Edhe durrsakët shijojnë prodhimet nga Kosova
E premte, 30 Korrik 2010 17:57

Xhavit Nura

Prishtinë, Durrës, 29 korrik

 

m_ekonomiJo vetëm turistët nga Kosova, por kanë qenë edhe shumë qytetarë durrsakë e të tjerë që kanë provuar dhe janë njohur me produkte të ndryshme kosovare. Biznese të ndryshme, si prodhues lëngjesh dhe prodhues të tjerë të industrisë ushqimore, pastaj kompani për prodhime detergjentesh e kompani të tjera të ndryshme kanë prezantuar produktet e tyre në sheshin kryesor në pjesën e vjetër të qytetit të Durrësit, në një nga sheshet kryesore buzë valëve të Detit Adriatik. Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të “Ditëve të biznesit kosovar” që këtë javë ka pasur destinacion Durrësin. Ky aktivitet, i pari i këtij lloji mëton të kthehet në një aktivitet të përvitshëm. Bizneset e organizuara rreth Aleancës Kosovare të Biznesit kanë qëndruar për tri ditë në Durrës me ftesë të bashkisë së Durrësit, qytet ky që thith shumicën e turistëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë muajve të nxehtë të verës.

 

Memorandum bashkëpunimi

 

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini dhe bashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, kanë nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi. Kjo është marrëveshja e parë e këtij lloji që synon nxitjen e bashkëpunimit në mes biznesit të Kosovës dhe biznesit të Durrësit. “Durrësi është një qytet 2400 vjeçar, është qytet turistik, por është edhe qytet i zhvillimit ekonomik, me portin kryesor për në perëndim”, u shpreh bashkiaku Dako. Ndërkaq, Agim Shahini, kryetar i AKB-së ka thënë se bashkë me institucionet e Kosovës po përpiqen që të ngrisin bashkëpunimin me Shqipërinë. “Kosova tani ka arritur të prodhojë dhe eksportojë. Kemi produkte të certifikuara me standardet më të larta ndërkombëtare. Këto produkte tani janë këtu për turistët dhe gjithë të tjerët, madje me një çmim më të lirë, falë edhe ndërtimit të autostradës që ka shkurtuar shpenzimet e transportit”, u shpreh Shahini. Ai është shprehur kundër barrierave burokratike që ende i shoqërojnë dy shtetet, duke shtuar më tej se Durrësi ka hapur dyert jo vetëm për turizëm, por edhe për investime. “Duhet të kemi më shumë bashkëpunim ekonomik. Është investuar aq shumë në rrugën e kombit në Shqipëri, e tani edhe në Kosovë, prandaj është e pafalshme të mos ketë më shumë bashkëpunim”, tha Shahini.

 

Bizneset e Kosovës në Durrës

 

Më tej, bashkiaku Vangjish Dako ka njoftuar se bizneset kosovare më tepër funksionojnë në pjesën e qytetit-plazh, numri i tyre është i kufizuar vetëm në disa dhjetëra, kurse janë kryesisht vetëm biznese të vogla. “Biznese të mëdha nga Kosova këtu nuk kemi”, është shprehur Dako. Ai ka folur po ashtu për investimet që po bëhen në qytetin e Durrësit, me qëllim që të krijojë kushte sa më të mira për pushuesit nga Kosova dhe pushuesit e vendeve të tjera. Ai ka veçuar kryesisht investimet në infrastrukturën rrugore, kurse një projekt që është në zhvillim e sipër e që pritet të përfundojë tek vitin e ardhshëm, është projekti i kanalizimeve, që është një prej problematikave kryesore në këtë qytet turistik. “Ne jemi fokusuar kryesisht në investime në ato zona ku ka turizëm familjar dhe këto investime janë të dukshme”, u shpreh Dako. Po ashtu, sipas tij, bashkia po investon edhe në jetën kulturore gjatë këtyre muajve të verës. Dako shprehet se një element i ri janë pushuesit e shumtë gjatë vikendit të cilët vinë nga Prishtina dhe qytetet e Shqipërisë, falë edhe rrugës së shpejtë që mund të bëhet tani. Por, ai ka cekur se pritet një rënie e numrit të vizitorëve në mesin e muajit të ardhshëm, atëherë edhe kur fillon muaji i shenjtë i Ramazanit. Sa i përket projekteve për lidhje hekurudhore në mes Kosovës dhe Shqipërisë, Dako është shprehur se ky nuk është një projekt urgjent. Ai ndërkaq ka inkurajuar qytetarët e Kosovës që të vinë edhe gjatë muajve të vjeshtë-dimrit dhe të vizitojnë bukuritë e shumta të qytetit dhe vendeve të tjera turistike të Shqipërisë, kurse të njëjtën gjë ka kërkuar që ta bëjnë edhe qytetarët durrsakë duke vizituar Kosovën. Në anën tjetër, Agim Shahni është shprehur se bizneset e Kosovës e shfrytëzojnë portin e Durrësit, i cili sipas tij është më i lirë, por që duhet të avancohet më shumë shërbime, në mënyrë që të jetë konkurrent me portet e tjera të rajonit.

