Sëpata e Tenedit në dorë të Piter Fejtit!
E martë, 11 Maj 2010 21:35
Kimete Berisha

Mbreti Tened (holandez) e kishte zakon t’i dëgjonte proceset gjyqësore me sëpatë në dorë dhe, ende pa u gjykuar çështja, e godiste me sëpatë në kokë fajtorin e supozuar (cituar sipas Luca d’Ascia, nga Erazmi i Roterdamit). Erazmi nga Roterdami (humanist, teolog, filozof), sentencën e fundit të veprës “Adagia” (botimi 1508) e titullon “veshët holandezë”, ku vë në pah karakterin indiferent të holandezëve. Këtë konstatim ia vërtetojnë shekujt më vonë (një shembull) ushtarët holandezë qëndruan indiferentë, me gjakftohtësi shikonin me sytë e tyre serbët duke masakruar gra e fëmijë boshnjakë në Bosnje. Duke vënë në pah pamjen e butë të holandezëve, (shoh Baby-Look-un e Piter Fejtit), Erazmi vë në dukje vesin më të “bukur” të holandezëve që është - qejfi pa kufij. “Nuk dinë ta kontrollojnë pasionin, jepen tepër pas kënaqësive, sidomos u prishet mendja nga gostitë”. Duke parë krizën morale të bashkëkombësve qejfli holandezë, Erazmi shkroi esenë arketipe “Lavdi marrëzisë”.

 

1. (Ku gjen butë - Misioni BE gërvallet “Jude Raus”)

 

Kush desh u çart kur kuptoi se firma gjermano-ruse “Strabag” nuk e fitoi tenderin për autostradën Morinë-Merdar? Tenderin e fituan amerikanët dhe turqit që nuk janë misionarë të BE-së në Kosovë, nuk janë sundimtarë (të “ligjit”) në Kosovë.  Fejtit mbase “i lëvizi” diçka emocionale, posa Qeveria refuzoi tenderin e “Strabag”-ut. Kjo kompani, sivjet (2010) fitoi tenderin për të ndërtuar kuarte qyteti në vendlindjen e tij Roterdam, (hotele,  rrugë, ndërtesa biznesi… në koston prej 170 mil. euro). As Dr. Hans Peter Haselsteiner, shef i kompanisë “Strabag” nuk u bë kaq nervoz sa u bë nervoz Piter Fejti në Dablin. Disa spiunë (shqiptarë) ndërkombëtarë në Zyrën e “Mëhallës së Boshnjakëve” në Mitrovicë, nëpërmjet komunikimeve të tyre me e-mail, supozojnë (me emra konkretë) aksionarë misionarë në Kosovë të firmës “Strabarg”.

Është hera e parë që në Kosovë nervozohet Piter Fejti dhe hera e dytë që firma “Strabag” nervozohet me shqiptarët. Kjo firmë gjermano-ruse nga Austria, ndërtuese autostradash, së pari u bë nervoz me Fatos Nanon, e herën e dytë me Fatmir Limajn. Sa herë “Strabag” bëhet nervoz nëpër vende tjera si p.sh. në Ruandë, atje bie qeveria!  Për një fije floku, siç e dimë, shpëtoi pa ra Qeveria e Kosovës nga nervoza e “Strabag”-ut. Zemërimi u zgjerua me shpejtësi dhe përfshiu krejt “bashkësinë ndërkombëtare” deri në Dablin. Këtë zemërim më së miri e shprehu EULEX-i duke invaduar mbi Qeverinë e Republikës së Kosovës me forca të armatosura. Aty nuk bërtitën “Jude Raus”, më me ëndje do të bërtitnin “Albanian Raus”, por EULEX-i e ka të ndaluar ta përmendin fjalën “Albanian”! Tipat pos që janë nervozë, plus janë të armatosur.

