vlerat dhe parimet Evropiane, por është diametralisht e kundërt me to. Se është në kundërshtim të hapur me politikën e fqinjësisë së mirë aq të kërkuar dhe nxitur nga Bashkimi Evropian në Ballkan?

Po kështu me konceptin e bashkëpunimit rajonal? Me dialogun konstruktiv etj., etj. Duke i dhënë fund, më së fundi, me mosnjohjen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të dilemës mbi europianizmin e udhëheqjes së saj.

Por, si mund të kërkosh dhe respektosh zbatimin e ligjit ndërkombëtar, ndërkohë që nuk njeh vendimin e GJND, si institucioni suprem i OKB në dhënien e drejtësisë dhe aq më tepër kur e ke kërkuar vetë atë?

Për të kuptuar këtë vazhdimësi të politikës Serbe në Kosovë, Serbia po i ndihmon të gjithë me sinqeritetin e politikës së saj. Ajo po shkel hapur jo vetëm mbi parimet dhe zakonet ndërkombëtare, por dhe mbi përpjekjet integruese në Evropë, duke mos u përpjekur për asnjë çast t'i kamuflojë qëllimet e saj.

As më me kostumin evropian që ne vetë, ua veshëm pa takt e kujdes, udhëheqësve të saj, në këtë dhjetëvjeçar, as me planet, strategjitë dhe veprimet konkrete në Kosovë dhe më gjerë.

Kambanat në fakt, nuk po bien më për Serbinë. Ato po kumbojnë për Evropën e Bashkuar, këtë shembull të papërsëritshëm në historinë e njerëzimit se si interesat reciprok të një jete më të mirë për qytetarin, bëjnë të pamundur luftën. Kosova ishte dje dhe mbetet ende sot një sprovë e jashtëzakonshme e Evropës, civilizimit të saj, vlerave të saj historike, politike dhe shoqërore.

Parimet që ajo vazhdon prej tashmë njëzet vitesh të na i kërkojë me ngulm, si fqinjësia e mirë, bashkëpunimi rajonal, dialogu konstruktiv, shoqëritë multietnike, etj., etj., vazhdojnë të hasin rezistencë të jashtëzakonshme në këtë vend të quajtur Serbi, duke rrezikuar kështu, me pa të drejtë paqen dhe stabilitetin në rajon.

Aq më e ndjeshme bëhet kjo sfidë, kur qarqe të veçantë të saj vazhdojnë edhe pas fjalës së drejtësisë ndërkombëtare, të shtjellojnë skenarë të jashtëligjshëm ndarjeje të Kosovës, duke mos respektuar me këtë rast as ligjet ndërkombëtare, as zakonet e mira e kujtimet e këqija, as parimet mbi të cilat u ngrit Evropa dhe as dëshirën legjitime të malazezëve, maqedonasve e sa e sa popujsh të tjerë për një jetë më të mirë, të cilët do të mund të rrezikonin paqen e tyre, nga hapja e një kutie djalli, kapakun e së cilës s'do të dinte më kush ta mbyllte.

Pyetja në këtë rast nuk i drejtohet më Serbisë dhe evropianëve të saj, por Evropës dhe Komunitetit ndërkombëtar në tërësi: a nuk ka ardhur koha për të alternuar paksa politikën e karotës ndaj Serbisë? Ose e thënë më troç: a ka ardhur koha për t'i thënë kësaj politike boll?

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
Qytetarët të painteresuar për të qenë pjesë aktive e vendimmarrjes!
E martë, 27 Korrik 2010 22:41

Aziz Zuka

 

