|
Patrick Moore
Një njësi apo një koleksion?
Presidenti slloven, Danilo Turk, deklaroi për Radion Federation BiH gjatë javës së kaluar se "Evropa e ditës së sotme është një Evropë e integruar, jo vetëm shuma e shteteve nacionale individuale. Për atë arsye, ata që dëshirojnë të jenë pjesë të Evropës duhet të pranojnë... principet bazë të integrimit dhe (të demonstrojnë) një aftësi për të formuar lidhje me të tjerët". Këto janë shumë fjalë të mira. Kosovarët kanë dëgjuar tone të tilla mjaft shpesh. Por rezultatet e Samitit të BE-së më 25 mars në Bruksel rreth krizës së borxhit të grekëve, sugjeruan se së paku disa prej shteteve anëtare të BE-së vendosin interesat e tyre kombëtare në rend të parë - dhe kanë për qëllim ta bëjnë këtë edhe gjatë së ardhmes. Fjalët e presidentit slloven përfaqësojnë shumicën e etikës që ka udhëhequr atë që tani quhet Bashkim Evropian, prej ditëve kur filloi si një seri e "komuniteteve" të specializuara apo agjenci, në vitet 1950-ta. Ideja themelore ishte që integrimi evropian do të parandalonte një luftë tjetër evropiane. Elementi esencial ishte se Franca dhe Beneluksi do të formonin lidhje me Gjermaninë (dhe Italinë) në një\ mënyrë aq të afërt saqë Gjermania do të ishte e paaftë ose nuk do të kishte dëshirë të formojë një të ardhme vetëm për vetën e saj apo armiqësore ndaj fqinjëve perëndimorë, sikurse që ka bërë në vitin 1914 dhe 1999. Në vitin 1993, ajo që filloi në vitin 1995 si komuniteti evropian për thëngjill dhe hekur me gjashtë anëtarë, u bë BE-ja shumë më e integruar, që sot numëron 27 anëtarë. Blloku me bazë në Bruksel nuk konsiderohet më në rend të parë (apo në rend të dytë) një trup që promovon paqen, por në vend të kësaj një grup që ka si synim zgjerimin e prosperitetit ekonomik, demokracisë dhe normat dhe vlerat e zakonshme, duke përfshirë edhe gjyqësorin. Qytetarët e Kosovës e dinë këtë shumë mirë.
Roli i Gjermanisë ka ndryshuar gjatë dekadave të fundit prej fëmijës problematik të kontinentit në motor të rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Në veçanti nën kancelarin Helmut Kohl (1982-98), Gjermania ka vepruar si përkrahëse e zgjerimit evropian, si mbrojtëse e interesave të shteteve më të vogla anëtare të Evropës dhe si shtyllë për aleancën e NATO-s me Shtetet e Bashkuara. Nëse ishte e nevojshme, Qeveria gjermane do të paraqitej me çekun e saj dhe me sasitë e mëdha bujare të markave të qëndrueshme gjermane aty ku ishte nevoja, për të promovuar atë që e konsideronte si cak të Evropianëve. Sot, vendimet themelore të rëndësishme në BE në rend të parë arrihen mes kancelarit gjerman dhe kryeministrit francez, të cilët më pas këshillohen edhe me aktorë tjerë kyç, siç janë kryeministri britanik dhe ai spanjoll, dhe zyrtarë tjerë të lartë në Bruksel. Pas kësaj, dhe vetëm pas kësaj, shtetet më të vogla anëtare kanë një mundësi të vërtetë për kyçje.
Kjo ishte mostra që u përcoll në vitin 2009 me zgjedhjen e presidentit të ri të Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, dhe me përfaqësuesin e lartë, apo ministrin e Jashtëm, që është Catherine Ashton nga Britania e Madhe. Njerëz të profilit të lartë, e politikan kontrovers sikurse ish- kryeministri britanik Tony Blair dhe kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker nuk kanë pasur asnjë mundësi. E as që ka pasur dikush tjetër nga Evropa Lindore.
Procesi i njëjtë i vendimmarrjes u shpalos në javët e fundit kur trajtohej kriza e borxhit grek, që ka pasur ndikim në të gjitha 16 shtetet që janë anëtare të plota të euro-grupit. Për shkak se Gjermania dhe Franca nuk janë vetëm ekonomi të mëdha në euro-grup, por gjithashtu janë edhe kreditorët kryesorë të Greqisë, roli i tyre në vendim-marrje në BE në krizën greke është bërë më shumë se i dukshëm. Niveli i borxhit të Greqisë ka arritur në 12.7 për qind apo më shumë se katër herë limiti i lejuar nën kriterin Maastricht, që trajton euron si valutën e përbashkët të BE-së.