Nga bastisja e tipit (Jude - Raus) që “Strabag” e bëri në MTPT, zyrtaret (femra) të ministrisë shpëtuan lehtë, me pak trauma vetëm psikike, por jo me lëndime fizike, sepse nuk i rrahën dhe asnjëra nga ato nuk u vra në vendin e ngjarjes. Disa femra zyrtare që nga ajo ditë ende janë në pushim mjekësor! Po them shumë lehtë shpëtuan, sepse “Strabag”-i e ka zanat t’i traumatizojë “terroristët ekonomikë”, kurse “terroristët politikë” i rrjep për së gjalli, si në Ruandë. Zyrtaret e sëmura (femra) ma përshkruan “shtetrrethimin” e “Strabag”-ut si skena filmash të pasinkronizuar të Karate Kidit. Por prej nga e dimë që ky “film-aksion” i shfaqur në MTPT ishte i pasinkronizuar? E dimë sepse policët e “Strabag”-ut gërvalleshin gjermanisht, duke nënçmuar zyrtarët me “raus”, “raus”, “raus” - fjalë kjo që u përdor gjatë holokaustit (Jude – Raus) që do të thotë “Jashtë hebrenjtë”! Por këta thanë vetëm Raus (jashtë), sepse (përsëris) emri i kombit Albanian ndalohet në EULEX dhe në gazeta editorësh të lidhur me “Gazprom”-in. I pështetën për muri femrat zyrtare të MTPT-së, me duar përpjetë, pasi më parë i preknin nëpër trup t’i kontrollonin mos ishin të armatosura, pastaj i shtynin të dilnin jashtë, pa i lënë t’i merrnin me vete çantat personale të dorës. Ju kujtohen paramilitarët serbë dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë? Masat e dhunshme.

 

2. (Figurat e korruptuara të BE-së dhe të OKB-së)

 

Por reputacioni i “Strabag”-ut, si një kompani e madhe ndërtuese e autostradave, nuk ka rënë kur Qeveria e Republikës së Kosovës ia refuzoi tenderin për Morinë-Merdar; nuk ka rënë as me rastin e invadimit të EULEX-it në MTPT, por ka rënë në vitin 2007, kur u zbulua skandali i saj korruptiv në Karaibe, që shkaktoi një vrasje të dyfishtë të një inxhinieri të ri (të “Strabag”-ut) dhe të dashurës së tij. Tek të vrarët policia gjeti një shumë marramendëse të parave të “pashpërlara”. Hetimet çuan te implikimi i kompanisë “Strabag” në këtë krim të rëndë. Në atë kohë, “Strabag” po ndërtonte autostradën A-72 në Bavari. Hetimet vërtetuan fakte se përfaqësues të “Strabag”-ut futën paratë në xhepat e tyre, (jo në bankë), në vend se t’i paguanin punëtorët, mjetet e punës, organizatorët dhe aranzheret që e kryen ndërtimin e autostradës A-72. Policia ofroi raporte mediale ku thuhet se “Strabag” kishte bërë keqpërdorime me çmimet e materialit ndërtues. Ka mashtruar kontraktorin e A-72-shit, duke faturuar materiale që nuk janë blerë kurrë, janë faturuar punë fiktive, të pabëra. Me paratë “e fituara” në këtë mënyrë të përgjakur, “Strabag” ka paguar (individë konfidencial), që ishin figura të njohura nga Parlamenti Evropian dhe zyrtarë të lartë në OKB, disa prej të cilëve janë aksionarë “secret” të firmës. Policia gjermane ka hetuar 6 persona të njohur në skenën politike të implikuar në “Strabag”, dhe ka konstatuar korrupsionin me qindra miliona euro. Njëri nga inxhinierët e “Strabag”-ut, mbas një heshtjeje të gjatë, e ka pranuar se kompania ka korruptuar me mito funksionarë të lartë të BE-së. Në Gjermani “Strabag” ka ndërtuar dhjetëra rrugë, dhe ka dyshime të bazuara se të gjitha rrugët e ndërtuara nga kjo kompani (jo vetëm A-72 në Bavari) janë bërë në mënyrë korruptive.

Merreni tash me mend çfarë pune ka planifikuar të kryejë në Kosovë kjo kompani (gjermano-ruse nga Austria)!

A u dëshpërua EULEX-i që “Strabag” nuk e fitoi tenderin për rrugën Morinë-Merdar? Nuk e di. Por duke u nisur nga gjuha publike e funksionarëve të tij që tashmë haptas kërcënohen me fjalorë rrugësh, del se nervoza i ka shtyrë në hakmarrje! Nuk ia dolën ta bindin Qeverinë e Republikës së Kosovës, siç e bindën Qeverinë e Holandës, duke i thënë preferencë “Strabag” që ky ta fitojë tenderin (2010) për të ndërtuar infrastrukturë në Roterdam.