Në shoqëritë e organizuara demokratike, pjesëmarrja aktive e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes, është një nga parimet themelore të një shoqërie të shëndosh demokratike. Andaj, në këtë drejtim institucionet komunale të Vitisë, përmes vendimeve dhe rregulloreve të ndryshme të aprovuara në Kuvendin Komunal si dhe përmes ndërtimit të një infrastrukture fizike, kanë krijuar hapësirë të mjaftueshme për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes. Statuti komunal si akti më i lartë juridik qeverisës në komunë, vendimi për zgjedhjen dhe funksionimin e këshillave të fshatrave si pjesë e infrastrukturës ligjore që garanton organizim legjitim të qytetarëve, rregullorja për pjesëmarrje dhe konsultim të publikut në vendimmarrje që garanton qasje në çdo dokument zyrtar dhe një sërë vendimesh apo rregulloresh tjera, iu mundësojnë qytetarëve të jenë pjesë aktive e ndërtimit dhe funksionimit të institucioneve që po ashtu janë të zgjedhura nga to. Gjithashtu komuna për të krijuar një lidhje më të afërt me qytetarë ka krijuar edhe zyrën koordinuese për punë me këshilla të fshatrave përmes së cilës qytetarët me anë të mekanizmit të krijuar nga vetë ata, si është këshilli i fshatit, mund të adresojnë çështje të caktuara për zgjidhje tek institucionet komunale. Kurse, sipas informatave që kemi së shpejti do të hapet edhe zyra pritëse, e cila do të jetë në shërbim të këshilltarëve komunalë, të subjekteve politike të cilat përfaqësohen në Kuvendin Komunal të Vitisë, ku qytetarët, përkatësisht elektorati mund t'iu drejtohet atyre për problemet apo shqetësimet që kanë ata. Por, shtrohet pyetja: sa qytetarët i shfrytëzojnë gjithë këto mundësi që institucionet përmes infrastrukturës ligjore dhe asaj fizike i kanë ofruar mundësi qytetarëve të jenë pjesë aktive në vendimmarrje? Shikuar nga ajo që ka ndodhur deri më tani dhe që po ndodh edhe tani, qytetarët shumë pak kanë shfrytëzuar këto mundësi për të qenë pjesë aktive e vendimmarrjes. Mosinteresimi i qytetarëve, që të jenë pjesë e vendimeve, lidhet me traditën dhe informimin e pamjaftueshëm të tyre rreth të drejtave që i kanë të garantuara me ligj. Tradita e krijuar në vitet e sundimit të një sistemi monist (komunist) kur vendimet silleshin nga lart dhe vetëm zbatoheshin nga qytetarët, është vështirë të tejkalohet brenda këtyre pak viteve të zhvillimit të sistemit demokratik. Prandaj, është i domosdoshëm një angazhim i institucioneve dhe shoqërisë civile që përmes një informimi të drejtë dhe të plot të ndikojë tek qytetarët që ata të ndërrojnë këtë traditë të pritjeve të vendimeve nga lart. Institucionet dhe shoqëria civile deri më tani kanë punuar në sensibilizimin e opinionit për ndërrimin e kësaj praktike, por përkundër këtij angazhimi ende është larg niveli i pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Andaj, mbetet e domosdoshme dhe nevojë e kohës që të gjithë mekanizmat si nga aspekti qeveritar ashtu edhe nga ai joqeveritar, që me veprime konkrete dhe me shembuj praktik të ndikojnë tek qytetarët që ata të jenë pjesë e vendimeve të rëndësishme për ta. Kjo mund të arrihet nëse veprohet konkretisht duke informuar si dhe duke iu dhënë hapësirën e nevojshme qytetarëve para çdo vendimi që aprovohet për ta.

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
Jo ndarje territoresh shqiptare, por bashkim i trojeve etnike (2)
E enjte, 22 Korrik 2010 19:17

Hamdi Thaçi

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Për copëtimin e tokave shqiptare dhe shfarosjen e shqiptarëve lidhi marrëveshje edhe Serbia me Turqinë në vitin 1938, po ashtu pa i pyetur shqiptarët. Sipas kësaj marrëveshje, duke filluar nga viti 1939, do të fillonte shpërngulen e një gjysmë milioni shqiptarësh, ose 70% të tyre që ishin ne viset e okupuara nga Serbia, e cila pas vitit 1930 filloi të quhej Jugosllavi. Shqiptarët do të shpërnguleshin si “myslimanë” ose si “turq”, mbasi identiteti shqiptar nuk pranohej nga Serbia, kurse bartjen e tyre nga Selaniku do ta bënin anijet franceze. Fillimi i Luftës së Dytë Botërore e pengoi realizimin e kësaj marrëveshje, megjithatë, nga viti 1912 deri në vitin 1941, në Turqi ishin shpërngulur rreth një gjysmë milioni shqiptarë, pronat e të cilëve kurrë nuk janë kompensuar nga shteti serb.

