Shkelin rregulloren e tyre
E enjte, 29 Korrik 2010 20:10

Beadin Syla

Prishtinë, 28 korrik

 

kombetareNdonëse e kanë miratuar vetë muaj më parë, deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të mos e respektojnë rregulloren e punës së Kuvendit, duke mbajtur poste të dyfishta. Neni 63 i rregullores së punës së Kuvendit e ndalon që anëtari i kryesisë së Kuvendit të jetë edhe kryetar i një Komisioni, por përkundër këtij ndalimi, anëtarë të kryesisë udhëheqin komisione. Deputetët nuk ndalojnë vetëm me këtë shkelje të rregullores së punës së tyre, ata këtë e bëjnë edhe duke i vonuar projektligjet për t’i dërguar në seanca plenare. Rregullorja e parasheh që kjo të ndodhë brenda 60 ditësh, por jo shpesh projektligjet dërgohen brenda këtij afati. Këtë fakt e pranojnë edhe vetë deputetët. Kryetari i Komisionit për Mandate, Imunitet dhe Rregullore të punës së Kuvendit, Hydajet Hyseni-Kaloshi, ka thënë se respektimi i rregullores në plotësinë e saj, do kohë për t’u realizuar. Mirëpo, deputeti nga radhët e AKR-së, Ibrahim Makolli ka thënë se rregullorja nuk po respektohet tek funksionet e dyfishta, të cilat ndalohen me rregullore të re të Kuvendit. Ndërsa, kryetari i komisionit për legjislacion dhe gjyqësi, Bahri Hyseni ka thënë se dispozitat kalimtare të Kushtetutës janë duke u shfrytëzuar edhe në rregullore të re, dhe se ka laramani. Por sipas tij, për shkak të këtyre nuk mund të thuhet decidivisht që po respektohet apo nuk po respektohet rregullorja. Në anën tjetër, shoqëria civile ka kritikuar deputetët të cilët mbajnë poste të dyfishta duke kërkuar që të respektohet rregullorja dhe të mos i mbajnë postet e dyfishta.

 

Sabri Hamiti me dy poste

 

Aktualisht edhe pse rregullorja e ndalon që anëtari i kryesisë të jetë kryetar i ndonjë komisioni, deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti është duke i mbajtur dy pozita, atë të anëtarit të kryesisë dhe atë të kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme. Deputeti Makolli ka thënë se rregullorja duhet të respektohet tek funksionet e dyfishta dhe numri i anëtarëve të grupeve parlamentare në komisione, si dhe rregulla të tjera. “Jo është e ndaluar të mbahet posti i kryetarit të një komisioni të udhëhiqet nga një anëtar i kryesisë, me rregullore të re e cila është në fuqi”, ka thënë Makolli. Për këtë monitoruesit e Kuvendit nga KDI-ja kanë kritikuar ata që mbajnë poste të dyfishta dhe ka kërkuar që të respektohet rregullorja. Valmir Ismaili nga KDI-ja ka thënë se në këtë rast, po edhe në rastet tjera të ngjashme kanë kërkuar që të respektohet rregullorja e punës. “Përgjegjësi kryesor në këtë rast është vetë deputeti Hamiti, e më pastaj edhe grupi i tij parlamentar, i cili është përgjegjës për emërimet e deputeteve në Kryesi dhe ne Komisionet përkatëse. Në këtë rast Kryetari dhe Kuvendi nuk kane fare faj”, ka thënë Ismaili. Mirëpo, këtë Hydajet Hyseni e ka quajtur si mospërputhje me rregulloren dhe diçka që ka qenë dhe nuk është bërë. “Po është logjike që të pritet, sepse të gjithë e dinë rregulloren, pasi e kanë miratuar vetë dhe janë të obliguar ta zbatojnë atë. Besoj se me kohë do të rregullohet”, ka thënë Hyseni.

 

Ndikon në efikasitet

 

Por, sipas Ismailit, deputetët e Kuvendit të Kosovës për disa çështje ku preken interesat e tyre personale janë kujdesur që të krijojnë dispozita kalimtare në Kushtetutën e Kosovës, ku kanë lënë hapësira që këto dispozita mos të kenë fuqi juridike për këtë mandat. “Megjithatë, mbajtja e dy ose tri pozitave, qoftë në nivelin legjislativ, qoftë në atë legjislativ/ekzekutiv është dëshmuar të ndikojë në efikasitetin e këtyre zyrtarëve që mbajnë këto pozita. Prandaj, ne si KDI kemi kërkuar që këta zyrtarë mos të ushtrojnë dy-tri pozita por t'i lirojnë ato në mënyrë që t'u jepet mundësi edhe kolegëve tjerë të tyre që të dëshmohen në pozitat përkatëse dhe në të njëjtën kohë të rritet efikasiteti në institucione”, ka thënë ai. Por, deputeti Hydajet Hyseni thotë që rregullorja e re e Kuvendit do një kohë për ta respektuar plotësisht, në gjitha aspektet. “Duhet të merren mendime edhe nga subjektet politike dhe grupet parlamentare, kjo është arsyeja pse ka ende ndonjë praktikë që mund të konsiderohet se është në kundërshtim me rregulloren e re”, ka thënë Hyseni. Por, ai ka thënë se Komisioni që ai drejton nuk është i autorizuar që të kontrollojë respektimin e rregullores, përveçse të bëjë rekomandime. “Ne kemi bërë disa rekomandime, por që nuk janë shqyrtuar ende. Besojmë se do të shqyrtohet, sepse nuk e ka ngritur askush, sepse ne mendojmë se është e kohës. Nuk e ka kërkuar askush”, është shprehur Hyseni.

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
mesi_i_arte2
Editorial

editorial

Patrick Moore

"Tri zgjidhje janë të mundshme..."

Në fund të muajit gusht, OJQ-ja ndërkombëtare me bazë në SHBA, Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG)

më shumë...

Opinione

opinion

Ndue Ukaj

Njëqindvjetori i lindjes së Nënë Terezës dhe Katedralja e Prishtinës

Në piedestalin e personaliteteve më të mëdha të njerëzimit, Nëna Terezë zë vendin më meritor. Ajo ishte dhe mbetet e pakrahasueshme

më shumë...

Cloudy

19°C

Prishtina

Cloudy

Humidity: 78%

Wind: N at 0 mph

Copyright © 2010 Infopress - Infopress
Te drejtat jane te rezervuara