 

Bizneset e kënaqura

 

Bizneset ndërkaq janë shprehur të kënaqur me organizimin e kësaj jave, dhe shpresojnë se prezantimi i produkteve të tyre do të ketë pasur efekt jo vetëm te turistët nga Kosova, të cilët tashmë janë familjarizuar me këto produkte, por edhe nga turistët e vendeve të tjera, si dhe nga qytetarët durrsakë e qytetarë të tjerë të Shqipërisë. Ata në të njëjtën kohë shprehen të pakënaqur me disa nga ngarkesat e taksave, me bllokimin e disa produkteve bujqësore në sezona të caktuara, me procedura burokratike në pikat kufitare dhe defekte të tjera të cilat pengojnë një shtrirje më të madhe të biznesit nga Kosova në Shqipëri. Disa prej qytetarëve të Durrësit shprehen ndërkaq se kjo është hera e parë që njihen në mënyrë kaq masive me prodhime nga Kosova, edhe pse kanë qenë prezentë edhe më parë. “Kur vinë turistët nga Kosova vinë edhe produkte të shumta prej andej, pastaj ka më pak. Mendoj se të dyja palët duhet të jemi më të hapur dhe të konsumojmë prodhime të njëri tjetrit, po ama më shumë prodhime shqiptare, e më pak italiane e serbe e greke”, shprehet një shitës dyqani. Ky aktivitet i Aleancës Kosovare të Biznesit është organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, gjegjësisht Agjencisë për promovimin e Investimeve, me sponsor Postë-Telekomin e Kosovës. Zyrtarët e AKB-së synojnë që aktivitete të ngjashme të organizojnë edhe në shtetet e tjera të rajonit e më gjerë.

 

Bashkëpunimi i biznesit Kosovë-Shqipëri

 

Java e biznesit kosovar dhe panairi i prodhimeve në sheshin e Durrësit është përcjellë edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, i cili ka kërkuar që ky të jetë një aktivitet i përvitshëm, kurse ka kërkuar nga bizneset e të dy anëve të kufirit që të rrisin bashkëpunimin me qëllim të forcimit të ekonomive të të dyja vendeve.

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
mesi_i_arte2
Editorial

editorial

Elife Luzha

Shteti mbi të gjitha!

Shteti i Kosovës edhe një herë pritet të përballet me Serbinë. Kësaj radhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

më shumë...

Opinione

opinion

Patrick Moore

Çka tash, Herr Vestervelle?

Javën e kaluar, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, e bëri një vizitë zyrtare në Kroaci, Serbi dhe Kosovë

më shumë...

Partly Cloudy

14°C

Prishtina

Partly Cloudy

Humidity: 82%

Wind: N at 2 mph

Copyright © 2010 Infopress - Infopress
Te drejtat jane te rezervuara