Edhe në Konferencën e Teheranit dhe në atë të Jaltës nuk u diskutua çështja e shqiptarëve. Po kështu, ndodhi edhe në Konferencën e Parisit në vitin 1946 ku shqiptarët nuk njiheshin as nuk pyeteshin nga faktori ndërkombëtar. Delegacioni i Shqipërisë ishte në përbërje të delegacionit të Jugosllavisë. Këtu, jo që shqiptarët nuk patën mundësi t`i shprehnin brengat e tyre kufitare, por Jugosllavia e Titos po i legjitimonte kufijtë e Jugosllavisë, duke vazhduar sundimin e shqiptarëve, mbasi kishte vendosur okupimin mbi ta me masakra të tmerrshme. Shqiptarëve nuk iu dha mundësia të vetëvendosin sipas Kartës së Atlantikut, përkundër faktit se në luftën e tyre ishin radhitur në Bllokun Antifashist. Jugosllavia e Titos për ta rikthyer pushtetin mbi Kosovën dhe viset tjera shqiptare që i kishte humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore, për ta mposhtë Konferencën e Bujanit dhe NDSH-në, vrau rreth 70 mijë shqiptarë. Askush kurrë nuk është përgjigjur për këto krime.

 

Marrëveshja midis Titos e Qypriliut

 

Pa dijen e shqiptarëve u lidh edhe Marrëveshja Xhentëlmenë midis Titos e Qypriliut, marrëveshja e Splitit (1953), sipas të cilës duhej të riaktivizohej marrëveshja serbo-turke e vitit 1938 për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Tito u tregua më gjakpirës së krajli, dhe arriti që në Turqi, deri në vitin 1966 të shpërngulte rreth një gjysmë milioni shqiptarë në bazë të kësaj marrëveshjeje dhe këtu identiteti i shqiptarëve fshihej pas fesë duke i identifikuar shqiptarët me myslimanë ose turq, mbasi kështu ata duhej të deklaroheshin para se t`i siguronin “vesikat”.

Pa shqiptarët u bënë edhe marrëveshje tjera rreth shpërbërjes së Jugosllavisë, gjithnjë duke ia mbajtur anën faktori ndërkombëtar Serbisë, marrëveshja e Londrës, 1990, dhe e Dejtonit 1995, të cilat kishin të bëjnë më shpërbërjen e Jugosllavisë.. Bile as marrëveshja e Kumanovës (1999) nuk u lidh me nënshkrimin e përfaqësuesve shqiptarë. Vetëm marrëveshja e Rambujesë paraqet një kthesë në historinë e diplomacisë shqiptare, ku shqiptarët ishin një nga faktorët kryesorë, dhe duke qenë i tillë roli i shqiptarëve, serbët nuk e nënshkruan marrëveshjen e arritur atje me ndërmjetësimin ndërkombëtar (lexo ndërmjetësimin amerikan). Edhe sot e kësaj dite Serbia mungon në takimet ndërkombëtare, aty ku janë shqiptarët, ose ikë Tadiqi si në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Duke i pasur parasysh gjithë këto që u thanë më lart, nëse duhet biseduar më Serbinë “për çështje teknike” ose për çfarëdo çështjesh tjera, nuk duhet filluar fare ato para se Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Nëse Serbia kërkon ndërrim të territoreve, Serbia duhet t`i kthejë territoret e Sanxhakut të Nishit, Sanxhakut të Pazarit të Ri, viset e tri komunave të Shqipërisë Lindore, të cilat deri pas Luftës së Dytë Botërore ishin pjesë integrale e Kosovës. Të gjitha këto duhet t’ia kthejë Shqipërisë, asaj që ia ka marrë me forcë, duke përfshirë këtu edhe të gjitha dëmet njerëzore e materiale, ku do të hynë edhe dëmet në njerëz dhe materiale që i ka bërë Serbia në luftën e fundit.

