| Dështon koncerti i Erosi-t, fajtor Afrim Muçiqi? |
| E enjte, 29 Korrik 2010 20:50 | |
|
Melihate Gashi
Prishtinë, 28 korrik
“E vërteta është se ka ndodhë një vonesë në nënshkrimin e kontratës, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe drejtorit të Stadiumit të Prishtinës, ku i gjithë ky eveniment është nën patronatin e Ministrisë së Kulturës. Dhe kjo e fundit ka qenë përgjegjëse për pagesën dhe kontratën për Koncertin e Eros Ramazzottit. Kontrata është nënshkruar me vonesë, por edhe pas nënshkrimit të saj, në të cilën është cekur që shumën e caktuar do ta paguajë Ministria, drejtori i stadiumit, Afrim Muçiqi, më ka thënë që sado që e kam nënshkruar kontratën dhe puna është kryer, nuk t’i jap çelësat e stadiumit, pa m’i sjellë paratë, 15 mijë euro kesh. Dhe kur t’i marrë unë nga Ministria paratë, sipas kontratës, atëherë t’i kthej ty prapa. Kjo ka qenë e pamundur që për 45 minuta t’ia dërgojë paratë që Afrimi m’i kërkoi. Por, e vërteta është se Afrim Muçiqi nuk i ka dorëzuar çelësat e stadiumit, dhe kamionët të cilët kanë ardhur me material, për të bërë bazën për vendosjen e skenës, kanë qëndruar për 12 orë para stadiumit dhe më pas janë kthyer prapa”, thekson Armenda Filipaj, njëra nga organizatoret e koncertit duke fajësuar direkt drejtorin e stadiumit, për gjithë këtë dështim.
Muçiqi: Stadiumi është institucion e jo stacion autobusësh
E nga ana tjetër, ‘i akuzuari’, mohon një gjë të tillë duke e vlerësuar si një deklaratë qesharake nga ana e Filipajt. “Absolutisht është qesharake ajo që është thënë nga zonja Filipaj, sepse që nga data 20 korrik, kur na u është dërguar një letër nga Ministria e Kulturës, në të cilën thuhej se koncerti do të mbahet më datën 30 të këtij muaji, personalisht e kam takuar zonjën Filipaj, e cila ka ardhur dhe i kam dhënë një draft të kontratës, e cila bëhet jo vetëm me zonjën Filipaj, por me të gjithë ata njerëz të cilët duan të bëjnë ndonjë eveniment në stadiumin e qytetit. Është një kontratë që gjithnjë e konsiderojmë të domosdoshme për t’u nënshkruar, para mbajtjes së ndonjë evenimenti në stadium. Zonja Filipaj nuk ka qenë dakord që ta nënshkruajë kontratën e cila obligon që ta kthejë stadiumin në gjendjen si kur e ka marrë, para mbajtjes, në këtë rast, të koncertit. Sot, në mëngjes më është bërë edhe një telefonatë dhe më është kërkuar që të më hapen dyert, dhe unë u kam thënë se gjithçka është në rregull, por vetëm duhet të vini, të nënshkruani kontratën dhe të më tregoni se kush do t’i marrë çelësat, e jo vetëm t’i hapim dyert, sepse kanë ardhur disa kamionë me dërrasa. Unë vetëm kam dashur nënshkrimin e kontratës në të cilën kërkohet që stadiumi të kthehet në gjendje të rregullt dhe ashtu siç është dorëzuar, sepse në fund të fundit ai është institucion dhe jo stacion autobusësh. Mirëpo, siç duket kanë dështuar në planin tjetër. Ose nuk u janë shitur biletat, ose nuk i kanë përmbushur obligimet ndaj Eros Ramazzottit. Por, nuk është arsye ajo që ne nuk i paskemi lënë të futen në stadium. Unë jam duke i pritur që nga data 22 e këtij muaji. Është qesharake që unë, i cili i takoj atij profesioni, të ndaloj mbajtjen e këtij koncerti dhe nuk e kuptoj arsyen pse ka ndodhë një gjë e tillë. Interesi ynë ka qenë që të mbahet koncerti, sepse në fund të fundit ne do t’i merrnim 15 mijë euro. Por, stadiumin nuk do t’ua lëshonim pa nënshkrimin e kontratës në fjalë”, thekson drejtori i stadiumit, duke shtuar se kjo është e gjithë e vërteta dhe nuk ka tjetër, pos kësaj.
