Liria e fjalës dhe ligji
E martë, 11 Maj 2010 21:34

Daut Duriqi

 

Problemi i lirisë së shtypit në demokracitë e reja nuk zgjidhet me agresion ndërmedial dhe sipas preferencave politike (pushtet – opozitë), por me emancipimin e pushtetit, profesionalizimin e medies dhe edukimin e publikut (qytetarit), duke e pasuruar legjislacionin e vendit, veçanërisht për sa i përket qasjes në dokumentet zyrtare

Në secilën shoqëri, qoftë ajo edhe me demokraci të zhvilluar, gjithnjë do të gjendet dikush që nuk do t’i pëlqejë lajmi i publikuar ose do të ndërmarrë hapa abuzivë për ta parandaluar publikimin e ndonjë lajmi, dhe në këtë aspekt asnjë qeveri nuk mund ta kontrollojë secilin individ për të mos kritikuar, kërcënuar apo penguar gazetarët në punën e tyre. Liria e shtypit në Kosovë është  kategori kushtetuese, pra e garantuar me aktin më të lartë juridik të vendit, por në fushën e tregut medial dhe të vetë lirisë së shtypit, Kosovës i mungon legjislacioni adekuat, posaçërisht për sa i përket qasjes në dokumente zyrtare (kush e përcakton të qenët sekret të një dokumenti, për sa kohë dhe në cilin ligj mbështetet një ndalesë e tillë?)

Në anën tjetër, secili pushtet edhe në demokracitë e konsoliduara e dëshiron përqafimin nga media, mirëpo shumëçka varet nga vetë media se si do të sillet ndaj pushtetit dhe ndaj publikut. Prandaj lehtësimi i procedurave për qasjen në dokumentet zyrtare do t’ua lehtësonte punën edhe gazetarëve edhe politikanëve, të cilët nuk do të mundin me asnjë shpjegim që ta ndalonin publikimin e një dokumenti sado komprometues qoftë për të, ngase këtë do ta rregullonte ligji dhe kjo është ajo që i duhet medies së lirë në Kosovë.

Problemi i dytë i tregut medial në Kosovë, që njëanshëm po trajtohet nga disa opinionistë dhe pronarë mediesh,  është shpërndarja e reklamës publike, përkatësisht e faqeve të marketingut të institucioneve të shtetit, sepse në Kosovë nuk ka ndonjë dispozitë që e rregullon këtë sferë, e cila fatkeqësisht ndikon në vetë pavarësinë e medieve dhe paanësinë e tyre, sepse edhe vetë gjermanët po t’i pyesësh se si do të vepronte një medium karshi ndonjë afere financiare, që mund të shpërthejë në akëcilën kompani që reklamon me vlerë prej miliona eurosh mallrat apo shërbimet e saj, do të thonë se dora të cilën e ushqen nuk prehet!

Pra, harrohet në këtë kontekst se “Koha Ditore”, “Zëri” etj. kanë shumë më tepër reklamë biznesesh dhe të kompanive publike, sesa “Infopress” apo “Epoka e re” dhe “Express”. Pra edhe në këtë aspekt duhet shikuar shpërndarjen jo të balancuar të reklamës. Në anën tjetër edhe Presidenti i vendit, ministritë e LDK-së dhe komunat e saj reklamojnë kryesisht në dy gazeta, “Bota Sot” dhe “Prishtina Post”.

Në këtë plan, si mund të ruhet pluraliteti i medies si vlerë demokratike e të përjashtohet nga tregu gazeta “Infoopress”? Kjo është jo vetëm qasje egoiste, por dhe mendësi moniste.