 

Bashkimi i shqiptarëve në një shtet më nuk është tabu

 

Bisedimet për lëshimin e këtyre vendeve të pushtuara nga Serbia duhet të zhvillohen në nivel Shqipëri-Serbi. Kjo nënkupton që në delegacionin e Shqipërisë të bashkëngjitën edhe shqiptarë nga Qeveria e Kosovës, nëse deri sa të fillojnë këto bisedime nuk janë bashkuar Shqipëria dhe Kosova. Çështja e bashkimit të shqiptarëve në një shtet më nuk është tabu as në diplomacinë botërore. Shqipëria e integruar në NATO dhe BE, duhet të paraqesë kusht për pranimin e Serbisë në këto forume. Ky kusht duhet të lidhet me njohjen e kufijve të Serbisë, por kurrë nuk duhet pranuar që Serbisë t`i pranohen tokat e pushtuara padrejtësisht, të pranohet gjenocidi njëshekullor serb mbi shqiptarët, pa i paguar ajo të gjitha këto dëme që u ka shkaktuar shqiptarëve dhe pa i lëshuar tokat e pushtuara. Serbia duhet të bindet se nuk ka vende të shenjta në Kosovë, atë e tha edhe Toni Bler, se para 100 vjetësh Kosova kurrë nuk ishte nën Serbinë. Për këtë dëshmojnë hartat e bëra në institucionet ndërkombëtare e jo nga shqiptarët. As Patrikana e Pejës, as Bogosllavia e Prizrenit, as manastiret e Graçanicës dhe ai i Deçanit, as Gazimestani nuk janë “vende të shenjta serbe”. Përndryshe Shqipëria nuk duhet kurrë ta grisë dorën në forumet ndërkombëtare që Serbia të pranohet si pushtuese e këtyre viseve tona. Ajo deri më tash këto vende i ka mbajtur pa aprovimin e shqiptarëve. Kuvendi i Prizrenit, 1945 dhe ai i Prishtinës 1989, nuk kanë qenë faktor që miratonin okupimin serb. Prandaj duhet kujdes nga qeveria shqiptare kur voton që Serbia të pranohet në forumet evropiane dhe në NATO. Pra le të dihet, Serbia i ka borxh Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve, jo si po përpiqet ta minimizojë problemin në një gjysmë Presheve. Për këtë arsye në krye të delegacionit shqiptar për bisedime me Serbinë duhet të jetë Kryeministri i gjithë shqiptarëve, kurse Shqipëria duhet të jetë digë e pa kaluar për serbët në forumet ndërkombëtare. E di opinioni se çfarë qëndrimi mbajti Sllovenia ndaj Kroacisë për një cikërrimë vend kufitar, e lëre më Serbia, e cila i ka grabitur Shqipërisë mijëra km/2 dhe tash kërkon ende bisedime për ndërrim territoresh. Parametrat ndërkombëtarë për rregullimin e këtyre çështjeve ekzistojnë, vetëm duhet një unitet qëndrimesh, një politikë e balancuar e shqiptarëve, gjithsesi në nivel kombëtar e jo krahinor e partiak. Shqiptarët sot kanë mundësi vet t`i parashtrojnë kërkesat e tyre dhe kushtet për bisedime si dhe të kërkojnë ndihmën e faktorit ndërkombëtar, i cili është i interesuar për një Ballkan stabil si kusht për një Evropë stabile. Problemi shqiptar do zgjidhje të tërësishme e jo parciale. Njëqindvjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë duhet të na gjejë të bashkuar, prandaj çështja duhet të shtrohet sot. Serbia duhet të japë llogari në këtë rast edhe para fqinjëve tjerë për krimet që ka bërë dhe për territoret që ua ka marrë. Kështu do të paqësohet Ballkani. (Fund)

