| Stereotipi Unë |
| E diel, 11 Prill 2010 19:35 | |
|
Visar Duriqi
Ditë më parë në njërën prej ambienteve artistike alternative në kryeqytet, në kafenenë "Ditë e Natë" u shfaq "Kulla e Sahatit", film nga Arzana Kraja. Edhe pse filmi tashmë nuk ishte premierë, e pati lezetin e vet për t'u parë në ambient të tillë. Këtë efekt ia shtoi edhe më shumë një debat që pasoi me regjisoren. Debati qe relativisht i gjatë, ku u diskutua që nga koncepti filozofik i filmit e deri te aspektet teknike të tij. Fatkeqësisht, krejt këtë harmoni, si të filmit ashtu edhe të debatit, ma prishi një pyetje me koment e personit që e drejtonte debatin (pak rëndësi ka se cili ishte), i cili tha: "Filmi nuk është UÇK, nuk është Adem Jashar, nuk është Skënderbe, tregomë qysh e priti publiku?!". Nga kjo, mu mbush mendja, që atij djalit iu kishte mbushur mendja që në Kosovë "na e kanë zënë frymën" filmat për luftën tonë të lavdishme. Bash u mendova dhe nisa t'i numëroj në gishta filmat që janë bërë për këtë qëllim, po çuditërisht nuk mu harxhuan as gishtat e njërës dorë. Ndoshta kam më shumë se pesë gishta në një dorë, por më doli që më pak se pesë filma artistikë, me shirit filmi, janë bërë për luftën e fundit në Kosovë. Dhe duke pasur parasysh këtë fakt, atëherë me dolën vetëm dy arsye që e shtynë këtë djalë të e jap këtë koment. Ai ose është i painformuar, ose (Zoti na ruajt) ka averzion ndaj UÇK-së, Adem Jasharit, Skënderbeut.... Nëse edhe as njëra e as tjetra nuk qëndrojnë si arsye për këtë koment, atëherë prapa tij sigurisht qëndron koncepti që nuk është vlerë dhe është e dalë kohësh të bësh film për luftën dhe heronjtë që i kem (se ne duhet të krijojmë vlera e të flasim për "tema të mëdha"). Por, lirisht mund të themi që vetë koncepti i tillë është i dalë mode. Që me i vu kapak, që nuk është e jashtë kohës të bësh film për luftën dhe heronjtë, shembull shumë të freskët kemi ceremoninë e fundit të çmimeve "Oskar". Aty, si filmi më i mirë, u shpall filmi "The Hurt Locker", një propagandë e pastër amerikane për luftën në Irak, ku ushtarët amerikanë paraqiten si engjëj. Ky film madje fitoi para filmit "Avatar", që është revolucion në vete në kinematografi. Krejt kjo ngjau pasi që amerikanët gjithnjë e kanë konsideruar si të kohës bërjen e filmave për heronjtë e vetë dhe gjithë kjo u ka funksionuar (si për rastësi, filmi "Kulla e Sahatit" në përgjithësi kritikon që ne e kemi huqur bashkëveprimin me kohën). Komenti i lartcekur i moderatorit të debatit me Arzanën, fatkeqësisht, tregoi më shumë se gjithë këto që thamë. Ai tregon që ne ndihemi keq që jem këta që jem, dhe në përgjithësi kemi krijuar stereotip për vetën. Ne ndihemi keq të merremi me temën e luftës, se kjo mund t'i pengojë "friendsat" tanë në UNMIK, EULEX, facebook etj. Edhe pse e gjithë kjo mund të tingëlloi si "tepricë patriotike" (e që nuk është ashtu), prapë nuk ndihem keq. Para se të ndihemi keq që kemi pasur një luftë, si pasojë e së cilës kemi shtetin, duhet të ndihemi krenar për të. Para se të mendojmë që art mund të bëhet veç me tekste shekspiriane, duhet t'i kërkojmë tregimet brenda vetë kësaj luftës së fundit, që shumë prej tyre janë mrekulli në vete. Mendoj se para se të kopjojmë vlerat e të huajve, është mirë t'i duam më shumë vlerat tonat. Përfundimisht, njëherazi me filmat artistikë për tema filozofike, si "Kulla e Sahatit" duhet të bëjmë edhe filma për UÇK-në, për Adem Jasharin, për Skënderbeun... Nëse për asgjë tjetër, këtë duhet ta bëjmë pasi që në Kosovë kemi Qendrën Kinematografike të Kosovës (që ka financuar edhe "Kullën e Sahatit), e mund ta kishim "Centar Kinematografie Kosova i Metohije" dhe kemi për drejtor të saj Zeqir Hamitin, e kush e di kë mund ta kishim! |