Filipaj: Për fajin e Afrim Muçiqit, mori imazh të keq i gjithë vendi
E ndërsa Filipaj akuzon se arsyeja e mosdorëzimit të çelësave ishte mosdorëzimi i parave, të cilat do të dorëzoheshin nga Ministria e Kulturës, Muçiqi mohon një gjë të tillë. “Kjo ka qenë shumë mirë e theksuar në kontratë, që mjetet i paguan Ministria e Kulturës. Unë nuk kam pasur se çfarë të flasë për këtë gjë me zonjën Filipaj”, shton Muçiqi, ndërsa Filipaj nga ana tjetër vazhdon të tregojë edhe për shtyrjen e koncertit, duke mohuar mundësinë e dështimit total të tij. “Koncerti do të mbahet. Kjo është e vërteta. Edhe pse nuk kemi një datë të caktuar se kur do të jetë Eros Ramazzotti në Prishtinë, ai do të vijë. Më së largu deri më 20 gusht, Erosi do të vijë këtu. Tani neve na mbetet që të akordojmë një datë tjetër”, premton Armenda, duke shtuar se në rast mundësie të dështimit, paratë do t’u kthehen të gjithë atyre që tashmë i kanë blerë biletat. “Do të vazhdojmë deri në fund me procedurat për caktimin e një date tjetër. Më vjen keq që për fajin e një njeriu siç është Afrim Muçiqi, të marrë një imazh të keq i gjithë vendi. Kjo më irriton. Jemi angazhuar për një muaj rresht, derisa kemi arritur marrëveshjen që Erosi të vijë këtu. E do të vazhdojmë të punojmë deri të caktojmë një datë tjetër. E në rast të kundërt, patjetër që paratë do t’u kthehen të gjithë atyre që u janë shitur biletat”, thekson ajo. Por, nuk mbaron gjithçka me kaq. Për dëmin e pariparueshëm, Filipaj pohon se tashmë ka kontaktuar avokatin e kompanisë për t’u konsultuar me të, dhe për të shqyrtuar mundësinë e padisë ndaj Muçiqit, pas dështimit të koncertit.
Paratë e biletave të shituara do të kthehen
Duket paska e pabesueshme që Erosi të vijë në një datë tjetër në Prishtinë për faktin se koncerti i tij në kryeqytetin tonë ishte pjesë e turneut të tij nëpër Evropë, ndërkohë që kompania UBBOSS, e cila mori përsipër sjelljen e tij në Prishtinë, premton se koncerti do të mbahet, më së largu deri më 20 gusht. Në të kundërtën, Filipaj pohon se paratë nga biletat e shitura do t’u kthehen atyre që i kanë blerë. E në anën tjetër, grupi Koha, të cilët ishin sponsorë medialë të koncertit, janë distancuar nga çdo përgjegjësi e dështimit të koncertit duke shprehur keqardhjen për këtë që ndodhi. |
| Editorial |
"Tri zgjidhje janë të mundshme..."Në fund të muajit gusht, OJQ-ja ndërkombëtare me bazë në SHBA, Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) |
| Opinione |
|
Ndue Ukaj |
Njëqindvjetori i lindjes së Nënë Terezës dhe Katedralja e PrishtinësNë piedestalin e personaliteteve më të mëdha të njerëzimit, Nëna Terezë zë vendin më meritor. Ajo ishte dhe mbetet e pakrahasueshme |
19°C
Prishtina
Cloudy
Humidity: 78%
Wind: N at 0 mph
Ardhja e Eros Ramazzottit në Prishtinë, për shumëkënd dukej si një ëndërr, e që mbase do të ngelet e tillë përgjithmonë. Koncerti i paralajmëruar për datën 30 korrik i këngëtarit italian me famë botërore, Eros Ramazzotti, ka dështuar, ndërsa organizatorët, si rëndom kanë zgjedhur të hedhin fajin tek njëri-tjetri.