Një "Hydra" me tri koka
Problemi grek është mjaft serioz. Në rend të parë, vetëm në rast se nëse qeveria e George Papandreou merret në mënyrë efikase dhe të shpejtë me borxhin, Greqia ka rrezik potencial për falimentim, gjë që mund të shkatërrojë tërësisht ekonominë e saj. Kjo është ajo çfarë ka ndodhur me Argjentinën në 2001-02, kur ky vendi ndaloi shërbimin e borxhit prej 1.000.000.000.000 dollarë. Pjesë e problemit të Argjentinës ishte se valuta e saj ishte e lidhur me dollarin Amerikan, që ishte thjeshtë tepër i fuqishëm për ekonominë e Argjentinës. Disa kritikë të sotëm thonë se euro ka fuqi të tepërt për Greqinë, dhe si rrjedhojë e kësaj ky shtet duhet të largohet nga euro zona për të mirën e saj dhe të rivendos dhrahminë. Së dyti, problemet e Greqisë mund të fillojnë me një domino efekt në ekonomi tjera të dobëta ose të shtyra nga borxhet, siç është ajo e Portugalisë, Italisë apo Spanjës. Efektet e tilla e ekonomike të një kolapsi të tillë, do të ishin më shumë se dramatike. Kancelarja gjermane Angela Merkel së fundi tha se shtetet që nuk menaxhojnë mirë financat e tyre duhet të përjashtohen nga euro zona, por nuk është e qartë nëse ajo ka sugjeruar mjekim kaq të fuqishëm për më shumë se vetëm një shtet.
Së treti, gjithashtu është i pranishëm edhe dimensioni politik. Kjo është ajo çfarë Juncker, i cili është liderë i grupit të ministrave të financës së grupit të euro zonës, e quan "roli primar i politikës" në krizat e tanishme. Ai dëshiron të thotë se BE-ja duhet të vazhdojë për arsye ideologjike në rrugën drejt "një unioni edhe më të afruar" dhe se nuk mund të vazhdojë rrezikun ndaj kolapsit të euros apo të shteteve të saj anëtare.
Ora e Klausit?
Nëse ndodh ajo, do të ishte një moment i shkëlqyer për triumfin e euroskeptikëve sikurse presidenti çek Vaclav Klaus. Euroskeptikët argumentojnë se ideja e një Evrope të bashkuar apo federale është një ëndërr utopike, sikurse komunizmi, dhe se shtetet komb të pavarura, me interesat e tyre personale kombëtare, janë realiteti. Ngjarjet e javëve të fundit në krizën greke kanë treguar se ndoshta Kalus ka një intuitë më të mirë politike sesa Juncker. Zhvillimi kyç ka qenë ai që Merkel ia ka bërë të qartë se Gjermania më nuk është e gatshme të paguajë asnjë çmim për unitetin evropian. Ajo u përkrahë virtualisht nga të gjitha gazetat dhe mediet tjera në Gjermani, prej të majtës në të djathtë, prej seriozeve e deri tek të popullarizuarat. Para dhe gjatë 25 marsit në samitin e Brukselit rreth krizës greke, Merkel veproi me një shpirt të fuqishëm. Ajo u rezistoi thirrjeve të disa qarqeve rreth BE-së për përkrahje masive të Greqisë, duke thënë se lëvizjet e tilla nuk janë të nevojshme. Ajo e ka bërë të qartë se Gjermania nuk do të hap bllokun e saj të çeqeve. (Në fakt, vetë Papandreou tha në mënyrë të vazhdueshme se Greqia nuk ka nevojë për asistencë financiare, por vetëm për përkrahje politike kundër spekuluesve financiar.) Përveç kësaj, Merkel rezistoi ndaj kundërshtimeve brenda BE-së për një rol për Fondin Monetar Ndërkombëtar, në vend të kësaj e quajti përkrahjen e FMN-së për Greqinë një mundësi, në rast se situata e Greqisë keqësohet apo nëse të gjitha mundësitë tjera dështojnë. Kjo ishte një humbje për Juncker dhe elementet e tjera antiamerikane në Bruksel, që dëshironin që shtetet e euro zonës të zgjidhni problemet e Greqisë mes vete, pa pasur nevojë për FMN-në, në të cilin ShBA-ja ka një zë.
Tani për tani, duket e qartë se Gjermania do të përcjellë një politikë të bazuar në interesat tradicionale kombëtare dhe jo ato të sentimentalizmit apo bamirësisë. Shumë komentues gjerman shkruan gjatë javës së kaluar, se përveç kësaj, samiti i 25 marsit nuk zgjodhi asnjë çështje për euro zonën si tërësi dhe thjeshtë riafirmoi politikat ekzistuese. Tani do të jetë shumë interesante të vështrohet sesi Berlini politik do të reagojë nëse Portugalia, Irlanda apo çfarëdo shtetit tjetër anëtar i euro zonës, përcjellin Greqinë drejt rrugës së një krize borxhi dhe vendosin një bashkësi të reaksioneve zinxhirore të proporcioneve dramatike.
(Z. Moore është analist politik amerikan me mbi 35 vjet përvojë pune si gazetar. Ai bashkëpunon rregullisht me Infopress.)
Vendose në:
|