| Gënjeshtrat e bukura! |
| E enjte, 08 Prill 2010 22:58 | |
|
Antigona Uka
Tanimë mund të ulen perdet. Shfaqjet e Lufti Hazirit kanë marrë fund. Më nuk do të japë deklarata të ashpra drejtuar Qeverisë, lajmërime për braktisje të koalicionit qeveritar të LDK-së e të tjera si këto. Tash nisin shfaqje të tjera. Pas një varg akuzash drejtuar Qeverisë, Haziri zgjodhi të bëhet pjesë e saj. Na bindi se lakmia për karrige tejkalon çdo pengesë. Thonë, jepi pushtet po deshe ta njohësh një njëri, por në rastin e Lutfi Hazirit, vlen edhe e kundërta. Ngulmi i tij për të qenë në pushtet, më saktësisht ekzekutues i pushtetit, të kujton një tjetër thënie, se dikush nuk zgjedh mjetet për të arritur qëllimin. Ministri Haziri dëshmoi se tërë lufta e tij nuk ishte kritikë e mirëfilltë drejt Qeverisë, se nuk ishte i shqetësuar për proceset, për jetën e qytetarit, të votuesit të tij. Në fakt, lufta e tij, deklaratat e tij, ishin një shenjë revolte pse ai ishte jashtë ushtrimit të pushtetit. Nuk i mjaftonte të qenët deputet dhe privilegjet e shumta që sjell ky funksion. Të qenët ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në mandatin e kaluar ia kishte lënë shijen e mirë Hazirit. Ndaj donte ta ripërtërinte edhe njëherë këtë ndjesi. Tash e gjejmë në krye të Ministrisë së Kulturës. Dhe lind pyetja: a mund të jetë ai kaq universal, kaq i gjithëdijshëm?! Çka pritet të bëjë Haziri për kulturën, sportin dhe rininë e Kosovës?! Ç'rëndësi ka! Ai ia ka arritur qëllimit. Se ku, në një fushë që e njeh, apo jo, as kjo s'ka rëndësi! Para se të formonte kabinetin e tij qeveritar, kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ia kishte ofruar tri alternativa presidentit aktual të Shqipërisë, Bamir Topit. I kishte ofruar atij të udhëhiqte njërën ministri. Topi kishte refuzuar, më pas i ishte bërë një tjetër ofertë, për një tjetër ministri. Topi sërish kishte refuzuar. Tri oferta, për tri ministri kishin marrë vetëm një përgjigje. JO-ja ishte përligjur fare thjesht. "Nuk e shoh vetën kompetent për të udhëhequr asnjërën nga këto ministri", ishte përgjigjur atëbotë presidenti shqiptar. Publikimi i këtij fakti ngriti akoma më lart imazhin e Topit para qytetarëve. Në Kosovë diçka e tillë duket e pamundur të ndodhë. Të refuzosh karrigen e ministrit, sipas logjikës së shumë politikanëve tanë, i bie të jesh i lajthitur. Pastaj, nëse kihet parasysh një tjetër thënie për politikën, sipas së cilës "politika është arti i mashtrimit", i bie që nuk duhet refuzuar poste të tilla. Se sa je i përgatitur, a ke njohuri për lëmin që zgjedh ta drejtosh nuk çon shumë peshë. Praktika e të pushtuarit të një pozite, pavarësisht përgatitjes dhe meritave për të, vërehet edhe në nivelet më të ulëta. Njerëzit gënjejnë gjatë plotësimit të aplikacioneve për punë, duke "rritur" aftësitë e tyre, por kur përballen me zbatimin e këtyre njohurive sharra hasë në gozhdë. Sipas një studimi të kryer në ShBA, 33 për qind e personave që aplikojnë për punë, gënjejnë gjatë plotësimit të aplikacionit. Po pavarësisht që gënjeshtra nuk arsyetohet në asnjë formë të saj, njerëzit e papunë arsyetohen kur "rrisin" aftësitë e tyre, sepse kanë nevojë të punojnë. Fundja duan të kenë një punë e cila u mundëson të bëjnë një jetë të dinjitetshme. Por, pranimi i postit të ministrit veç pse je i etur për pushtet, pavarësisht që s'merr erë nga sektori përkatës, është njëmend i papranueshëm. "Më mirë është një e vërtetë e hidhur, se një gënjeshtër e bukur". Ndaj ministrit Hazirit duhet t'i tregojmë që në start se pakkush është gëzuar për ardhjen e tij në krye të Ministrisë së Kulturës. Se pakkush e sheh si kompetent në krye të kësaj ministrie. Artistja që me siguri se është gëzuar për postin e ri të Hazirit, dhe që e sheh si kompetent, është gruaja e tij, këngëtarja dhe anëtarja e ansamblit kombëtar të këngëve dhe të valleve "Shota", Myrvete Bajrami. Të tjerët mund t'i thonë gënjeshtra të bukura ministrit. |
| Editorial |
Shteti mbi të gjitha!Shteti i Kosovës edhe një herë pritet të përballet me Serbinë. Kësaj radhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së |
| Opinione |
|
Patrick Moore |
Çka tash, Herr Vestervelle?Javën e kaluar, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, e bëri një vizitë zyrtare në Kroaci, Serbi dhe Kosovë |
13°C
Prishtina
Partly Cloudy
Humidity: 88%
Wind: NE at 8 mph