 

 

 

(Autori është profesor në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë)

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
Jo ndarje territoresh shqiptare, por bashkim i trojeve etnike (1)
E martë, 20 Korrik 2010 16:28

Hamdi Thaçi

 

Në periudha të ndryshme pas vitit 1999 përmes medieve, por edhe të qarqeve politike, qeveritare dhe institucioneve të ndryshme me peshë politike e diplomatike janë dhënë ide për ndarjen ose copëtimin e serishëm të tokave shqiptare, shpeshherë e thënë me një gjuhë të butë si “shkëmbim territoresh”.

Për të huajt që nuk e dinë pak historinë e copëtimit të tokave shqiptare, ose këtë e bëjnë sa për të “rrafshuar” punë edhe nëse shqiptarët dalin humbës në këtë “shkëmbim”, qofshin ata miq ose kundërshtarë të shqiptarëve, nuk është shumë për t`u çuditur, por këso pajtime nuk dëgjohen rrallë edhe nga “analistë”, “politikanë” dhe pena shqiptare, të njohura ose që shiten në opinion si të njohura dhe me peshë.

Nga historia e lashtë e deri në kohën tonë bashkëkohore janë bërë ndërrim territoresh, ku sigurisht dy popuj ose dy a më shumë shtete, në këto ndarje nuk janë mbetur të kënaqur. Mirëpo, qoftë forca ushtarake, qoftë diplomacia përkrahëse, qoftë forca e shtetit okupator dhe krimet e tij gjatë luftërave të ndryshme, ka bërë që të bëhen ndërrim territoresh nën ndikimin e forcës, kur njëra palë gjithmonë ka mbetur e pakënaqur. Por, nga ajo periudhë e lashtë e deri më sot, së paku mund të flasim për në Evropë, nuk ka ndodhur me asnjë popull dhe me asnjë vend, siç ka ndodhur me Shqipërinë, që në ato ndarje, copëtime territoresh të një vendi, gjithmonë vetëm t`i merren territore por asnjëherë mos t`i kompensohen me territore tjera. Edhe sot po të pranohet një formulë e tillë magjike që Kosova dhe Serbia të pajtohen për shkëmbim territoresh, për hir të sigurimit të qetësisë në Ballkan dhe në Evropë, ose për arsye të ngopjes së apetiteve pushtuese serbe mbi tokat shqiptare, kjo nuk guxon të ndodhë, sepse çfarëdo shkëmbimi të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë që do të bëhej, do të jetë shkëmbim i tokave shqiptare. Pra, në një rast të tillë, tash për tash vetëm të imagjinuar sa për “fizkulturë të mendjes”, Serbia do të jepte toka shqiptare dhe do të merrte toka shqiptare, vetëm se do të hamendet a do t`i jepte në këtë rast vendet me pasuri natyrore me vlerë të pakompensueshme, të pallogaritshme, apo do t`i “humbiste” këto për vendet shumë strategjike, po ashtu për leverdi ekonomike tepër të madhe, siç është Lugina e Preshevës në Shqipërinë Lindore, tash për tash e okupuar nga Serbia, por të cilën nuk mund ta mbajë deri në pafundësi.

Mendoj së për t`i hyrë çështjes për “shkëmbim territoresh” nuk është as temë e lehtë as nuk duhet ngutur në këtë drejtim, por as nuk duhet të frikohemi sepse në këtë drejtim më nuk do të veprohet pa i pyetur edhe shqiptarët. Para së gjithash, për shkëmbim territoresh, që në këtë rast do të jetë shkëmbim i tokave shqiptare me toka shqiptare, duhet të kthehemi në historinë e diplomacisë, ku pamëshirshëm janë bërë copëtime të trojeve etnike shqiptare, ku shtetet dhe perandoritë e ndryshme në cilësinë e pushtuesve mbi shqiptarët kanë bërë këso “këmbimesh” me tokat tona pa i pyetur asnjëherë shqiptarët, bile pa e kërkuar as nënshkrimin formal të pajtimit të ndonjë nga qarqet tradhtare ose kuislinge të tyre.