 

3. (Lidhjet e rrezikshme me partitë socialiste)

 

Mediet evropiane shkruajnë se “Strabag” është kompani ndërtuese, por e specializuar edhe për raporte të forta “politike” me Partitë Socialiste të të gjitha shteteve të Evropës. Në këtë linjë socialiste, “Strabag” kishte lidhje të forta me Fatos Nanon, kështu më 2004 në Shqipëri “Strabag” nënshkroi një marrëveshje me Qeverinë e Nanos, për të ndërtuar rrugën Rrëshen-Kalimash, por, kjo marrëveshje u shfuqizua, por nuk u vra askush. Nano është ende gjallë, as nuk u arrestua Pandeli Majko, vetëm ra Qeveria Nano. Ani çka! Më mirë të bjerë qeveria se sa të të vrasin! Vetëm në Kosovë dhe në ShBA nuk ka fat “Strabag”, shkaku se as në Kosovë as në ShBA Partitë Socialiste s’janë faktorë.

Në Kosovë, ku mbretëron terri informativ, dhe ku nuk dihet për anën e errët të biografisë së kësaj kompanie, “Strabag” ka provuar të kthejë reputacionin e humbur në Karaibe, në Ruandë, në Gjermani, në Austri, në Hungari dhe gjithandej nëpër botë.

Nuk mund t’i eskivoj këtu apozicionit Bosnje-Kosovë. Me një fjalë, Bosnja nuk është larg sa të mos mund të merret vesh se atje, “Strabag” i ka zhagitur pesë vjet me radhë punët e kontraktuara për autostradën Banjallukë-Dobiq (dhe rrugë tjera), në vlerë prej 3 miliardë euro. Dhe nuk dihet edhe sa vjet do të vazhdojë t’i zhagisë, mbasi që tenderi u bë jashtë rregullave të konkursit dhe kontrata ia garanton “Strabag”-ut t’i ketë në shfrytëzim edhe për 45 vjetët e ardhme rrugët kryesore të Bosnjës. Zhagitjen e punëve nuk ua problematizon penalisht dora vetë Milorad Dodik, me të cilin “Strabag” ka marrëdhënie të forta. E di “Dodi” çka e gjen, nuk është “Strabag”-u Gjyq i Hagës. Mbase veç pse nuk është Gjyq i Hagës (falë lidhjes holandeze Bosnjë-Serbi-Rusi) “Strabag” ndërton ura dhe projekte të mëdha, të cilat i menaxhon në konfidencialitet të thellë me personalitete të qeverisë dhe presidencës së Serbisë.

 

4. (Njëmbëdhjetë milionë euro mito)

 

Se kush janë holandezët prokurorë dhe ata të zyrave të ndryshme në Kosovë më së miri kuptojmë nga gazeta austriake “Profil”, e cila boton më (2008) dokumentacione që vërtetojnë korruptimin e përfaqësuesve të Partisë Socialiste të Hungarisë dhe Aleancës së Demokratëve të lirë, të cilët kanë marrë 11 milionë euro mito nga “Strabag”, për të nënshkruar kontrata të dyshimta tenderësh. Por, edhe gazeta Die Press (më 2006) shkruan, se nëpërmjet PR Eurocontakt, “Strabag” u ka dhënë mito politikanëve hungarezë. Jepet edhe lista e aksionarëve të saj në konspiracion, dhe besojmë se këtë listë e ka lexuar ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të EULEX-it, (holandez edhe ky) Johannes van Vreeswijk, (i cili shquhet për një fjalor “privat”,  nuk përdor terminologji jurisprudence, por flet një gjuhë të rrugës, një rap-gjuhë, si për shembull: “djersitu”, “trembu” “shihmi muskujt e mi”, “janë muskujt e drejtësisë”, etj.) Drejtësia me muskuj dhe me armë i ka hije vetëm sundimtarit honadez, mbretit Tened me sëpatë në dorë. Që s’e ka lexuar listën me emra aksionarësh të “Strabarg”, është mirë ta lexojë këtë listë, dhe do të shohë kë e ka afër zyrave të tij në Prishtinë.