Prandaj kjo sferë duhet të rregullohet me ligj, duke e përmirësuar legjislacionin ekzistues dhe duke u mbështetur në parametrat realë të tregut medial, duke pasur parasysh medien, jo vetëm si biznes, por edhe si emancipuese të pushtetit dhe publikut dhe si një nga instrumentet në duart e publikut për ta kontrolluar pushtetin politik, dhe si mjet për të kërkuar llogaridhënie për politikat dhe paranë publike. Kjo ndarje e balancuar e reklamës publike duhet të bëhej në bazë të parimit të pluralitetit dhe shumësisë së të vërtetave politike, pra duke marrë secili subjekt medial hisen e vet të reklamës së institucioneve të shtetit, në bazë të besueshmërisë, paanshmërisë, tirazhit, shikueshmërisë apo dëgjueshmërisë së saj.

Kësisoj edhe media e pavarur, por edhe mediet që themelohen nga parti politike e grupe të interesit, madje edhe media e grupeve margjinale në shoqëri (bizneset, shoqatat e qytetarëve etj.) do t’i mbijetonte kushtet e tregut të lirë dhe kështu do të ruhej pluraliteti medial, pa të cilin nuk mund të merret me mend një demokraci.

Përndryshe shoqëria kosovare dhe pushteti politik duhet t’u shmangen kualifikimeve të konkurrencës (nuk ka treg medial pa konkurrencë) si “antiqeveritare”, sepse nëse ka të tilla, atëherë pavetëdijshëm pranohet se Kosova paska edhe media qeveritare. E ky polarizim nuk i ndihmon publikut që ta ruajë të drejtën për t’u informuar drejt dhe me kohë, por as pushtetit që t’i evidentojë të metat eventuale dhe t’i riparojë ato.

Në Kosovë ka media kritike dhe më të balancuara, më të afërta me grupe interesash dhe më të pangjyra dhe pikërisht kjo e ndërton arkitekturën e një media plurale në një vend po ashtu plural dhe demokratik. Nga ky fakt nuk duhet të frikësohet askush.

Më së paku gazetarët, të cilët duhet të jenë më kërkues ndaj pushtetit politik, por edhe ndaj biznesit të lajmit, ata duhet shumë më tepër t’i kushtojnë vëmendje pozitës së tyre në shoqëri, të kërkojnë me këmbëngulje mbrojtje të të drejtave të tyre me ligj (ligj pune), duke ngritur edhe sindikatat e tyre, dhe jo të lejojnë të shndërrohen në anues emotivë të partive politike dhe liderëve të tyre (pra të manipulohen qoftë nga politika, qoftë nga bizneset dhe grupet e interesit), por gazetarët duhet të ngrihen në argumentues pasionantë të lajmit, i cili, nëse nuk shoqërohet me fakte autentike nga zyra publike, mund të jetë vetëm version i së vërtetës, por jo edhe thelbi i saj.

Liri fjale ka në Kosovë, por problemi është se sa ajo mundet realisht të dokumentohet dhe mbase, kjo duhet të jetë lufta e gazetarisë së pavarur, që të ketë mundësi në çdo kohë të dokumentojë lajmet që shpesh thuhen si “sekrete publike”, pra përmes qasjes në dokumentet zyrtare si të vetmin mekanizëm që lajmin e bën të padiskutueshëm, për çfarëdo qoftë.

Vendose në:

Facebook    StumbleUpon   
 
mesi_i_arte2
Editorial

editorial

Patrick Moore

"Tri zgjidhje janë të mundshme..."

Në fund të muajit gusht, OJQ-ja ndërkombëtare me bazë në SHBA, Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG)

më shumë...

Opinione

opinion

Ndue Ukaj

Njëqindvjetori i lindjes së Nënë Terezës dhe Katedralja e Prishtinës

Në piedestalin e personaliteteve më të mëdha të njerëzimit, Nëna Terezë zë vendin më meritor. Ajo ishte dhe mbetet e pakrahasueshme

më shumë...

Cloudy

20°C

Prishtina

Cloudy

Humidity: 73%

Wind: N at 0 mph

Copyright © 2010 Infopress - Infopress
Te drejtat jane te rezervuara