 

“Shkëmbim territoresh” shqiptaro-shqiptare, çfarë ironie

 

 

Pa u ndalur nga periudha ilire dhe koha e Mesjetës, vetëm në dy shekujt e fundit shqiptarët kanë humbur shumë në “lojën” e këtyre “shkëmbimeve”. Megjithatë, kur të bisedohet me serbët dhe sllavet tjerë të Ballkanit, gjithmonë duhet për t’ua përkujtuar se tokat shqiptare nuk janë djepi i tyre, sepse ata qe 1300 vjet i rrisin fëmijët e tyre në djepa të huaj, dhe ka ardhur koha që secilit t`i tregohet vendi i vet. Më nuk është koha e supermacisë së paprekshme serbe, e cila duke u përkëdhelur nga sulltani dhe aleatët tjerë evropianë e aziatikë, gjatë shekullit XIX dhe fillimi i shek. XX, nga një pashallëk i Beogradit, me terror e dhunë Serbia ndërtoi një shtet mbi fatkeqësinë e shqiptarëve, duke u bërë kështu shteti më i fuqishëm kolonialist në Evropë, pa u ndëshkuar asnjëherë. Serbia nuk u ndëshkua sa duhet as në luftën e fundit, si shkaktare e gjithë atyre masakrave dhe gjakderdhjeve që bëri në dhjetëvjetëshin e fundit të shek. XX, para syve të Evropës dhe botës. Bota intervenoi pak kur e pa me sytë e vet se në prag të shek. XXI, Serbia është në gjendje ende të therë njerëz në fyt, (boshnjakë, kroatë, shqiptarë), të rrjepë njerëz për së gjalli, të nxjerrë sy fëmijësh, të therë gji grash e vajzash të dhunuara më parë, të therë organe gjenitale meshkujsh para nënave, motrave e grave. Kjo ishte skena mizore e Serbisë së “civilizuar”, të cilën e panë qarqet diplomatike botërore, e panë atë teatër tragjik, për “lojërat” e të cilit më parë Serbia ishte shpërblyer me territore të huaja, kryesisht shqiptare, duke filluar nga Kongresi i Berlinit e deri në Rambuje. Në këtë të fundit, edhe pse jo si duhet, iu ndal rrjedhja e gjakut të pafajshëm popujve të vuajtur nga vampirët serbianë, të cilët po digjen në epshin ende të pangopur me gjak shqiptar dhe kërkojnë “shkëmbim territoresh” shqiptaro-shqiptare. Ironia e shekullit XXI u pa në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit. Tadiqi, ky “diplomat bashkëkohor” i pranuar në Evropë si më i “modernizuar” nga primitivizmi serbian, vet e thërret mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, dhe ikë me vesh të zgjatur, pak pa filluar t`i zgjaten edhe dhëmbët, si të Millosheviqit.

 

Retrospektiva e “shkëmbimit” të territoreve me Serbinë

 

Retrospektiva e “shkëmbimit” të territoreve me Serbinë është e tmerrshme për shqiptarët, por nëse fillojnë bisedimet për këtë çështje, ato duhet të fillojnë aty ku ka zënë fill padrejtësia dhe okupimi serb mbi tokat shqiptare. Ajo padrejtësi fillon në fillim të shek. XIX, më saktë nga viti 1815 me Marrëveshjen verbale serbo-turke, kur Serbia u bë autonome, dhe për t`i përmirësuar marrëdhëniet me padronin e Stambollit, hartoi planin për shpërnguljen e “elementit turbullues”, arnautëve, të cilët ishin banorë trashëgues prej kohës së dardanëve, dhe shtriheshin deri në Klladovë. Me çfarë të drejte Obrenoviqi ua merrte pronat këtyre “arnautëve”, ua digjte shtëpitë, ua therte fëmijët dhe ua dhunonte gratë? Të gjitha këto i aprovonte, bile edhe i financonte “baba sulltan”, nën ombrellën e të cilit ishin ende gjithë popujt e Ballkanit.