I zënë  me “pelë përdore”, dr. Hans Peter Haselsteiner, shefi i “Strabagut” (deputet shumëvjeçar i Parlamentit të Austrisë) e ka pranuar se ka dhënë 15 milionë euro ryshfet Agjencisë PR Eurokontakt, dhe thotë se këto para të “Strabagut” nuk i konsideron mito, por i konsideron - ndihmë, siç thotë ai, për “demokracinë hungareze”. Këtë aferë korruptive firma e ka bërë për marrjen e një kontrate për ndërtim të një spitali hungarez me ndihmën e ish-kryeministrit (sot miliarder) hungarezit Ferenc Gyurcsany, përfaqësues “nën hije” i “Gazpromit” të Vladimir Putinit. Po kjo Agjencia Eurocontakt, po rekruton editorë gazetash (tanimë haptas edhe në Kosovë) po rekruton politikanë të njohur, si tipi i Shrederit, i cili me rastin kur pranoi ofertën e “Gazpromit” që të jetë bashkëdrejtues me kgb-istin Vladimir Putin në Gazsjellësin e naftës Noard Stream AG, me këtë rast, Tom Lantos-i, ish-kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të ShBA-ve, Shrederin e quajti “prostitutë politike”. Me një rast, agjencia e “Gazpromit” (Eurokontakt) Parlamentarëve Evropianë u dha në dispozicion shumë aeroplanë privatë për të shëtitur “ekskursion” nëpër vende të Siberisë, që këta të shihnin me sytë e tyre resurset e pashtershme natyrore të Rusisë. Nuk kam gjetur asnjë të dhënë që mund të dëshmonte se në këtë “shëtitje” me (shumë) aeroplanë privatë rusë të “Gazpromit” ka shëtitur nëpër Siberi edhe zoti i nervozuar Piter Fejt, që shpresojmë se së shpejti do të jetë ish-shef i ICO-së në Kosovë.

 

5. (Kryemafiozët rusë në Kosovë)

 

Më 2009, në Ruandë, zyrtarët e “Strabag”-ut u akuzuan për konspiracion, mito dhe lidhje korruptive me Qeverinë e Ruandës, lidhur me investimin më të madh financiar të ndërtimit të vendit në tenderin që kishte fituar “Strabag”-u. Si pasojë, janë arrestuar dhjetëra zyrtarë qeveritarë, përfshirë edhe sekretarin permanent të Ministrisë së Infrastrukturës, Vincent Gatëabuyenge, që kishte krijuar rrethana lehtësuese që “Strabag” t’u shmangej pagesave që kishte obligim.

Edhe AKR-së (shefit të saj, Pacollit) iu prish disponimi që “Strabag” nuk e fitoi tenderin për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdar (për këtë arsye Pacolli nuk mori pjesë në inaugurimin e autostradës), sepse Pacollit i pëlqen të bëhet mik edhe me rusin Oleg Deripaska, aksionar me 30% aksione në “Strabag”, person non grata në ShBA, i ndjekur nga FBI, hetohet për shpëlarje parash dhe lidhje me krimin e organizuar (Lexo: The Fiancial Times, 25 janar 2010).

Qeveria e Kosovës nuk e refuzoi “Strabag”-un për ta nervozuar Piter Fejtin, por për t’i thënë JO kompanisë që hetohet për keqpërdorime në Gjermani, Austri, Ruandë, Hungari (për shmangje të tatimit), dhe për lidhje me kryemafiozët rusë.

Por, Kosova është vend i befasive, siç ka konkluduar edhe vetë zoti Piter Fejt. Ky ka deklaruar se populli i Kosovës është befasues, i paparashikueshëm, pra, është popull që të lë pa mend, dhe këtë e kupton vetëm në rastet kur mafiozët gjermano-rusë të “Strabag”-ut dhe gazetarë politikanë shqiptarë (të rekrutuar në Eurokontakt) përpiqen ta bëjnë budallë këtë popull të varfër shqiptar.

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
mesi_i_arte2
Editorial

editorial

Patrick Moore

"Tri zgjidhje janë të mundshme..."

Në fund të muajit gusht, OJQ-ja ndërkombëtare me bazë në SHBA, Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG)

më shumë...

Opinione

opinion

Ndue Ukaj

Njëqindvjetori i lindjes së Nënë Terezës dhe Katedralja e Prishtinës

Në piedestalin e personaliteteve më të mëdha të njerëzimit, Nëna Terezë zë vendin më meritor. Ajo ishte dhe mbetet e pakrahasueshme

më shumë...

Cloudy

19°C

Prishtina

Cloudy

Humidity: 78%

Wind: N at 0 mph

Copyright © 2010 Infopress - Infopress
Te drejtat jane te rezervuara