Nga gjysma e shek. XIX, kur majka Rusi po krekosej me forcën e krijuar në raport me të “Sëmurin e Bosforit” (ajo edhe sot i del krah krimeve serbe mbi shqiptarët dhe nuk e pranon pavarësinë e Kosovës), sllavëve të Ballkanit ua mprehte brirët. Si pjellë e kësaj politike luftënxitëse doli “Naçertania” ose projekti për zgjerimin e Serbisë në Jug, d.m.th. në drejtim të tokave shqiptare, projekt ky që serbët ende e kanë në turinj dhe nuk kanë hequr dorë asnjëherë. Edhe pse sipas këtij projekti serbët nuk arritën të dalin në Selanik, në Durrës ose së paku në Shëngjin, ata arritën shumë duke e zgjeruar Pashallëkun e Beogradit, nga 33.000 km/2 në vitin 1815, në rreth 90 mijë km/2 në vitin 1913, për të vazhduar zgjerimin në Konferencën e Versajës në rreth 250 mijë km/2.

Kriza Lindore e viteve 1875-1878 i solli fitoren Rusisë mbi Turqinë dhe si rezultat i kësaj fitoreje ishte Traktati i Shën Stefanit (3 mars 1878), ku nën përkujdesjen e “nënës” Rusi, shtetet sllave e ortodokse të Ballkanit, po i këpusnin prangat e robërisë otomane, të njëjtat ua venin në qafë shqiptarëve. Këta të fundit duke qenë pa vëlla gjaku e gjuhe ( në këtë rast feja nuk bënte para) po viheshin ngadalë nën robëri të dyfishtë: robërinë osmane që e kishin me shekuj dhe tash robërinë serbo-greke, si peshqesh të fitores ruse mbi Perandorinë Osmane. Dy perandoritë bënin pazar me tokat shqiptare.

 

Traktati i Shën Stefanit

 

Traktati i Shën Stefanit iu jepte mundësi të zgjeroheshin sipas dëshirës së tyre Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe sidomos Bullgarisë. Përmes kësaj të fundit Rusia synonte dominimin e vet në Ballkan. Pa hy në detale të kësaj marrëveshje, Serbia dhe Bullgaria synonin që tërë zgjerimin e vet ta realizonin mbi tokat shqiptare: Bullgaria arrinte deri në Ohër duke përfshirë gjithë Ballkanin qendror, kurse Serbia shtrinte metastazat pushtues në Shqipërinë veriore, duke iu afruar Mitrovicës. Lufta midis këtyre dy shteteve, që ende ishin nën suverenitetin e sulltanit, bëhej për viset e pasura e të bukura shqiptare të rrethit të Pirotit dhe sanxhakut të Nishit, vise këto të banuara me shqiptarë etnikë: Piroti me rrethinë rreth 80%, kurse Sanxhaku i Nishit 96% të popullsisë e kishte shqiptare. Të dy këto krahina i takonin administrativisht Vilajetit të Kosovës, një nga katër vilajetet shqiptare.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

 

(Autori është profesor në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë)

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
<< Fillo < Para 1 2 3 4 5 6 Tjetri > Fund >>

Faqe 1 nga 6
mesi_i_arte2
Editorial

editorial

Elife Luzha

Shteti mbi të gjitha!

Shteti i Kosovës edhe një herë pritet të përballet me Serbinë. Kësaj radhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

më shumë...

Opinione

opinion

Patrick Moore

Çka tash, Herr Vestervelle?

Javën e kaluar, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, e bëri një vizitë zyrtare në Kroaci, Serbi dhe Kosovë

më shumë...

Partly Cloudy

14°C

Prishtina

Partly Cloudy

Humidity: 82%

Wind: N at 2 mph

Copyright © 2010 Infopress - Infopress
Te drejtat jane te rezervuara